Kur një 33-vjeçar nga Siria arriti në Bullgari, synimi i tij i vetëm ishte të shkonte drejt Europës Perëndimore – por kompanitë në zhvillim të softuerëve dhe shërbimeve në Bullgari e bënë atë të ndryshojë mendje.
Kur ai u largua nga Siria në vitin 2013, gazetari 33-vjeçar dhe profesori i letërsisë Elias Sulaiman mezi mund ta imagjinonte se, vetëm tre vite më vonë, do të kishte një karrierë të suksesshme në teknologjinë e informacionit (IT) dhe një familje në Bullgari.
Si shumë bashkështetas të tjerë, ai mori rrugën e rrezikshme të largimit nga qyteti i tij i shkatërruar prej luftës për të kërkuar siguri dhe një vend më të mirë në Gjermani ose Suedi.
Por për çudinë e tij, shteti më i varfër anëtar i BE-së, i kritikuar për trajtimin ndaj refugjatëve, i ka ofruar Elias mundësinë të ndërtojë një jetë të re.
“Në fillim, qëndrimi në Bullgari nuk ishte në mendimet e mia, pasi e dija që ishte një vend i varfër dhe nuk ka mundësi këtu. Mendova se do të kisha shanse më të mira punësimi në Gjermani,” kujton Elias nga zyra e tij moderne në Sofje, në kryeqytetin bullgar.
“Ishte fati që më bëri të qëndroj këtu,” shtoi ai, duke kujtuar verën e vitit 2013, kur aplikoi për azil në Bullgari.
Pasi situata për mijëra refugjatë që kanë hyrë në vend në atë kohë ishte e vështirë – kushtet dhe shërbimet e jetesës në qendrat e refugjatëve në Bullgari ishin të zymta – Elias filloi si vullnetar për të ndihmuar të tjerët që po vuanin.
Kështu ai u takua me shumë vullnetarë bullgarë të cilët e këshilluan atë të kërkonte për një punë në Bullgari.
“Dërgova CV time te disa kompani dhe ato menjëherë filluan të më telefononin – kompani IT ose shërbimesh, të cilat kërkonin për njerëz me njohuri spanjishteje ose arabishteje [Elias e flet spanjishten rrjedhshëm bashkë me tre gjuhë të tjera],” shpjegon ai.
“Rezultoi se nëse je i arsimuar dhe ke një nivel të caktuar të anglishtes, mund të gjesh një punë shumë të mirë në Bullgari,” shtoi ai.
Ashtu si shumë të rinj të tjerë në Bullgari, Elias u punësua nga një kompani që kryen shërbime të jashtme, për të ofruar mbështetje për klientët kudo në botë.
Sektori i shërbimeve dhe atyre IT ka qenë dega me rritjen më të shpejtë në ekonominë bullgare për dekadën e fundit.
Në vitin 2015, Bullgaria u emërtua si Destinacioni Europian i Vitit për Shërbimet nga Outsourcing Association UK. Ajo konkurroi për titullin me Letoninë dhe Afrikën e Jugut.
Gjatë vitit të kaluar, kompanitë bullgare të softuerit arritën një qarkullim prej 1.6 miliardë leva [rreth 800 milionë €], 65 për qind e të cilave u gjeneruan nga shërbimet e eksportit, tregon studimi i fundit i shoqatës bullgare të kompanive softuer.
Rreth 90 për qind e të punësuarve në këtë sektor janë specialistë të rinj nën moshën 35. Mesatarisht, ata fitojnë katër herë më shumë se paga mesatare mujore në vend prej 475€.
Megjithatë, në vitin 2015, rritja e vazhdueshme e sektorit ka rënë me 3 për qind, në krahasim me vitin 2014, duke shkuar në 11 për qind. Kompanitë IT fajësojnë për rënien mungesën e punëtorëve të kualifikuar.
“Sektorit bullgar të shërbimit në Bullgari i mungojnë 50.000 persona. Kushti i parë që punonjësit duhet të përmbushin është të flasin një gjuhë më shumë përveç gjuhës së tyre amtare, për shkak se kompanitë që operojnë në Bullgari ofrojnë shërbime për të gjithë botën,” tha për BIRN Vassil Velichkov, pronar i kompanisë Sensika me qendër në Sofje.
Vassil u njoh me Elias, kur ta ishin të dy vullnetarë për refugjatët në Bullgari në vitin 2013 dhe e mori atë në punë për të mbështetur operacionet e biznesit të kompanisë së tij në Lindjen e Mesme.
“Ne kemi klientë nga e gjithë bota, por kemi vendosur të përqendrohemi te klientët nga Lindja e Mesme që kanë si gjuhë amtare arabishten. Konkurrentët tanë në mbarë botën nuk kanë performancë të mirë në ato tregje,” tha Vassil.
“Gjuha arabe është shumë specifike – si në të folur edhe në të shkruar. Për më tepër që për të bërë biznes në Lindjen e Mesme duhet një qasje e ndryshme. Ne bullgarët janë kulturalisht më pranë klientëve tanë në Lindjen e Mesme [se shumica e europianëve të tjerë] dhe prandaj është më e lehtë për ne që të bëjmë biznes me ta”, shtoi ai.
Për shkak të nevojës në rritje për të gjetur staf që flet mirë arabisht, në fillim të vitit 2016 shoqatat kryesore të IT në Bullgari dhe kompanitë e shërbimeve e bindën qeverinë të lehtësojë procedurën e marrjes së Kartës Blu për specialistët jo-europianë, që i jep atyre të drejtën të punojnë.
“Gjëja më e rëndësishme është se tani sektorët IT dhe të shërbimeve nuk janë të detyruara të kryejnë kërkime të tregut për bullgarët që janë në kërkim për të njëjtit pozicion pune si të huajt, të cilët kanë aplikuar për një vend të lirë. Sot, ky sektor ka nevojë për 50.000 njerëz dhe është e qartë se bizneset duhet të kenë punësuar këdo që ka pasur interes,” shpjegoi Velichkov.
Ai thotë se procedura e Kartës Blu është shkurtuar ndjeshëm dhe ka pasur shumë lehtësira, ndaj vendet bosh mund të mbushen nga refugjatët dhe azilkërkuesit dhe nga njerëzit që duan ta krijojnë jetën e tyre në Bullgari dhe të punojnë në këtë sektor inovativ.
Megjithatë, teksa Bullgaria nuk ka program shtetëror të integrimit për të ndihmuar refugjatët në mësimin e gjuhës bullgare dhe të gjetjes së një vendi pune në tregjet kombëtare që nga viti 1993, pak refugjatë janë në dijeni të kësaj mundësie.
Shumica e migrantëve që kërkojnë azil në bullgari vazhdojnë rrugën drejt vendeve si Gjermania pa pritur përfundimin e procedurave të azilit dhe marrjen e dokumenteve bullgare.
Statistikat e Agjencisë Shtetërore për Refugjatët, SAR, publikuar në gusht tregojnë se nga 10,900 persona që kanë kërkuar azil në Bullgari që nga fillimi i këtij viti, 5000 nuk janë shfaqur për intervistat e tyre të përfitimit të mbrojtjes.
Ata persona, tashmë të regjistruar në Bullgari, do të kthehen nga shtetet e tjera anëtare po këtu, sipas Rregullores së Dublinit.
Në vitin 2016, 402 azilkërkues u kthyen në Bullgari, u shpreh Daniel Indjiev nënkryetar i SAR për agjencinë e lajmeve Focus në gusht.
Elias beson se të paktën disa prej këtyre njerëzve kanë një shans të mirë për të gjetur një punë në Bullgari.
Në punën e tij të mëparshme, ai bindi kompaninë të hapë një departament arab. “Ne filluam me tre refugjatë dhe tani më shumë se njëqind njerëz punojnë atje,” tha ai.
Sa për të ardhmen e tij, ai është i bindur se për momentin ndodhet në Bullgari: “Planifikoj të mësoj bullgarisht. Jam martuar me një bullgare dhe kemi një fëmijë tani. Ndaj mendoj se e ardhmja ime do të jetë këtu,” tha ai.
Ai beson se shteti bullgar duhet të bëjë më shumë për të mbështetur refugjatët që duan të qëndrojnë në vend nëpërmjet programeve integruese dhe këshillimit të karrierës.
“Qeveria bullgare duhet të mendojë për të ardhmen e vendit. Nëse u intereson e ardhmja e vendit, duhet të mendojë se si të mbajë njerëzit si unë këtu, jo t’i lërë të largohen, theksoi ai.