Një lëvizje e re për pavarësi po i tund gjërat në Hong Kong, dhe jo në një mënyrë të mirë. Sapo aktivistët pro-demokraci fillojnë të kërkojnë pavarësi, ata rrezikojnë të përçajnë mbështetësit e tyre – dhe njëkohësisht rrezikojnë të marrin një ndërhyrje me dorë të fortë nga qeveria kineze.
Gati 40 vjet më parë, kur unë vizitova Moskën për herë të parë, reagimi im fillestar qe surprizë. Hotelet dhe restorantet drejtoheshin kaq keq sa dukej tronditëse që ushtria mund të menaxhohej mjaftueshëm me kompetencë sa për të përbërë një kërcënim real për kundërshtarët e Bashkimit Sovjetik. Ne në Perëndim e kishim frikë Ushtrinë e Kuqe – dhe kishim arsye të forta për këtë.
Hong Kongu, qyteti im i parapëlqyer, jep mesazhin e kundërt. Restorantet këtu menaxhohen me saktësi dhe vendi mburret me disa nga hotelet më të mira në botë. Natyrisht çdo qytet që mund të kujdeset për vizitorët në mënyrë të tillë të shkëlqyer nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, ndoshta me përjashtim të çështjes se si është më mirë të përdoren të ardhurat e krijuara nga kompetenca dhe gjenialiteti sipërmarrës. Megjithatë, edhe këtu, gjërat mund të mos jenë ashtu siç duken në pamje të parë.
Suksesi i Hong Kongut reflekton pjesërisht sjelljen e moderuar brenda një kulture, një kompleksitet dhe racionalitet që i mundëson qytetit – një territor autonom kinez – të lulëzojë në një kontekst kompleks. Por, kur unë vizitova Hong Kongun muajin e kaluar – vizita ime e parë që nga demonstratat e fuqishme por të ndërprera për demokraci në vitin 2014 – njerëzit dukeshin shumë më tepër nervozë se sa më parë.
Arsyeja është se një lëvizje njomëzake për pavarësi po i shkund gjërat në Hong Kong. Ajo filloi me thirrje zakonisht të moderuara për më shumë demokraci. Por zëra kërcënues nga Kina, bashkë me dështimin e qeverisë së Hong Kongut për t’u angazhuar në dialog të arsyeshëm me kritikët mbi shqetësimet mbi qeverisjen apo sfidat ekonomike, i ka shtyrë shumë aktivistë të demokracisë drejt esktremizmit. Kjo nuk është një lëvizje e mençur.
Realiteti është që Hong Kongu nuk është një shtet komb fillestar dhe nuk do të bëhet një i tillë. Kina do të kundërshtojë këtë ide deri në fund. Kjo nuk është një betejë që Hong Kongu mund ta fitojë.
Në vend të kësaj, Hong Kongu është një qytet kinez me një ndjenjë të fortë identiteti si shoqëri e lirë, pluraliste dhe e hijshme e sunduar nga ligji. Kjo është ajo çfarë aktivistët pro demokracisë duhet të diskutojnë. Kjo është fusha në të cilën ata mund të arrijnë objektiva pozitivë.
Sapo këta aktivistë të fillojnë të kërkojnë pavarësinë, gjithsesi, ata rrezikojnë të përçajnë mbështetjen që kanë dhe të humbin kredibilitetin moral që kanë fituar në fushatën e tyre të vitit 2014. Kjo luan në duart e Partisë Komuniste të Kinës dhe tingëllon keq në Hong Kong.
Dhe sikur kërkesa e pavarësisë të mos qe mjaftueshëm dëmtuese për kauzën pro-demokracisë, disa aktivistë pro pavarësisë po përdorin taktika të ashpra të cilat kanë të garantuar dështimin. Më këmbëngulësit, dy aktivistë të rinj pro pavarësisë të cilët u zgjodhën te Këshilli Ligjvënës – Yau Ëai-ching dhe Sixtus Leung – zgjodhën të tallen me betimin që bënë kur morën postin shtatorin e kaluar.
Betime të tilla janë të zakonshme për ligjvënësit. Në Mbretërinë e Bashkuar, për shembull, nuk mund të marrësh postin si përfaqësues i zgjedhur pa mbajtur një betim. Por Yau dhe Leung kërkuan të fitojnë publicitet për kauzën e tyre. Kështu ata i ndryshuan fjalët e betimit; shpalosën një banderolë ku shkruhej “Hong Kongu nuk është Kinë”; ata përdorën fjalën Kinë, të cilën shumë e konsiderojnë si sharje.
Yau dhe Leung shkaktuan menjëherë zemërimin e qeverisë qendrore të Kinës. Megjithëse gjykatat e Hong Kongut mund të qenë marrë siç duhet me këtë çështje – nën kuadrin “një vend, dy sisteme”, Hong Kongu disponon një sistem të pavarur gjyqësor, përveç të drejtës për të zgjedhur parlamentin e vet – Kina e zemëruar ndërhyri. Vetëpërmbajtja, në fund të fundit nuk është një virtyt leninist.
Në një lëvizje të jashtëzakonshme, Kongresi Kombëtar i Popullit Kinez përmes Komitetit të Përgjithshëm ndërhyri për të “qartësuar” nenin 104 të Ligjit Bazë, duke deklaruar se të gjitha betimet nga zyrtarët e zgjedhur duhet të jenë “solemne, të sakta, të plota dhe të sinqerta.” Yau dhe Leung u ndaluan të merrnin postet e tyre në Këshillin Ligjvënës.
Për shumicën e juristëve të Hong Hongut, kjo shpalosje e autoritetit politik nuk përbën thjeshtë një riinterpretim të rregullave të vjetra, por një lëvizje drejt vendosjes së rregullave të reja. Dhe, në fakt, qeveria e Hong Kongut ka nisur një sfidë ligjore kundër katër ligjvënësve të tjerë – që të gjithë aktivistë relativisht të moderuar pro demokracisë – duke argumentuar se betimet e tyre për marrjen e postit qenë gjithashtu të pavlefshme. Shkurt, demokracia e Hong Kongut mund të jetë më e kufizuar sot nga sa qe më parë.
Është dëshpëruese të shohësh se si Hong Kongu po bëhet edhe një herë një vend pa udhëheqësi gjithëpërfshirëse dhe e acaruar nga politikanë që kërkojnë të tërheqin vëmendjen nga vetja. Nëse kjo situatë vijon, lëvizjet e Kinës për të vendosur më shumë kontroll mbi Hong Kongun mund të bëhen edhe më të forta. Kjo është arsyeja se pse është e rëndësishme për popullin e Hong Kongut të sigurohet që vizioni i tyre mbi të ardhmen të mos turbullohet nga ekstremizmi dhe të ngrihet për të mbrojtur vlerat që përbëjnë identitetin e tyre unik.
Për fat të mirë, ka shumë njerëz në Hong Kong që po veprojnë në drejtimin e duhur. Profesioni i juristëve, në veçanti, vijon të tregojë udhëheqësi me kurajë në ruajtjen e sundimit të ligjit, një fushë që ka qenë objektiv i kritikave të vazhdueshme nga zyrtarët e Partisë Komuniste të cilët, ose nuk e kuptojnë se çfarë do të thotë sundim ligji ose e kuptojnë atë tepër mirë.
Në mënyrë të ngjashme, organizatat e shoqërisë civile të tilla si Fondacioni Projekti Qytetarët janë angazhuar për edukimin e publikut mbi të drejtat dhe rregullat e Hong Kongut. Pjesërisht falë përpjekjeve të tyre, publiku ka tendencën të jetë i ditur dhe i vëmendshëm në ruajtjen e lirive të Hong Kongut, duke reaguar ndaj ngjarjeve të tilla si rrëmbimi i kohëve të fundit i pesë botuesve të librave nga agjentë të Kinës.
Këto janë kohë të vështira për Hong Kongun. Por problemi nuk është kaq i komplikuar sa të mos zgjidhet dot përmes përpjekjeve serioze për të farkëtuar konsensus mes qeverisë dhe atyre që qeveria supozohet se i shërben. Me vullnet të mjaftueshëm politik – dhe me kokë të ftohta – Kong Kongu mund të rikthehet në rrugën që sjell një demokraci më të lirë dhe më të hapur.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Hong Kong’s Independence Trap