Grupi i Bankës Botërore së fundmi publikoi raportin Të Bërit Biznes 2017: Mundësi të Barabarta për të Gjithë, edicioni më i fundit i raportit më të rëndësishëm të këtij institucioni, raport që nxit vendet të reduktojnë barrën rregullatore mbi sektorin privat. Por ka një defekt serioz në formulën e raportit: trajtimit që i bëhet taksimit mbi korporatat.
Grupi i Bankës Botërore sapo ka publikuar raportin e vet më të rëndësishëm Të Bërit Biznes 2017: Mundësi të Barabarta për të Gjithë. Sipas Bankës, raporti vjetor është një nga publikimet më me ndikim mbi politikat në të gjithë botën, për shkak se nxit vendet që të reduktojnë barrën rregullatore mbi sektorin privat. Por ka një defekt të madh në formulën e raportit: defekti qëndron te mënyra se si ai trajton taksimin e korporatave.
Raportet Të Bërit Biznes vlerësojnë 11 fusha të rregullave të të bërit biznes në 190 vende, duke përdorur të dhëna mbi barrën e respektimit të ligjit, të dhëna që mblidhen nga PricewaterhouseCoopers (PwC). Banka pas kësaj formulon një pikëzim të përgjithshëm që supozohet se reflekton lehtësinë e kryerjes së aktiviteteve tregtare dhe i rendin vendet sipas këtij pikëzimi. Sa më e paktë të jetë barra rregullatore mbi bizneset, aq më e lartë është renditja e një vendi.
Problemi qëndron te fakti se “barra rregullatore,” sipas Të Bërit Biznes, përfshin mbledhjen e taksave të cilat janë të nevojshme për të financuar infrastrukturën publike dhe shërbimet shoqërore bazë – që të dyja me rëndësi kritike në fuqizimin e rritjes ekonomike dhe punësimit. Edhe vetë raporti e pranon këtë, pasi në shumicën e ekonomive, taksat janë burimi kryesor i të ardhurave që qeveritë përdorin për të financuar “projekte të kujdesit shëndetësor, arsimit, transportit publik, përfitimeve nga papunësia e të tjera.”
Por përveç faktit që promovon konkurrencën me taksa mes vendeve, konkurrencë që sforcon buxhetet, Të Bërit Biznes ekzagjeron barrën e taksave mbi kompanitë. Sa për fillim, ajo konsideron të gjitha llojet e taksave që firmat duhet të paguajnë – dhe jo vetëm taksën mbi të ardhurat e korporatës.
Në mënyrë specifike, raporti vlerëson “normën totale të taksimit si përqindje mbi fitimet” përfshirë taksat për sigurimet shoqërore e shëndetësore për punonjësit; taksat mbi pronën dhe transferimin e pronës; dividentët, fitimet kapitale, transaksionet financiare; shërbimet publike të tilla si grumbullimi i plehrave dhe infrasktruktura publike. Këto janë taksa që normalisht duhet të kategorizohen si kontribute shoqërore ose tarifa për shërbimet.
Duke i shtuar vlerësimet më tutje, Të Bërit Biznes nuk mat vetëm pagesat e pritshme të taksave. Ajo merr parasysh edhe kostot (në termat e kohës së punës së shpenzuar) për aktivitete të tilla si plotësimi i formularëve të taksave, ngritjes së pretendimeve ndaj autoriteteve tatimore dhe, duke filluar nga ky vit, edhe proceset e kryera pas plotësimit të formularëve. Që të gjitha janë pjesë e barrës së taksave mbi të bërit biznes.
Në realitet, pagesat e taksave mbi korporatat, si përqindje e fitimeve bruto, janë goxha të ulëta. Sipas të dhënave të vetë Të Bërit Biznes, mesatarja botërore është vetëm 16 për qind, ku Bashkimi Europian është në kuotën 13 për qind, Shtetet e Bashkuara 19 për qind, Amerika Latine, Azia dhe Afrika, 16 për qind.
Por edhe këto shifra ka gjasa janë tepër të larta, për shkak të një realiteti tjetër të cilin Të Bërit Biznes nuk e analizon siç duhet: ky realitet është shmangia e taksave dhe evazioni fiskal. Cilado qoftë norma zyrtare e tatimit mbi korporatat të një vendi, realiteti është që shumë pak kompani paguajnë vlerën e plotë të tatimit.
Në të vërtetë, një prodhues i vogël për tregun vendës mund të zbatojë normën zyrtare ndërkohë që kompanitë e mëdha vendëse dhe shumëkombëshe që realizojnë shumicën e prodhimit dhe eksporteve në të gjithë botën janë të mirëpozicionuara për të përfituar nga skemat e shmangies së taksave. Dhe zakonisht këto nuk ngurojnë që t’i shmangin taksat.
OECD vlerëson se shmangia fiskale nga kompanitë shumëkombëshe arrin në 200 milionë dollarë në vit – një shifër që është shumë më e madhe nga ndihma ndërkombëtare për zhvillim. PwC nga ana e saj është në pozicionin e duhur për ta ndriçuar Bankën mbi këtë çështje. Siç zbuloi e famshmja “LuxLeaks” e vitit 2014, kompania ndihmoi klientët e vet ndërkombëtarë në sigurimin e së paku 548 vendimeve fiskale në Luksemburg, duke i mundësuar atyre shmangin tatimin mbi fitimin korporativ në shkallë botërore. Në të gjithë këtë hapësirë, kompanitë e vogla vendore kanë një disavantazh thelbësor në konkurrueshmëri.
Ky mund të tingëllojë si një argument për përmbysjen tërësore të treguesit “pagesa e taksave” të Të Bërit Biznes. Por ajo që është me të vërtetë e nevojshme është që raporti duhet ta heqë këtë tregues në tërësi, për shkak se supozimi kryesor i këtij treguesi është që taksimi i ulët i korporatave promovon rritjen ekonomike. Dhe ky është një argument i pabazë. Kërkimet e kryera nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe të tjerë kanë sugjeruar se konkurrenca me taksa nuk e promovon investimin produktiv në botë.
Duke supozuar të kundërtën, Të Bërit Biznes mbushet me kontradikta. Ajo pranon se “pabarazia më e madhe në të ardhura lidhet me bazën më të vogël të taksave dhe për rrjedhojë, me mbledhje më të paktë të taksave.” Megjithatë ajo advokon dhënien e lehtësive nga taksat për korporatat në mënyrë që, potencialisht përmes promovimit të pabarazisë, ndikimi i këtij faktori në ekonomi të intensifikohet.
Raporti lavdëron vende të tilla si Republika Domenikane, Guatemala, Peruja, Portugalia, Senegali, Taxhikistani dhe Uzbekistani për reduktimin e taksave mbi korporatat, ndërsa kritikon Greqinë për rritjen e tyre – duke injoruar nevojën për të ardhura të qeverive dhe për investime publike në këto vende. Raporti mbështet gjithashtu reduktimin e mbrojtjes së punëtorëve dhe anashkalon pasojat mjedisore – qëndrime që kundërshtojnë vetë angazhimet e Bankës Botërore.
Raporti i këtij viti i Të Bërit Biznes ka bërë ca ndryshime pozitive, duke shtuar indikatorët për gratë në biznes dhe në prokurimet publike. Por, kur vjen puna te indikatori i pagesës së taksave, raporti i ka të gjitha gjërat gabim. Në të vërtetë, ai shkon kundër konsensusit botëror për nevojën e bashkëpunimit efikas ndërkombëtar për të siguruar arkëtim të barabartë të të ardhurave fiskale, përfshirë masave për të kufizuar shmangien e taksave nga kompanitë shumëkombëshe dhe kompanitë e tjera private.
Një garë drejt zeros në taksimin e korporatave thjeshtë sa do të dëmtojë të varfrit në vendet e varfra. Nëse Të Bërit Biznes dëshiron të respektojë sloganin e vet, “mundësi të barabarta për të gjithë”, ajo duhet ta heqë kategorinë e Pagesës së Taksave nga vlerësimi final.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Doing Business Should Stop Promoting Tax Competition