Në shumë vende, lagjja ku ju jetoni ka tendencën të jetë një parashikues i saktë i asaj se për cilin do të votosh. Megjithëse sjelljet votuese rajonale apo vendore janë po kaq të vjetra sa edhe demokracia, një korelacion në rritje mes polarizimit hapsinor, shoqeror dhe politik po i kthen një pjesë të qytetarëve në njerëz pothuajse të huaj.
Në shumë vende, lagjja ku ti jeton mund të shërbejë për të parashikuar se për kë apo për çfarë ti do të votosh. Kjo qe shumë e dukshme në hartat e gjeografisë elektorale të atyre që votuan për të dalë ose për të mbetur anëtar në referendumin e qershorit në Mbretërinë e Bashkuar për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian. Një sjellje e tillë mund të gjendet në shpërndarjen e votave në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së në vitin 2012 ose në mbështetjen e francezëve për Frontin Nacional të Marine Le Pen në zgjedhjet rajonale të vitit 2015. Ka shumë gjasa që do të shfaqet edhe në zgjedhjet e ardhëshme presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Shumë qytetarë jetojnë në vendet ku një pjesë e madhe e fqinjëve të tyre votojnë në të njëjtën mënyrë.
Kjo gjeografi votash është indikuese për ndasitë e thella ekonomike, shoqërore dhe arsimore. Qytetet e pasura ku përqendrohen njerëzit me diploma universitare, kanë tendencën të votojnë njerëz me mendësi ndërkombëtare, të cilët shpesh i përkasin qendrës së majtë, ndërsa shtresat e mesme të ulëta dhe klasa punëtore janë përqendruar në rajone që kanë tendencën të votojnë për kandidatë kundërshtarë me tregtinë, shpesh nacionalistë të së djathtës. Nuk është aksidentale që kryebashkiakët nga qendra e majtë qeverisin Nju Jorkun, Londrën, Parisin dhe Berlinin, ndërkohë që qytetet më të vogla dhe në vështirësi kanë tendencën të pëlqejnë politikanë të të djathtës ekstreme.
Sjelljet votuese rajonale apo vendore janë po kaq të vjetra sa edhe demokracia. Ajo që është e re është korelacioni në rritje me polarizimin hapsinor, shoqëror dhe politik që po i shtyn njerëzit që jetojnë në një vend që të ndjehen pothuajse të huaj në vendin e tyre. Siç e tha Enrico Moretti i Universitetit të Kalifornisë në Berkli në librin e tij “Gjeografia e Re e Vendeve të Punës”, shfaqja e kësaj ndasie të re është e qartë: të diplomuarit përbëjnë gjysmën e popullsisë totale të shumicës së zonave metropolitane të pasura të SHBA-së, por janë katër herë më pak në zonat më të varfra.
Tronditjet ekonomike kanë tendencën ta përkeqësojnë ndasinë politike. Ata që jetojnë dhe punojnë në lagjet e manifakturës tradicionale janë zënë nga trazirat e globalizimit dhe kanë dalë humbës të shumëfishtë: vendet e tyre të punës, pasuria e tyre shtëpiake dhe fatet e fëmijëve e të afërmve të tyre janë të lidhura ngushtë.
Në një kërkim të ri magjepsës, David Autor nga MIT dhe bashkëautorë të tjerë kanë eksploruar pasojat politike të kësaj situate. Ata zbulojnë se rajonet e SHBA-ve ku ekonomia është goditur më ashpër nga eksportet kineze janë përgjigjur duke zëvendësuar përfaqësues të moderuar me politikanë më radikalë – qoftë nga e majta, ashtu edhe nga e djathta. Globalizimi, për rrjedhojë, ka sjellë njëkohësisht polarizim ekonomik dhe politik.
Qeveritë e kanë neglizhuar për tepër gjatë këtë ndasi. Disa kanë besuar te ekonomiksi i rrjedhjes poshtë (trickle-doën Economics), të tjerë në besimin se politika monetare do të udhëheqë rigjallërimin e rritjes ekonomike dhe punësimin ndërsa të tjerë akoma kanë besuar te rishpërndarja fiskale. Por këto zgjidhje kanë dhënë pak lehtësime.
Provat flasin kundër shpresës naive se mirëqenia një ditë do të mbërrijë në të gjitha zonat. Zhvillimi ekonomik modern mbështetet rëndë te ndërveprimi, i cili nga ana e vet kërkon një densitet të lartë të firmave, aftësive dhe inovatorëve. Ky model mbështetet te aglomerimi, në të cilin qytetet më të mëdha zhvillohen, ndërsa qytetet më të vogla vuajnë. Kur një zonë fillon të humbasë aftësi dhe kompani, ka pak shpresa që kjo tendencë do të përmbyset në mënyrë natyrore. Të qenit të papunë mund të bëhet shpejt situata normale.
Ekspansioni i kërkesës agregate vështirë se e lehtëson vuajtjen. Edhe nëse vijon të mbetet e vërtetë shprehja se një dallgë e madhe i ngre të gjitha varkat, kjo dallgë nuk i ngre varkat në mënyrë të barabartë. Për ata që ndjehen të lënë mënjanë, rritja më e fortë kombëtare shpesh nënkupton më shumë mirëqenie dhe dinamizëm vetëm për qytetet e mëdha ndërsa për të tjerët nënkupton pak ose aspak rritje. Për rrjedhojë shfaqen ndasi edhe më të mëdha, edhe më të padurueshme. Rritja në vetvete shkakton ndasi.
Dhe megjithëse transfertat fiskale ndihmojnë në përballjen me pabarazinë dhe luftën kundër varfërisë, ato bëjnë pak për të riparuar fabrikën shoqërore. Për më tepër, qëndrueshmëria afatgjatë është gjithnjë e më shumë e dyshimtë.
Në fjalën e saj të marrjes së detyrës, kryeministrja e Britanisë Theresa May premtoi se do të angazhohet për një përqasje “bashkuese” ndaj shqetësimeve ekonomike dhe shoqërore të vendit. Kandidatët për presidentë në SHBA kanë rizbuluar gjithashtu fuqinë e kërkesave për kohezion kombëtar dhe shoqëror. Shqetësime të ngjashme pa dyshim do të shfaqen në fushatën e ardhëshme për president në Francë. Megjithatë, nëse fundi është i qartë, politikanët shpesh nuk ia kanë idenë se çfarë do të thotë kjo.
Në fushatën presidenciale e SHBA-së, proteksionizmi në tregti është shfaqur sërish si një premtim joshës. Por, ndërsa kufizimet e importeve mund të lehtësojnë vuajtjen për disa rajone prodhuese, ato nuk do t’i ndalojnë kompanitë që të zhvendosen atje ku mundësitë për rritje janë më të mëdha. Proteksionizmi në tregti nuk do t’i mbrojë punonjësit nga ndryshimet teknologjike. Ato nuk do ta rikrijojnë modelin zhvillimor të së shkuarës.
Në mënyrë më të dukshme në Mbretërinë e Bashkuar, por edhe në vende të tjera, migrimi ekonomik po vihet gjithnjë e më shumë në pikëpyetje. Por edhe këtu, megjithëse ndalimi i hyrjes për punëtorë nga Europa Lindore mund të lehtësojë garën për paga apo të frenojë rritjen e çmimit të shtëpive, ajo nuk do të ndryshojë fatin relativ të qyteteve të vogla e të mëdha.
Në vend që të pretendojnë se kjo është rruga e duhur, politikanët duhet të pranojnë se nuk ka zgjidhje të lehta për zhvillimet e pabarabarta gjeografikisht të ekonomisë moderne. E pakëndshme siç është, rritja e mentropoleve është një fakt – një fakt ndaj të cilit nuk duhet të tregohet rezistencë, për shkak se nuk është një lojë me rezultante finale zero. Qytetet e mëdha japin gjithashtu përfitime të mëdha ekonomike.
Ajo që duhet të bëjë politika publike është që të sigurohet që aglomerimi ekonomik të mos kërcënojë barazinë në mundësi. Qeveritë nuk mund të përcaktojnë se ku do të ndërtohen kompanitë; por është përgjegjësia e tyre që të sigurohen që, megjithëse vendi ku ti jeton përcakton të ardhurat e tua, vendi ku ti ke lindur nuk duhet të përcaktojë të ardhmen tënde. Me fjalë të tjera, politika publike ka një përgjegjësi të madhe në kufizimin e korelacionit mes gjeografisë dhe mobilitetit shoqëror. Siç e ka demonstruar Raj Chetty i Stanford, ky nuk është problem vetëm në Shtetet e Bashkuara, por tipare të tilla mund të vërehen edhe në vende të tjera.
Infrastruktura mund të ndihmojë. Transporti efikac, shërbimet cilësore shëndetësore dhe aksesi në internet me bandë të gjerë mund të ndihmojë qytetet më të vogla për të tërhequr investime në sektorë që nuk mbështeten te efekti aglomerues. Shërbimet e zyrave të pasme, për shembull, mund të kenë një avantazh nëse vendosen atje ku hapësirat për zyra dhe shtëpi janë më të lira.
Në fund, ka një argument për kufizimin e egoizmit në zonat e pasura. Shpërndarja e kompetencave mes qeverisë kombëtare dhe qeverive rajonale a vendore, si dhe struktura e taksimit, ka qenë përcaktuar në një kohë shumë të ndryshme. Për të kufizuar ndasinë gjeo-ekonomike, këto struktura taksimi e funksione mund të duhet të ripërcaktohen që në themel.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. The Geography of Elections