Gjatë viteve të fundit, përplasja mes pallateve të betonit dhe arkeologjisë është “zgjidhur” në disa raste duke lënë rrënojat e lashtësisë në bodrumet e pallateve. A do të ketë të njëjtin fat edhe zbulimi arkeologjik poshtë “Velierës”?
Gjatë dy dekadave të fundit, në Durrës, më shumë zbulime arkeologjike janë kryer gjatë gërmimeve për themele pallatesh se sa nga gërmimet e mirëfillta arkeologjike. Disa prej zbulimeve kanë arritur të shpëtohen, duke u lënë relativisht të paprekura nën themelet e pallateve shumëkatëshe të ngritura prej tyre. Megjithatë, shumë ekspertë kanë frikë se kjo praktikë mund të legjitimojë vijimin e ndërtimit të pallateve në dëm të trashëgimisë historike dhe arkeologjike të Durrësit.
Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare (DRKK) ka rivitalizuar kohët e fundit mjediset e bodrumit të një pallati në rrugën “Aleksandër Goga”, shumë pranë qendrës së qytetit antik. Institucionet e specializuara i kanë dhënë atij emërtesën “Monument i kategorisë së parë”, por kushtet për vizitorët mbeten ende larg kërkesave.
Një tjetër marrëveshje që është arritur me ndërtuesin nga Ministria e Kulturës do të mundësojë edhe hapjen e eksponateve me objekte të zbuluara gjatë kohës së ngritjes së këtij pallati në lagjen 11 të Durrësit. Vizitorët vendas dhe të huaj mund të njihen kështu me pjesë të tjera që dokumentojnë jetën e qytetit në periudha të hershme.
Por bashkë me këndet muzeale që krijojnë, a përbën ky një rrezik për ligjërimin e pallateve me muze nëntokësor në të ardhmen? A do të ketë të njëjtin fat edhe zbulimi në sheshin pranë portit, ku po realizohet pjesa e fundit e projektit “Veliera”? A do të mbulohet sheshi me pllakat e bardha, njëlloj si qendra e qytetit, apo sipërfaqja e zbuluar do të lihet në dorë të restauratorëve arkeologë, për ta kthyer në atraksion turistik hapësirën që ndodhet 50 metra larg hyrjes portuale dhe ngjitur me Torrën mesjetare?
A mund ti hapet kështu, rruga një strategjie të re, që i sheh rrënojat e hershme, si bashkëudhëtare turistike për përmirsimin e jetës së qytetarëve? Specialistët dhe qytetarët, si dhe Forumet që u vunë në mbrojtje të arkeologjisë së Durrësit mendojnë se vendimi i fundit i Gykatës së Apelit, që rikonfirmon mbrojtjen e zonës së gërmuar deri tani nga specialistët, por edhe situata paraelektorale do të ndikojnë pozitivisht në ruajtjen dhe restaurimin e elementëve të zbuluar deri tani.
Nga ana tjetër, Bashkia e Durrësit dhe Ministria e Kulturës nuk mund ta shmangin gjetjen e një zgjidhjeje, e cila do të ndryshonte edhe qëndrimin e pushtetit vendor dhe atij qendror ndaj historisë së shkuar të qytetit të lashtë në antikitet dhe në mesjetë. Pa e njohur situatën e nëntokës arkeologjike, investitori ka betonuar pesë muaj më parë, një nga katër këmbët e Velës, pikërisht në murin fortifikues që doli në dritë gjatë punimeve të arkeologëve.
Këta të fundit sapo kanë përfunduar edhe fazën e dytë të sondazheve në pjesën veriore të sipërfaqes mes Torrës mesjetare dhe kompleksit “Fly”. Materiali dokumentar përfundimtar që po shqyrtohet nga Instituti i Arkeologjisë do të shërbejë si guidë për vendimin që do të marrë më pas Këshilli Kombëtar i Restaurimeve dhe Ministria e Kulturës. Ndryshimi i vendit ku do të instalohet përfundimisht këmba e katërt e velierës do ti jepte frymëmarrje zbulimeve të mëtejshme, duke shënuar rastin e parë zyrtar që shpëton një sit arkeologjik që nga viti 1991, pikërisht në qendër të qytetit bregdetar. Elementët e zbuluara në fazën e dytë të gërmimeve duket se konfirmojnë fakte historike pak të njohura deri tani. Ky përbën një shans për krijuar një qëndrim të ri ndaj monumenteve, pas një çerek shekulli mjaft problematik.
Që prej 25 vjetësh në Durrës nuk ka shpëtuar i plotë asnjë monument i gjetur gjatë gërmimeve të shumta, kryesisht për ndërtimin e godinave shumëkatëshe të banimit. Këto të fundit kanë prekur edhe zonën A të rrezikut arkeologjik, që përfshin sipërfaqen e Durrësit të vjetër, siç njihet territori nga porti detar deri te Pallati i Sportit.
Kulla fortifikuese mesjetare, pjesë nga muret apo sistemi i kanalizimeve bizantine janë groposur pa mëshirë, vetëm për ti hapur rrugë pallateve shumëkatëshe që janë ngritur edhe në lagjet 3, 4, 11 dhe 6, që përbëjnë atë pjesë të Durrachiumit antik, i cili vazhdon të mbijetojë prej të paktën 2700 vjetësh. Nga betoni nuk kanë shpëtuar as mozaikët mijëravjeçarë, të cilat në rastin më të mirë janë ruajtur në bodrumet e pallateve, si rasti i “mozaikut me rozetë” që mbulohet vazhdimisht me mbeturinat që hedhin nga lart familjarët.
Përpjekja e lavdërueshme e DRKK së Durrësit, pasi i ndryshoi gjendjen e mjerueshme themeleve të pallatit në rrugën “Aleksandër Goga” organizoi edhe një koncert poetik pranë mozaikut me kryqin e Meandrit. Rrënojat e zbuluara në vitin 2005 nuk i shpëtuan batërdisë së ndërtuesve, por së paku mund të shihen pjesërisht nga vizitorët. Një tjetër mozaik me figurën e Orfeut, ende i pazbuluar plotësisht, mund të shihet vetëm në bodrumin e një banese private në lagjen 9.
Arkeologët dëshmojnë se dëmtimet e objekteve qindravjeçarë në Durrës kanë nisur thuajse para një shekulli. Plani urbanistik që nisi të zbatohej pas tërmetit të vitit 1926 solli shtrimin e tubacionit të kanalizimeve, duke rrënuar pjesë nga fortifikimi bizantin, që ndërpret bulevardin “Epidamn”, nga Bashkia drejt portit.
Dëmtime janë regjistruar edhe në 45 vitet e diktaturës, ku më i rëndi i përket kishëzës bizantine, që u sakrifikua për të ngritur ish-Komitetit e Partisë (sot godina e Prefekturës dhe Këshillit të Qarkut) në sheshin “Liria”.
Sidoqoftë, periudha në fjalë ka mundësuar edhe ndërhyrjet për konservimin e monumenteve të klasit të parë, ku dallon Amfiteatri antik, për zbulimin e të cilit 50 vjet më parë u transferuan 50 familje dhe u prishën 33 banesa, që ndodheshin mbi kodrinën nën këmbët e së cilës flinte monumenti më i madh i antikitetit në vendin tonë.
Në të njejtën kohë,në vitin 1964 u ndërprenë përkohësisht punimet për ndërtimin e Pallatit të Kulturës “Aleksandër Moisiu” në qendër të qytetit. Zbulimi i Termave të periudhës romake i detyroi projektuesit dhe investitorët, që të dëgjonin këshillat e arkeologëve dhe të modifikonin pjesën fundore të godinës. Mjedisi muzeal, që i përket shek. II pes vazhdon të jetë i vizitueshëm, duke tërhequr interesimin e dhjetra turistëve në qytetin antik.
Katrahura që ndodhi me objektet arkeologjike që u zbuluan pas viteve 1990 ishte e pashembullt. Projekti shumëmilionësh “Veliera” dhe zbulimi pranë tij mund të qëndrojnë së bashku në harmoni me godinat që ndodhen pranë.
Zbatimi i ligjshmërisë dhe ruajtja e sipërfaqes arkeologjike pranë Torrës antike do ti jepte Durrësit një shans tjetër, ndoshta të fundit, për vendosjen e një ekuilibri të veçantë mes mesjetares dhe modernes, në qytetin që po mbyll mijëvjeçarin e tretë të jetës qytetare.