Karl Marksi e përkufizoi klasën punëtore si ajo pjesë e shoqërisë që shet punën e vet për pagë dhe që nuk ka nën pronësi mjete prodhuese. Teorikisht, dhe situata normale në shumicën e vendeve kapitaliste, ky segment i popullsisë përbën shumicën dhe rrjedhimisht nga kjo lindin kërkesat për më shumë të drejta për punëtorët, organizimet sindikale e të ashtuquajturat, revolucione proletare.
Zyrtarisht Shqipëria ka rreth 25 vjet që funksionon teorikisht në kushtet e tregut të lirë kapitalist, gjë që nënkupton ekzistencën e një klase punëtore. Megjithatë, kjo klasë punëtore nuk shfaqet asgjëkundi si e tillë, as në organizata punëtorësh e sindikata, as në protesta. Çfarë nuk shkon?
Një problem me urbanizimin
Demografia mund të na ndihmojë për të kuptuar një pjesë të problemit. Kur e ashtuquajtura Klasë Punëtore u shfaq në Anglinë e shekullit të 18, një proces historik i quajtur “periudha e gardhimit” (enclosure) qe zhvilluar në fshatin anglez duke ndryshuar njëkohësisht demografinë e fshatit dhe atë të qytetit, duke i dhënë rrugë zhvillimit të manifakturës dhe industrisë e për rrjedhojë, përqendrimit të punëtorëve në punishte e fabrika, të vogla apo të mëdha. Para epokës së sistemit të gardhimit, në sistemin feudal, popullsia jetonte në shumicën dërrmuese në fshat, punonte tokën bashkarisht dhe zakonisht kishte një feudal për udhëheqës dhe që kryente rolin e shtetit. Procesi i gardhimit e mori emrin e tillë për shkak se një pjesë e fshatarëve dhe mbi të gjitha, feudalët, filluan të ndajnë tokat e përbashkëta në parcela personale, duke rritur eficencën në punë dhe duke nxjerrë të tepërt pjesën dërrmuese të fshatarëve. Në Skoci, modeli qe zëvendësimi i fshatarëve me dele dhe përzënia e tyre nga tokat dhe shtëpitë ku kishin jetuar. Utopia e Thomas More shpjegon pasojat e procesit të gardhimit në jetën angleze të asaj kohe.
Nga viti 1800, procesi i gardhimit pati bërë që mbi 50 për qind e popullsisë angleze të jetonte në qytet dhe kuptohet se pjesa më e madhe e saj qe punëtore.
Shkurt, kur lindi klasa punëtore si forcë politike në shoqëri, pjesa më e madhe e popullsisë jetonte në qytet dhe ishte e përbërë nga punëtorë. Kjo është larg të qenit Shqipëria e sotme. Këtu te ne, zyrtarisht ende mbi 45 për qind e popullsisë jeton në fshat dhe gjithashtu zyrtarisht, mbi 450 mijë vetë nxjerrin jetesën duke punuar tokën apo duke u kujdesur për blegtorinë.
Zyrtarisht në Shqipëri ka rreth 1.1 milionë të punësuar, ku 450 mijë vetë punojnë në fshat dhe më pak se 600 mijë punojnë në qytet. Nga këta që punojnë në qytet, 165 mijë i përkasin sektorit publik, do të thotë se punojnë për qeverinë qendrore, për pushtetin vendor apo për kompanitë nën pronësi publike si KESH, OSHEE apo ujësjellësit. Pjesa e mbetur prej 423 mijë vetëve që punojnë në të ashtuquajturin “sektor privat jobujqësor” nuk janë gjithashtu në tërësi “punëtorë” sipas përkufizimit të Marksit. Mbi 100 mijë prej tyre janë të vetëpunësuar. Kjo do të thotë se janë pronarë të biznesit ku punojnë dhe shumica e tyre nuk kanë asnjë të punësuar. Pjesa e mbetur prej rreth 320 mijë vetë janë ata që në thelb mund të quhen klasë punëtore. Duke qenë se këta përbëjnë më pak se një të tretën e të gjithë të “punësuarve”, ata vështirë se mund të quhen proletariat, sepse nuk e përbëjnë shumicën e të punësuarve.
Problemi me fuqinë negociuese
Kryeministri Edi Rama habiti disi nja dy vjet të shkuara kur deklaroi në një intervistë në Itali se sipas tij, për fat të mirë, në Shqipëri nuk ka sindikata dhe kjo e bën vendin të mirë për të bërë biznes.
Mungesa e sindikatave u vërejt edhe në raportin e parë të bërë nga agjencia ndërkombëtare e vlerësimit Moody’s, e cila rreth vitit 2010 bëri për llogari të Ministrisë së Financave, vlerësimin e parë të cilësisë së borxhit publik shqiptar. Autori i analizës vërente se në Shqipëri popullsia është individualiste dhe se kjo bënte që të ketë shumë pak ose aspak presion mbi punëdhënësit.
Për liberalët, ky në pamje të parë është vendi ideal për të bërë biznes. Punëtori nuk humbet kohë duke kërkuar përmes organizimit sindikal një pagë më të lartë nga sa ofron tregu, por shkon të gjejë më të mirën për veten në marrëdhënie të drejtpërdrejtë me punëdhënësin.
Fatkeqësisht, si kryeministri Rama ashtu edhe analisti i panjohur i raportit të Moody’s nuk kanë arritur ta kuptojnë problemin.
Organizimi sindikal duket se është rrjedhojë e aftësisë negociuese të shumicës punëtore përballë pakicës punëdhënëse. Milton Friedman, nobelisti i ekonomisë dhe babai i liberalizmit të kohës sonë, qe paksa ironik por edhe thellësisht shpjegues kur argumentoi se superioriteti i rendit kapitalist të sipërmarrjes së lirë dhe tregut të lirë qëndron ekzaktësisht te fakti se individë të caktuar kanë të drejtën dhe mjetet për të propaganduar rrëzimin e sistemit kapitalist por kanë gjithashtu mundësi që të punësohen pikërisht te “kapitalistët e poshtër” si dhe të gjejnë mes këtyre “pasunarëve të fëlliqur” simpatizantë të gatshëm për të financuar propagandën e tyre. Mungesa e individëve të tillë të pasur si financues të lëvizjeve subversive antikapitaliste në rastin e Shqipërisë është një tregues më vete, por nejse! Rikthehemi te aftësia negociuese!
Kjo aftësi negociuese krijohet kur rendi kapitalist ka filluar të punojë pak a shumë ashtu siç duhet: me një set rregullash të mirëpërcaktuar dhe me shtetin si arbitër të zbatimit të rregullave dhe të imponimit të zbatimit të kontratave mes individëve, qofshin këto edhe kontrata pune.
Po pse në Shqipëri klasa punëtore nuk ka fuqi negociuese?
Pjesërisht kjo duket se lidhet me statistikat e punësimit. Të 450 mijë shqiptarët e “vetëpunësuar” në bujqësi nuk janë tamam të vetëpunësuar, në kuptimin që nuk janë në gjendje me ngastrat e tyre të vogla të nxjerrin një jetesë të kënaqshme. Shumica e tyre ka gjasa janë të gatshëm të vrapojnë për t’u punësuar në sektorin jobujqësor sapo t’u jepet rasti. Ato 320 mijë vende pune në sektorin urban, të zëna nga njerëz të punësuar me punëdhënës, janë gjatë të gjithë kohës nën konkurrencën e vazhdueshme të atyre 450 mijë vetëve që shteti ynë i drejtuar nga parti nominalisht të majta, i klasifikon si të punësuar në bujqësi. Ndonëse në statistikat zyrtare këta konsiderohen si “të vetëpunësuar”, në terma ekonomikë këta konsiderohen si “të nën-punësuar”, në kuptimin që nëse u jepet mundësia të punojnë gjetkë, e braktisin menjëherë parmendën. Të tillë janë në një masë më të vogël edhe ata 100 mijë shqiptarë që nxjerrin një jetesë modeste përmes vetëpunësimit në sektorin urban. Për një pjesë të atyre që kanë një dyqan të vogël, oferta për një punësim me rrogë prej 40 mijë apo 50 mijë lekësh në muaj është një zëvendësues i vlefshëm për të ardhurat e tyre nga vetëpunësimi. Përveç këtyre, në Shqipëri ka edhe gati 700 mijë njerëz të tjerë që në statistikat zyrtare klasifikohen si të papunë në kërkim pune dhe të papunë të dëshpëruar që kanë hequr dorë nga kërkimi i punës. Dhe për sa kohë punëdhënësit e kanë mundësinë të zëvendësojnë me lehtësi çdo punëtor të tyre me një punëtor të sapoardhur nga numri i madh i të papunëve apo nga numri i popullsisë rurale. Për rrjedhojë, klasa punëtore në Shqipërinë e sotme nuk është një maxhorancë, siç i imagjinonte Marksi, por një minorancë demografike e shtypur nga maxhoranca e të papunëve, ose e të nën-punësuarve. Rrjedhimisht, klasa punëtore nuk ka fuqi negociuese përballë punëdhënësve dhe nuk mund të organizohet pasi vetëm organizimi do të mjaftojë që punëdhënësi t’i zëvendësojë me një nga shumë të papunët e tjerë.
Ka një episod në historinë e Italisë që e shpjegon mirë këtë punë. Në vitet 1950, në Torino, punëtorët e gjigandit të makinave Fiat u ngritën në protestë. Italia e veriut ka qenë një vend i zhvilluar dhe i urbanizuar në atë kohë dhe pronarët e Fiat nuk kishin mundësi të gjenin lehtë zëvendësues për punëtorët në grevë. Por rreth 1 mijë kilometra më larg, në Italinë e jugut dhe në Sicili, situata qe ndryshe. Atje kishte fshatarë me bollëk dhe zona qe ende në shumicë rurale. Pronari i Fiat dërgoi lajm në Italinë e jugut duke kërkuar punëtorë për të zëvendësuar grevistët. Me të ardhur punëtorët nga jugu i Italisë për në Torino, greva e punëtorëve të mëparshëm u zgërlaq. Në vitet 1970, një grevë tjetër e punëtorëve të Fiat përfundoi me detyrimin e punëdhënësit për të arritur një marrëveshje me protestuesit. Kjo ndodhi sepse ndërkohë edhe Italia e jugut qe bërë një vend urban ku nuk kishte më punëtorë të lirë si në vitet 1950.
Me pak fjalë, argumenti i analizës së Moody’s për shqiptarët si popull me shpirt individualist e për rrjedhojë, të paaftë për t’u organizuar në grupe sindikale, nuk vlen. Më e vërtetë duket se është fakti që Shqipëria është një vend i prapambetur, ku një pjesë thelbësore e popullsisë është e papunë ose e nënpunësuar e për rrjedhojë, ajo minorancë e punësuar nuk ka fuqi që të organizohet.
Dhe për sa kohë Shqipëria do të vijojë të mbetet një vend i prapambetur, i ngjashëm me Europën e shekullit të 18, këtu nuk mund të pritet që të ketë sindikata, as klasë punëtore protestuese për në 1 maj.
Por ka edhe disa elementë të tjerë që shpjegojnë mungesën e sindikatave dhe protestuesve: mungesa e sundimit të ligjit, inekzistenca e shtetit si përcaktues dhe zbatues i rregullave të lojës në tregun e punës si dhe prania në shkallë të gjerë e monopoleve, oligopoleve e monopsoneve në ekonominë shqiptare, të cilat e bëjnë të pamundur funksionimin e tregut të lirë në segmente të konsiderueshme të ekonomisë, e për rrjedhojë, e bën të pamundur ekzistencën e sindikatave.
Mungesa e shtetit ligjor vërehet para së gjithash te fakti që, ndonëse sektori publik ka mbi 165 mijë të punësuar, aty nuk ka asnjë sindikatë të mirëqenë dhe se hera e fundit kur punëtorët e sektorit publik kanë kërkuar ndonjë gjë nga punëdhënësi i tyre shtet, apo kanë kërcënuar me grevë apo kanë bërë grevë, nuk mbahet mend se kur ka ndodhur. Mësuesit, p.sh, nuk mund të ngrihen në grevë sepse punësimi i tyre nuk duket t’i nënshtrohet ndonjë lloj rregulli të paracaktuar. Sekretari i partisë i zonës përkatëse ka fuqi të pushojë një mësues nga puna, ta “transferojë” atë në një zonë më të largët, pa i hyrë asnjë gjemb në këmbë, duke shkelur aq ligje sa t’i dojë qejfi të shkelë. Kontrata e punës, zbatimi i kontratës së punës apo roli i shtetit si imponues i zbatimit të kontratave këtu janë shaka pa kripë. Dhe kur vjen puna për zbatimin e kontratave të punës në sektorin privat, shteti bëhet akoma më shumë inekzistent. Dhe kur vjen puna te ajo pjesë e shoqërisë që është e punësuar te segmentet e ekonomisë të kontrolluara nga monopolet apo oligopolet, është e qartë që punëtori nuk ka as mundësi të ndryshojë vend pune as të organizohet për të kërkuar më shumë të drejta.
Kjo situatë nuk është tregues i shpirtit individualist të shqiptarit dhe as i forcave të tregut të lirë që funksionojnë në perfeksion. Kjo është tregues i prapambetjes së dyfishtë të ekonomisë dhe të shtetit, e tillë që nuk lë dot të kënaqur as komunistin dhe as liberalin.