Një numër i madh rumunësh që kërkojnë punë në gjysmën e pasur të Bashkimit Europian e gjejnë veten në mëshirë të trafikantëve të paskrupullt.
Për të plotësuar pensionin e saj të varfër dhe mbështetur vajzën adoleshente, Mariana*, 64 vjeç mendoi se nuk kishte asnjë mundësi tjetër përveçse të kërkonte një punë të çfarëdoshme në vendet e BE. Pasi shpenzoi disa vite të vështira si kujdestare në Itali, një agjenci i ofroi asaj një punë në Austri, ku mendohej se do të punonte për një çift të moshuarish.
Megjithatë, ajo dyshoi tek burrat që po transportonin grupin e saj me një furgon drejt Austrisë.
“Nuk më pëlqeu zëri i njërit prej tyre. Dhe kur në udhëtimin drejt kufirit, shoferi nuk ndaloi për asnjërin prej nesh që kishte nevojë të shkonte në tualet dhe as që donte të na jepte pasaportat, unë fillova të ankohesha,” tha ajo.
“Mesa duket, unë u ankova më shumë se ç’duhet, pasi ai vendosi të më linte në mes të rrugës. Kam pasur gjithnjë një gjuhë të gjatë,” qeshi ajo.
Pas ankesave të saj të shpeshta, shoferi e la në mes të të ftohtit të acartë në rrugën afër kufirit mes Rumanisë dhe Hungarisë. Iu deshën dy ditë të kthehej në shtëpinë e saj në Husi-një qytet i varfër në lindje të Rumanisë.
Incidenti i mësipërm ndodhi katër vjet më parë, në shkurt 2012, por Mariana e kujton atë fare mirë.
“E dija që po hiqja dorë nga një rrogë e mirë [në Austri] por nuk më pëlqeu pamja e atyre djemve,” thotë ajo, ndërsa pi kafe turke.
Gra të tjera të qytetit të saj nuk ishin kaq me fat. Shumë duruan poshtërimin në punët e tyre të huaja dhe ishin madje të privuara nga ushqimi dhe gjumi. Por ato refuzuan të ankoheshin, pasi u ndjenë të turpëruara që familjet e tyre të dinin se ç’kishin kaluar.
Historia e Marianës është e ngjashme me shumë të tjera, përfshirë gra nga Rumania që i përdorin pasaportat e tyre për të kërkuar punë të rastësishme në vendet e pasura të BE-së.
E divorcuar nga burri i saj inxhinier dhe me një vajzë në universitet për të mbajtur, Mariana nuk e mendoi dy herë kur dëgjoi për rrjetin që rekrutonte pastrues dhe kujdestarë për Eurpën Perëndimore.
Shumë nga infermieret që ajo njihte në spitalin lokal kishin përdorur të njëjtat kontakte për të gjetur punë në BE, çka u mundësoi atyre të shkollonin fëmijët dhe të rinovonin shtëpitë e tyre.
Pasi pyeti vërdallë, ajo gjeti numrin e një burri nga një fshat pranë qytetit të saj dhe e telefonoi atë. Në 2007, ajo gjeti punën e parë në Itali. Për shkak të mungesës së punëtorëve vendas atje, pagesa ishte e mirë dhe familja për të cilën ajo punoi pagoi për sigurimet shëndetësore të saj.
Ndërsa Rumania u bë anëtare e Bashkimit Europian atë vit, ajo nuk e pyeti kurrë veten nëse njerëzit që e dërguan në Itali ishin trafikantë. Edhe pse punëdhënësit e paguan plotësisht, ajo u ndje shpesh e poshtëruar pasi ata nuk donin që ajo të largohej nga shtëpia. Ata dyshonin se ajo mund t’ia mbathte që andej. Kur punëdhënësi nuk ishte i kënaqur me mënyrën e pastrimit të shtëpisë, asaj nuk i jepej ushqim.
Por Mariana thotë se ajo duroi gjithçka për hir të së bijës. Për më tepër, thotë ajo, historitë e disa grave të tjera ishin shumë të këqija.
Mariana u kthye në shtëpi në 2009, dhe ndërsa kursimet e saj po mbaronin, ajo vendosi të kërkonte një punë tjetër në vitin 2012.
Mesa duket, ajo ra në kontakt me burrin që duhej ta dërgonte atë në Austri, por që në të vërtetë e la në mes të rrugës pranë kufirit me Hungarinë.
“Ata ndoshta e kuptuan që unë isha shumë më e gjatë dhe e fortë se gratë e tjera në furgon dhe vendosën se unë do t’u sillja telashe. Jam e lumtur që isha e tillë,” thotë Mariana.
“Nuk e denoncova asnjëherë këtë incident,” shton ajo.
“Edhe nëse atyre u ndodh diçka e keqe, të tjerët nuk do të flisnin me autoritetet, pasi i gjithë qyteti do të bënte thashetheme për to,” përfundoi ajo.
Punonjësit përfundojnë në skllavë virtualë
Mariana kishte të drejtë kur tha se shumë njerëz të tjerë vuajtën fate më të këqija. Këtë shkurt, operacione të përbashkëta mes policive të Rumanisë dhe Spanjës shpëtuan 300 rumunë në një fermë spanjolle. Ata mbaheshin atje si skllevër, në baraka pa ujë për tualetet, ndërsa punonin 12 orë në ditë për shtatë ditë të javës pa u paguar.
Policia rumune dhe ajo spanjolle thanë se ata ishin joshur nga premtimi i rrogave të mira në fermë.
Në të vërtetë, pagesat e tyre shkuan në xhepat e trafikantëve që i dërguan atje, me gjasë në këmbim të ushqimit dhe strehimit. Ky rast tërhoqi vëmendjen e medias për shkak të numrit të madh të viktimave. Por shumë raste të ngjashme që përfshijnë individë apo grupe më të vogla marrin pak ose aspak vëmendje.
Ndërsa statistikat zyrtare fokusohen shpesh tek viktimat e shfrytëzimit seksual, ekspertët thonë se një shumicë rumunësh bien viktima të punës së detyruar apo formave të tjera të abuzimit.
Silvia Dumitrache, kryetare e Shoqatës së Grave Rumune në Itali, ADRI thotë se shumë punëtorë rumunë në very të Italisë përfundojnë si “viktima” të padukshme.
“Skllavet e seksit apo vajzat e shfrytëzuara për qëllime seksuale përmenden shpesh në media, ndërsa këto gra janë thjesht të padukshme. Ne as nuk e dimë numrin e vërtetë të tyre,” thotë ajo.
Problem është fakti që pak prej tyre kanë vullnetin për të folur, pasi askush nuk është atje për t’i mbështetur kundër rrjeteve të trafikantëve.
Dumitrache thotë se sistemi funksionon përmes agjencive të rekrutimit, disa me bazë në Rumani, të tjerat në Itali, të cilët thonë se po rekrutojnë punonjës shtëpiakë apo fermerë.
Në vend të shpenzimeve të transportit, ata kërkojnë më pas një pjesë të rrogës së punonjësve. Të lënë nëpër ferma apo fshatra, punëtorët përfundojnë shpesh nëpër baraka, ndërsa përballen me paga të ulëta dhe sasi të vogla të ushqimit dhe ujit. Atyre u merren pasaportat, në mënyrë që t’i ndalojnë të largohen nga këto vende.
Kur autoritetet italiane i mbyllin këto agjenci për shkak të praktikave të tyre të këqija, ato rihapen diku tjetër.
“Është ekstremisht me fitim, ndoshta më fitimprurëse se trafiku i drogës,” thotë Dumitrache.
Punëtorët rumunë dhe bullgarë ngacmohen shpesh nga rrjete të tjera trafikantësh, veçanërisht nga shqiptarët, pasi ata pranojnë paga më të ulëta, duke zvogëluar tregun e punës.
“Nëse nuk abuzohen prej trafikantëve të rrjetit që i sjell në Itali, ata abuzohen ose rrihen nga rrjetet rivale,” thekson Dumitrache.
Në rastet e trafikimit për shfrytëzim seksual, ajo thotë se vajzat rekrutohen shpesh nga djem të rinj dhe të pashëm, të cilët i joshin ato me premtimin e një jete fantastike jashtë vendit dhe më pas i dërgojnë në bordello.
Në skenarë të tjerë, vajzave të reja u thonë njerëz të cilët ato i besojnë në komunitet se ato duhet të shkojnë jashtë vendit për të takuar prindërit dhe më pas ato zhduken rrugës.
“Kjo nuk ndodh vetëm në Itali por gjithandej, por ato nuk flasin me organizata të punëtorëve si e imja, të cilat përpiqen për t’i ndihmuar,” thotë Dumitrache.
“Ato janë të frikësuara pasi shumë prej tyre rekrutohen drejt e nga vendi i banimit. Ato…kërcënohen se nëse denoncojnë rrjetin, familjet e tyre do të vuajnë”.
Rumania, një burim i viktimave të trafikut
Sipas të dhënave nga agjencia Eurostat, qytetarët bullgarë, rumunë dhe letonezë kishin më shumë gjasa për t’iu drejtuar autoriteteve si viktima të trafikimit gjatë viteve 2010-2012, kohë kur u mblodhën të dhënat e fundit.
Bullgarët dhe rumunët kryesojnë listën e trafikantëve gjithashtu. Qytetarët e këtyre dy vendeve, bashkë me qytetarë nga Belgjika, Gjermania dhe Spanja përbëjnë 2/3 e trafikantëve të dyshuar.
Raporti i fundit i Departamentit të Shtetit për trafikimin e njerëzve thotë se: “rumunët përfaqësojnë një burim domethënës trafikimi për qëllime seksuale apo pune nëpër Europë”.
Burrat, gratë dhe fëmijët rumunë i nënshtrohen trafikimit në fushën e agrikulturës, ndërtimit, shërbimit shtëpiak, turizmit dhe manifakturës, po aq sa edhe lypjes apo vjedhjes së detyruar.
Institucionet rumunë që përballen me krimin e organizuar duhet të trafikojnë stafin për njohjen e rasteve të trafikimit të qënieve njerëzore dhe lidhjet e tyre me krimin e organizuar-thotë raporti.
“Përpjekjet e qeverisë rumunë mbeten të papërshtatshme, veçanërisht në ndihmën ndaj viktimave. Qeveria dhe organizatat jofitimprurëse identifikojnë një numër të madh viktimash, por asistojnë vetëm 37 për qind, duke i lënë shumicën e viktimave pa shërbime dhe të dobët përballë ri-trafikimit,” shkruan dokumenti.
Thuhet gjithashtu se bashkëpunimi i kriminelëve me disa zyrtarë nuk hetohet siç duhet. Në tetor, Grupi i Ekspertëve të Aksionit kundër Trafikimit të Qënieve Njerëzore e Këshillit të Europës i kërkoi qeverisë rumunë që të ndërmarrë reforma dhe të tregojnë më shumë kujdes për viktimat në termat e mbrojtjes, sidomos për fëmijët.
Numri total i viktimave të trafikut të qënieve njerëzore që u identifikua nga autoritetet rumune në 2015 ishte 880.
Më shumë se gjysma e këtyre rasteve lidhej me shfrytëzimin seksual, 34 për qind me shfrytëzimin në punë dhe 6 për qind me lypjen e detyruar.
Zyrtarët lokalë, bashkëpunëtorë të kriminelëve
Sipas Departamentit të Shtetit, disa zyrtarë në Bullgari dhe Rumani mund të jenë përfshirë në trafikun për qëllime seksuale apo pune, si në mënyrë të drejtpërdrejtë ashtu edhe përmes minimit të hetimeve.
Në një mënyrë apo në tjetrën, nuk ka të dhëna të ndonjë hetimi, procedimi apo dënimi të të punësuarve të qeverisë si bashkëpunëtorë në krimet e trafikimit njerëzor, theksoi Departamenti amerikan i Shtetit.
Për të adresuar këtë problem, agjentët e zbatimit të ligjit kanë nevojë të trajnohen, por gjithashtu të qëndrojnë në kontakt me ekspertë vendas dhe të huaj për të qenë të njohur me zhvillimet dhe trendin e fundit-thotë Silvia Martis Tabusca, shefja e Qendrës Europiane për Edukimin dhe Kërkimin në Drejtësi.
“Hetimi i çështjeve të trafikut njerëzor dhe lidhjeve të tyre me rrjetet e krimit të organizuar përballet me shumë vështirësi në Rumani, përfshirë korrupsionin dhe ndikimin politik,” tha Tabusca për BIRN.
Ajo riktheu në vëmendje një rast në fillim të vitit 2016, kur Europol identifikoi një rrjet të trafikut njerëzor në BE.
Nënshtetasit rumunë që u akuzuan se bënin pjesë në të u dërguan për t’u hetuar në Rumani. Në përputhje me procedurat, prokurori kundër krimit të organizuar e dërgoi dosjen në Gjykatën e Apelit, por më pas pa arsye çështja përfundoi në një gjykatë të zakonshme.
Kjo gjykatë i liroi më pas ata, me argumentin se ishin arrestuar në mënyrë të kundraligjshme. Me t’u liruar, të dyshuarit u zhdukën pa asnjë gjurmë.
“Ne mund të kishim thënë se përmes dërgimit në gjykatën e zakonshme, ata thjesht nuk i dinin procedurat,” thotë Tabusca.
“Por kur ai i shkoi pas procedurës administrative me Gjykatën e Apelit dhe më pas e dërgoi çështjen në gjykatën e rrethit-ditën tjetër ata u shfaqën përballë gjyqtarit dhe ai tha se duhej të liroheshin për shkak të arrestit të paligjshëm, dhe më pas ata u zhdukën dhe askush nuk mund t’i gjejë-unë nuk mund të them se duhet të fajësojmë policinë,” përfundoi ajo.
Ajo thotë se çdo strukturë e shtetit duhet të punojë në mënyrë më efektive. Problemi është se shumë institucione shtetërore në Rumani, përballen me këtë çështje pa bashkëpunimin dhe kordinimin e duhur gjatë punës së tyre.
*Emri është ndryshuar me kërkesën e viktimës.