Të dhënat e ministrisë së brendshme tregojnë se pak nga ata që kërkuan azil në Shqipëri qëndruan në vend deri në përfundim të procedurave, duke sugjeruar se shumica e përdorën procesin për të fituar kohë përpara se të udhëtonin drejt perëndimit.
Vetëm 13 nga 416 personat që kërkuan azil në Shqipëri nga viti 2014 në shtator 2016 kishin synim parësor të qëndronin në vend, tregojnë të dhënat e ministrisë së brendshme të cilat BIRN i disponon.
Në vitin 2014, numri i azilkërkuesve në Shqipëri ishte 134. Në vitin 2015, numri ra në 106, ndërsa u rrit sërish në 176 shtetas deri më tani.
Por shumica e këtyre refugjatëve duket se i përdorin kërkesat formale për azil në Shqipëri vetëm për të fituar më shumë kohë përpara se të vazhdojnë rrugën drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Të dhënat tregojnë se, gjatë kësaj periudhe, Shqipëria i dha azil vetëm 11 shtetasve ndërsa ia refuzoi dy rasteve të tjera.
“Numri i kërkesave formale për azil në Shqipëri është më i lartë sesa numri i aplikimeve apo numri i seancave dëgjimore ngaqë azilërkuesit largohen nga Shqipëria, duke i shkëputur procedurat,” tha për BIRN një zyrtar i ministrisë së brendshme duke komentuar mbi të dhënat.
“Kjo është qartazi një tendencë mes refugjatëve që kërkojnë azil në Shqipëri për ta përdorur vendin si transit, jo si destinacion. Ata më vonë vazhdojnë rrugën e tyre drejt vendeve të BE-së,” shtoi zyrtari.
Refugjatët nga Siria dhe Afganistani, shpesh i përdorin këto taktika në Shqipëri, pasi nëse nuk kërkojnë formalisht azil dërgohen menjëherë në vendin nga ku hynë.
Më 27 shtator, 21 refugjatë sirianë ia mbathën nga qendra në Babrru të Tiranës, projektuar për të pritur refugjatët gjatë zhvillimit të procedurave të tyre për azil në Shqipëri.
Më 1 tetor, policia zbuloi 15 prej tyre teksa udhëtonin në Kosovë. Policia arrestoi katër shqiptarë të cilët dyshohet se po i ndihmonin ata të vazhdonin rrugën në kufirin me Kosovën në këmbim të parave.
Numri i trafikantëve të njerëzve në Shqipëri pritet të rritet. Më 28 shtator, policia arrestoi tre trafikantë që po përpiqeshin të transportonin në mënyrë të paligjshme 27 refugjatë nga Siria, Iraku dhe Sudani të cilët ia mbathën nga një kamp në Thesaloniki në Greqi.
Sipas policisë, refugjatët u kishin paguar trafikantëve 1200 euro për të rritur dhe 600 euro për fëmijë për të kaluar në Malin e Zi.
Genc Merepeza, zv.drejtor i policisë shqiptare të Kufirit dhe Migracionit i tha më herët BIRN se policia shqiptare kishte kapur 691 shtetas të huaj në nëntë muajt e parë të 2016 të cilët po përpiqeshin të kalonin drejt Malit të Zi apo Kosovës.
Ai shtoi se shifra qëndron e ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2015, kur policia identifikoi 1950 raste.