Një vit pas marrjes së mandatit në krye të bashkisë së Pogradecit, BIRN Albania intervistoi kryetarin e Bashkisë, Z.Kapri lidhur me përmbushjen e premtimeve elektorale, bazuar mbi shqetësimet e ngritura nga vetë banorët e kësaj zone.
Cilat janë tre arritjet/premtimet kryesore që ju i mendoni si të suksesshme gjatë vitit të parë të drejtimit të bashkisë Pogradec?
Viti i parë i mandatit si kryetar bashkie për mua ka qenë një vit me punë dhe impenjime të shumta. Qëllimi dhe synimi im ka qenë që së bashku me stafin e administratës premtimet elektorale t’i kthejmë në arritje dhe realizime. Gjatë këtij viti një nga arritjet më të rëndësishme dhe primare për mua, ashtu edhe siç kam premtuar është hartimi i Planit të Përgjithshëm Vendor, i cili është një projekt kyç për sistemimin e ri dhe zhvillimin e integruar për të gjithë territorin administrativ që mbulon Bashkia Pogradec. Plani i Përgjithshëm Vendor tashmë ka arritur në fazën e analizës dhe brenda vitit 2016 Bashkia Pogradec do të fillojë zbatimin e këtij plani. Në këtë vit drejtimi të bashkisë, ka filluar procesi i ndriçimit rrugor në të gjithë bashkinë qendër dhe do të përfundojë me rehabilitimin e ndriçimit të njësive administrative Udënisht dhe Buçimas. Ky është një projekt që bazohet në eficiencën e energjisë dhe kursimin e saj, mundësuar nga përdorimi i llambave Xenon. Përsa i përket sportit dhe kulturës kemi arritur t’i gjallërojmë madje në sport kemi mundur të shijojmë dhe medaljet e marra në disa disiplina sportive. Një tjetër gjallëri ka marrë dhe kultura ku kemi një jetë artistike të mbushur plot shfaqje, ekspozita si dhe evente të ndryshme kulturore.
Çfarë ka bërë bashkia në sigurimin e pjesëmarrjes qytetare (konsultimeve publike, etj) dhe transparencën gjatë këtij viti?
Ne i kemi kushtuar një rëndësi të veçantë zhvillimit të një kulture të përgjithshme të konsultimit publik, me synim dëgjimin e zërit të shoqërisë civile, si dhe për të qënë më afër problemeve dhe vështirësive që përballet çdo ditë bashkia. Kemi organizuar disa dëgjesa publike për hartimin e dokumenteve të rëndësishëm zyrtare siç janë dokumentet strategjike për Hartimin e Planit të Përgjithshëm Vendor dhe projekt – vendimeve të ndryshme si ai për hartimin dhe miratimin e Projekt – buxhetit për vitin 2016, sidomos kapitujt për taksat dhe tarifat vendore duke marrë opinione dhe sugjerime nga grupet e interesit (biznese, OJF dhe shoqëri civile).
Nga zhvillimi i dëgjesave publike bashkia ka reaguar duke marrë vendime në përputhje të plotë me opinionet e qytetarëve sepse për mua demokraci në ushtrimin e pushtetit lokal është pjesëmarrja e shoqërisë civile në vendim-marrje. Gjithashtu prioritet i është dhënë edhe hartimit të programit të transparencës për Bashkinë Pogradec. Synimi jonë është që të bëjmë transparente veprimtarinë e bashkisë nëpërmjet pasqyrimit të detajuar të saj në faqen zyrtare bashkiapogradec.al, si dhe zyrave me një ndalesë. Për një informim sa më të shpejtë, lehtësisht të kuptueshëm dhe pa kërkesë është hartuar dhe faqja zyrtare e bashkisë, në shërbim të qytetarëve.
Cilat janë tre sfidat kryesore me të cilat përballet bashkia e re dhe si mendoni t’i adresoni ato?
Sfidat dhe problematikat janë të shumëllojshme si në sektorët e zhvillimit social – ekonomik, por edhe në zhvillimin territorial. Reforma territoriale është padyshim një nga sfidat më të mëdha me të cilën ne po përballemi. Zbatimi i kësaj reforme kërkon një menaxhim sa më efektiv. Ne po përballemi me sfidat e riorganizimit të strukturës dhe territorit e cila ka nevojë për strategji dhe njerëz me kapacitet menaxherial që të ketë propocionin e duhur të qendrës dhe njësive administrative. Bashkia Pogradec po përballet edhe me sfidën e mirëmenaxhimit financiar për shkak të borxheve të larta që ka trashëguar. Ne po bëjmë ç’është e mundur për të dalë nga kjo gjendje si dhe të rikthejmë në shërbime dhe investime të ardhurat e mbledhura nga komuniteti në formën e taksave dhe tarifave vendore, por njëkohësisht po bëjmë përpjekje për të siguruar mbështetjen e qeverisë për të dalë nga kjo situatë ekonomike e trashëguar. Zbatimi i Planit të Përgjithshëm Vendor është për ne një sfidë, në kushtet që ndodhemi, ku koha e implementimit të tij është shumë e kufizuar, pavarësisht se hartimi i tij është një nga arritjet tona kryesore.
Si është arritur të realizohet marrja e mendimit të banorëve të zonave të thella malore lidhur me çështje të ndryshme ku opinioni qytetar është domosdoshmëri? Për shkak të pozicionimit të shumë fshatrave në zona të largëta ku edhe infrastruktura është e pafavorshme a është arritur që të ketë konsultime publike gjatë këtij viti të parë të punës suaj?
Reforma e re territoriale për vetëqeverisjen vendore ka nevojë për strategji dhe struktura menaxheriale për të qënë sa më efektive. Ne kemi parë si zgjidhje të saj përmirësimin e shërbimeve duke zbatuar praktika menaxhuese dhe implementimin e tyre në Njësitë Administrative. Gjatë vitit të parë të punës, në këto zona të thella malore është arritur që të zhvillohen disa konsultime publike nga administratorët e njësive të cilët kanë bërë të mundur identifikimin e problemeve dhe adresimin për zgjidhjen e tyre. Organizimi i dëgjesave publike, ku opinioni i banorëve të këtyre zonave është domosdoshmëri, ka si qëllim integrimin e zonave rurale, ofrimin e vazhdueshëm të informacionit dhe këshillimeve, si dhe ofrimin e shërbimeve të një cilësie më të lartë.
Cilët kanë qenë hapat konkretë që janë ndërmarë lidhur me mbështetjen dhe nxitjen e mëtejshme të turizmit në këtë bashki gjatë këtij viti? A ka pasur një strategji lidhur me kthimin e Pogradecit në një destinacion turistik në çdo stinë dhe sa është arritur të implementohet ajo?
Po ka pasur një strategji, e cila synon që ta kthejë Pogradecin në radhë të parë si një destinacion turistik gjatë 12 muajve të vitit dhe së dyti në rritjen e numrit të turistëve të huaj. Konkretisht Bashkia Pogradec është përpjekur t’ju “zbulojë” turistëve trashëgiminë natyrore kulturore që ajo ka, dhe që për fat të mirë është shumë e pasur, por jo e njohur për publikun e gjerë, dhe së dyti në promovimin e të ashtuquajturit “turizëm alternativ”, në të gjithë territorin e Bashkisë Pogradec. Për këtë arsye në çeljen e sezonit turistik për të promovuar zonat turistike si dhe vlerat kulturore dhe natyrore aktivitetet u shtrinë edhe në dy njësitë administrative Udënisht dhe Buçimas. Çelja e sezonit u shoqërua edhe me hapjen e Zyrës së Informacionit në shërbim të turistëve vendas dhe të huaj.
A është arritur një bashkëpunim me vendin fqinj që të mund të promovohen vlerat kulturore dhe kulinaria e zonës?
Bashkëpunimi ka ekzistuar edhe më parë dhe qëllimi ynë është që ky bashkëpunim të vazhdojë nën këtë traditë si dhe të shikohet mundësia e rritjes së tij. Për fat të mirë në Qershor të vitit 2014, rajoni Ohër-Prespë është shpallur Rezervë Ndërkufitare e Biosferës, bazuar në Programin “Njeriu dhe Biosfera” të UNESCO-s, status që na “detyron” që midis fqinjëve të këtë një bashkëpunim të ngusht në të gjitha fushat. Krahas bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe përdorimit të qëndrueshëm të resurseve natyrore një vend jo më pak të rëndësishëm zë bashkëpunimi në fushën e promovimit të vlerave kulturore dhe kulinarisë së zonës. Ne po punojmë që këtë kuadër të “brendojmë” produktet e zonës si elemente të Rezervës së Biosferës që ka ky rajon. Gjatë këtij viti ne kemi arritur të nënshkruajmë memorandume bashkëpunimi me Bashkinë e Ohrit, Strugës dhe Bashkisë të Kosturit. Në këtë kuadër nisur nga konteksti ndërkufitar i rajonit Bashkia Pogradec e shikon të ardhmen e këtij sektori, të lidhur në konceptim me bashkëpunimin rajonal, me bashkitë në anën tjetër të liqenit të Ohrit, duke hartuar strategji afat-gjatë bashkëpunimi me pushtetin lokal në palën maqedonase, si dhe Bashkinë e Kosturit për të krijuar paketa të përbashkëta turistike në të gjitha fushat, por edhe për të përthithur investime nga projekte të ndryshme për t’i ardhur në ndihmë turizmit.
Çfarë masash janë ndërmarë gjatë vitit të parë të mandatit tuaj lidhur me kontrollin e peshkimit të paligjshëm dhe rigjenerimin e Liqenit të Ohrit?
Ligji i autonomisë vendore nuk i lejon Bashkisë që të ketë nën juridiksionin e saj këtë sektor të ekonomisë. Gjithsesi problematikat e sektorit te peshkimit janë shqetësim për ne, pasi direkt apo indirekt ndikojnë edhe në statusin që ka liqeni i Ohrit dhe pellgu i tij ujëmbledhës, dhe ne jemi munduar që të kemi kontakte të vazhdueshme me strukturat relevante lidhur me këtë problematikë me qëllim krijimin e një klime bashkëpunimi për eliminimin e paligjshmërisë në peshkim.
Cilët hapa konkretë ka ndërmarrë bashkia për të garantuar mosizolimin e zonave të thella gjatë muajve të dimrit?
Pogradeci ka një pozicion gjeografik ku mbizotërojnë kodrat dhe malet, me dimër të ftohtë dhe verë të freskët prandaj zonat e thella gjatë periudhës së dimrit gjenden shpesh në situata të vështira. Bashkia për t’i paraprirë këtyre vështirësive si dhe për të siguruar mos izolim të këtyre zonave ka krijuar Ndërmarrjen e Infrastrukturës Rurale, e cila ka marrë nën kontroll të gjitha rrugët rurale. Kjo ndërmarrje po punon për rehabilitimin e rrugëve rurale për t’i paraprirë periudhës së dimrit. Gjithashtu në çdo Njësi Administrative është ngritur shtabi i emergjencave civile. Një tjetër hap konkret që ka ndërmarrë bashkia për mosizolimin e këtyre zonave është dhe bashkëpunimi me subjektet private si firmën e ndërtimit të aksit rrugor Qukës – Qafë Plloçë e cila për çdo rast emergjent ka marrë masa nëpërmjet vënies në dispozicion të mjeteve të transportit, për zhbllokimin e rrugëve.
Cila ka qenë mbështetja e bashkisë së re për zhvillimin e sektorit të bujqësisë në këtë zonë?
Zhvillimi i sektorit të bujqësisë ka qënë një prej prioriteteve tona kryesore të drejtimit dhe qeverisjes së bashkisë. Bashkia e Pogradecit ka ndërmarrë hapa konkretë në mbështetjen e veprimtarisë sipërmarrëse të banorëve që angazhohen në sektorin e bujqësisë. Mbështetja për zhvillimin e këtij sektori është dhënë mes ndihmesës direkte profesionale që specialistët po u japin fermerëve, mbështetjes teknike, dhënies së informacionit, grumbullimit dhe vlerësimit të të dhënave, gjurmimit të tregjeve, afrimit të partnerëve si dhe bashkëpunimin me donatorë te mundshëm. Bashkia Pogradec bazuar në VKM nr. 994 “Për regjistrimin e akteve të marrjes së tokës bujqësore në pronësi”, nëpërmjet zyrës së koordinimit dhe administratorëve të njësive administrative, po bëjnë verifikimin dhe saktësimin e problemeve që kanë anëtarët e familjeve bujqësore për pajisjen me dokumentacion. Ne po ndjekim nga afër të gjithë procesin e pajisjes së fermerëve me certifikatë pronësie për tokën bujqësore, në bashkëpunim me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Bashkia Pogradec së bashku me Ndërmarrjen e Infrastrukturës Rurale, po punon intensivisht në mirëmbajtjen dhe hapjen e kanaleve për ujitjen, vaditjen dhe kullimin e tokave bujqësore të fermerëve të zonës. Kemi pajisur me leje ushtrim aktiviteti pronarët e pikave të grumbullimit dhe pikave frigoriferike, duke përshpejtuar pajisjen me dokumentacionin përkatës, për të bërë të mundur grumbullimin e produkteve që prodhojnë fermerët e zonës. Një vëmendje të madhe po i kushtojmë gjurmimit të tregjeve, afrimit të partnerëve si dhe bashkëpunimit me donatorët e mundshëm, me qëllim mbështetjen e banorëve për prodhimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore.