Gratë shqiptare përballen ende me pabarazi, hendek në paga, dhunë gjinore, diskriminim dhe stereotipe në tregun e punës – zbuloi një analizë e thelluar e PNUD dhe UN Women për Shqipërinë, që shtoi se partitë politike vazhdonin të promovonin gratë kryesisht vetëm në fushata zgjedhore.
Një publikim i fundit nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (PNUD) në Shqipëri dhe UN Women, i cili analizon barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave, vlerësoi përparimet e deritanishme në vend, por theksoi se më shumë duhet bërë për përmirësimin e jetës së grave dhe vajzave në Shqipëri.
Dosja Gjinore, përqendrohet në shtatë sektorë kyç ku ende vazhdojnë pabarazitë gjinore dhe diskriminimi gjinor dhe hedh dritë mbi format e veçanta të diskriminimit të shumëfishtë me të cilin përballen grupet e pafavorizuara dhe të margjinalizuara të grave dhe vajzave.
“Qeveria e Shqipërisë ka bërë përparime të rëndësishme në krijimin e kornizave përkatëse institucionale dhe të politikave për arritjen e barazisë gjinore dhe fuqizimin e grave, në përputhje me standardet dhe detyrimet ndërkombëtare, rajonale dhe kombëtare për barazinë gjinore”, shkruhet në dokument.
Dosja vlerëson krijimin e mekanizmave institucionalë në fushën e barazisë gjinore, por vëren se këto institucione vazhdon të mos kenë burime të mjaftueshme njerëzore dhe financiare.
Ajo thekson gjithashtu se mbledhja e të dhënave të ndara sipas seksit në Shqipëri shumë e rëndësishme për zhvillim politikash, buxhetim dhe monitorim të përparësive kombëtare të zhvillimit, është larg së qenët e kënaqshme, megjithëse vitet e fundit janë bërë hapa përpara.
Dhuna
Duke analizuar dhunën ndaj grave dhe vajzave, Dosja Gjinore e nënvijëzon atë si formën mbizotëruese të dhunës dhe thotë se ajo pengon zhvillimin gjithëpërfshirës të shoqërisë.
“Dhuna ndaj grave dhe vajzave nuk është dukuri e re në Shqipëri. Ajo i ka rrënjët thellë në traditat dhe zakonet patriarkale që i kanë dhënë formë shoqërisë shqiptare që prej shumë kohësh, si rolet dhe identitetet e ngurta gjinore, autoriteti patriarkal, respekti për kodin e nderit dhe të turpit, mbajtja nën kontroll e disa brezave në familje, varfëria, pabarazia në fushat e punësimit dhe arsimit, dhe migrimi me bazë gjinore”, thotë raporti i PNUD.
Analiza vlerëson rritjen e besimit te organet shtetërore përgjegjëse, ndërgjegjësimin ndaj dhunës në familje si vepër penale, ndryshimet në legjislacion dhe nxit analizimin e të dhënave në mënyrë periodike dhe të kujdesshme.
Dosja citon një kombimin të të dhënave të INSTAT, Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Mirëqenies Sociale sipas të cilave në vitin 2015, 392.071 gra nga mosha 18-55 vjeç raportuan se kishin qenë viktima të dhunës në vitin e fundit. Të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit Shqiptar për vitin 2015 tregojnë se vetëm 1% e dhunës kundër grave u raportua në polici dhe procedimet penale nisën vetëm ndaj 1719 rasteve.
Dosja Gjinore thotë se ka pasur përmirësime në mbrojtjen e viktimave dhe të mbijetuarave të dhunës, përmes nxjerrjes së dhunës martesore si vepër penale më vete, penalizmit të ngacmimit seksual etj, por analizon se mbetet sfidë ofrimi i shërbimeve ndaj grave shqiptare viktima të dhunës dhe thotë se duhet forcuar riintegrimi i tyre në shoqëri dhe fuqizimi monetar. Dosja përmend gjithashtu shpërndarjen e Mekanizmit të Referimit të rasteve të grave të dhunuara, i cili deri më tani është i përhapur në 29 nga 61 bashki të vendit.
Puna
“Sot gratë në Shqipëri përballen me vështirësi dhe pengesa të shumta në aksesin në tregun e punës dhe vazhdojnë të mbajnë barrën e shumëfishtë të roleve tradicionale gjinore” thotë raporti.
“Përfshirja dhe fuqizimi ekonomik i grave mbetet problematik. Pjesëmarrja e grave në forcën e punës është e ulët dhe një përqindje e lartë e grave dekurajohen të hyjnë në tregun e punës. Përveç kësaj, puna e përkujdesit të papaguar është fushë ekskluzive e grave, çka pengon pjesëmarrjen e tyre në punë prodhuese dhe të paguar” shton ai.
“22 për qind e grave joaktive në punë merren me punë shtëpie, ndërsa kjo ndodh në vetëm 0.2 për qind të rasteve të burrave joaktiv në punë, përmendet në raport. Thuhet gjithashtu se të rinjtë e moshës 15-29 vjeç kanë gati dy herë më shumë gjasa (53 për qind) të jenë në kërkim të punës, sesa të rejat (21 për qind), të cilat mendohet se tërhiqen për t’u kujdesur për familjen.
Gratë mbizotërojnë në sektorët e prodhimit të industrisë së lehtë dhe shërbimet jashtë tregut, një tendencë që ka ardhur duke u rritur kohët e fundit. Gratë janë të përqendruara në sektorë si shëndetësia dhe arsimi dhe në një farë mase përfaqësohen edhe në shërbime, shitje me pakicë dhe tregti. Ato kanë gjithashtu më pak gjasa të jenë në pozicione të larta drejtuese, vetëm 14,6 për qind. Hendeku gjinor i pagave është po ashtu jo i plotë në Shqipëri.
Gratë në politikë
Përfaqësimi i grave në parlament u rrit nga 16,7 për qind në vitin 2013 në 23 për qind në vitin 2015, shifër që përbën përqindjen më të madhe që nga viti 1997.
“Pavarësisht nga arritjet e konsiderueshme, praktika e vendosjes së grave në fund të listës së kandidatëve, për shembull, ende vazhdon. Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013 partitë kryesore politike u gjobitën nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për mosrespektim të kuotave gjinore. Një tjetër dukuri që u vu re ishte tërheqja e kandidateve gra nga lista e kandidatëve për t’ua lënë vendet bosh burrave, të cilët u bënë pastaj deputetë,” thuhet në analizë.
Dosja vlerëson emërimin e tetë ministreve në kabinetin me 19 ministra në vitin 2016, si dhe zgjedhjen e gjashtë kryebashkiake gra, një përmirësim nga vitet e mëparshme.
Sa për këshillat bashkiakë, gratë hasin me pengesa të shumta në pjesëmarrjen aktive të procesit të vendimmarrjes dhe analiza citon se një nga arsyet është se partitë i zgjedhin gratë kryesisht për të mbushur kuotat dhe jo domosdoshmërisht me synimin për të gjeneruar dhe mbështetur një udhëheqje të fuqishme femërore.
Një raport i kohëve të fundit nga UN Women identifikoi një shpërfillje të përgjithshme të grave dhe vajzave nga partitë politike, gratë rrallë ftoheshin në mbledhjet e rregullta të partisë, përveç se për qëllime të fushatave zgjedhore. Në jetën e partive, fushatat zgjedhore konsiderohen të vetmit momente kur gratë janë të pranishme dhe të dukshme në publik.
Qasja në drejtësi
“Në Shqipëri, barazia gjinore është larg së qeni realitet për gratë. Pabarazitë që vazhdojnë të ekzistojnë midis grave dhe burrave, anshmëria gjinore dhe stereotipat, çojnë në mundësi të pabarabarta të grave dhe burrave për akses në drejtësi” shkruan raporti.
“Gratë përballen me pengesa të konsiderueshme në sigurimin e aksesit në drejtësi në fushat e mëposhtme: pronësia mbi tokën, legalizimi/regjistrimi i pronës, trashëgimia, ndarja e pronës pas shkurorëzimit, si dhe detyrimi për ushqim e mbajtje” shton ai.
Dosja Gjinore nxit rrënjosjen e parimit të barazisë në reformën e tanishme të sektorit të drejtësisë në Shqipëri në fuqizimin e kapaciteteve institucionale për mbrojtjen e të drejtave të grave, aksesueshmërinë dhe monitorimin.
Në të thuhet se çështjet ligjore që lidhen me pakicat, për shembull LGBTI, gratë dhe burrat romë, gratë dhe burrat me aftësi të kufizuara, që mund të zvarriten për shkak të diskriminimit dhe paragjykimeve ndaj tyre.
Shëndetësia, riprodhimi dhe të drejtat seksuale
Botimi citoi se gratë e pafavorizuara, të margjinalizuara dhe rurale vazhdojnë të kenë qasje të kufizuar në shërbime shëndetësore, përfshirë edhe në ato të kujdesit shëndetësor seksual dhe riprodhues, si dhe shprehu shqetësimin për rritjen e numrit të rasteve të transmetimit të HIV/ SIDA-s nga nëna tek fëmija.
Analiza përmend shqetësimin e martesave të parakohshme në zonat rurale dhe të vajzave që i përkasin komunitetit rom në Shqipëri. Në vitin 2011, 31 për qind e vajzave rome të moshës 13 deri 17 vjeç ishin të martuara ose në marrëdhënie bashkëjetese. PNUD i sugjeroi qeverisë shqiptare përcaktimin e një moshe absolute të martesës, pasi legjislacioni aktual lejon raste përjashtimore të një rëndësie të veçantë.
Raporti nxiti për një analizë më të detajuar ndaj lidhjes së pabarazisë gjinore, energjisë, mjedisit dhe ndryshimeve klimatike, sipas të cilit është një fushë që ka mbetur relativisht e paeksploruar.