Në raportin e dytë mbi sistemin arsimor në Bosnjë, ku fëmijët mësohen sipas përkatësisë së tyre etnike, ekspertët shprehen se shkollimi i ndarë është një mënyrë për t’i mbajtur njerëzit të ndarë.
Tre kurrikula të ndryshme mësimore – kroate, serbe dhe boshnjake, po mësohen paralelisht në shkollat në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Nuk ka tekste të përbashkëta shkollore, kështu që fëmijët mësojnë tre variante të ndryshme të së vërtetës rreth luftës së viteve 1990 në orët e tyre të historisë, si dhe tre variante të ndryshme letërsie. Edhe termat gjeografik ndryshojnë sipas përkatësisë etnike të nxënësve që mësohen.
Ekspertë dhe historianë pohojnë se tekstet shkollore janë diskriminuese në qellim dhe se ata shërbejnë me qëllim stereotipimi të grupeve të tjera etnike për të vazhduar ndasitë e viteve të luftës.
Një çerek shekulli që nga fillimi i luftës, shumica e fëmijëve nuk i dinë faktet e vërtetuara për atë që ka ndodhur – dhe ekspertët arsimor janë skeptikë për mundësinë e krijimit të një sistemi arsimor të unifikuar për shkak të mungesës së vullnetit politik midis udhëheqësve të vendit.
Nxënësit në Gjimnazin Obala në Sarajevë thonë se ata nuk mbajnë mend të jenë mësuar për luftën e kaluar dhe se ata dinë vetëm se shteti i Bosnjës dhe Hercegovinës “u krijua pas rënies së Jugosllavisë” dhe se “lufta filloi për shkak të keqkuptimeve”, iu tha BIRN.
Nxënësi Amer Durmiç tha se ai mësoi ca nga historia vetëm nga historitë e prindërve të tyre mbi mënyrën se si ata arritën të mbijetonin gjatë luftës.
“Mbaj mend që kam dëgjuar për tmerret në kampet e burgimit. Nuk do të mund të jetoja ashtu,” tha ai.
Shoqja e tij Dzenita Dzaka tha se asaj do t’i pëlqente të merrte mësime mbi luftën.
“Do të doja të dija pse ndodhën të gjitha ato gjëra, pse u vranë njerëz të pafajshëm,” shpjegoi ajo.
Megjithatë, mësimet mbi faktet për luftën që janë përcaktuar nga vendimet gjyqësore – gjenocidi i Srebrenicës dhe rrethimi i Sarajevës – janë përfshirë në Ligjin e propozuar në Arsimin Fillor dhe atë të Mesëm në Kantonin e Sarajevës.
Kryeministri i kantonit të Sarajevës Elmedin Konakoviç tha se fëmijët do të mësohen në bazë të fakteve të përcaktuara në vendimet e dhëna nga gjykatat ndërkombëtare dhe ato vendore.
“Ata do të mësojnë se gjenocidi ndodhi në Srebrenicë. Ata do të mësojnë emrat e njerëzve që mbikëqyrën gjenocidin dhe emrat e atyre që janë dënuar,” tha Konakoviç.
“Në të njëjtën kohë do të mësojnë emrat e heronjve tanë, heronjtë e Kantonit të Sarajevës dhe shtetit të Bosnjës dhe Hercegovinës, liderët, komandantët dhe njerëzit që dhanë jetët e tyre në mbrojtje kundër agresionit,” shtoi ai.
Ai tha se nxënësit gjithashtu do të mësonin për ata që kryen krime në emër të Ushtrisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, forcës boshnjake në luftë, jo vetëm mizoritë e kryera nga serbët dhe kroatët.
Por Milorad Dodik, presidenti i Republikës Srpska së fundmi bëri të qartë se historia e rrethimit të Sarajevës dhe gjenocidit të Srebrenicës nuk do të mësohej kurrë në shkollat e Republikës Srpska.
“Këtu është e pamundur të përdoren librat shkollorë nga Federata (entiteti tjetër i Bosnjës me shumicë boshnjake dhe kroate) në të cilët shkruhet se serbët kryen gjenocid dhe mbajtën Sarajevën nën rrethim. Nuk është e vërtetë dhe nuk do të studiohet këtu,” tha Dodik javën e kaluar.
Historianë dhe sociologë janë të shqetësuar ndërkohë se mësimet rreth luftës në zonën e Sarajevës mund të jenë të njëanshme dhe kështu të rrisin ndasitë midis fëmijëve.
Tekste shkollore promovojnë ndasi
Në Bosnjë dhe Hercegovinë, nxënësit kanë të drejtë të arsimohen sipas kurrikulës së tyre mësimore “nacionale” (etnike), që do të thotë se ata studiojnë në gjuhën e tyre (boshnjake, serbe ose kroate) dhe disa lëndë mësohen ndryshe sipas përkatësisë etnike, siç janë feja dhe historia.
Një analizë e teksteve të ndryshme shkollore “kombëtare” e publikuar muajin e kaluar nga Fondi për Shoqëri të Hapur dhe organizata hulumtuese ProMENTA ngriti shqetësime se mësimet rreth luftës do të jenë diskriminuese.
Analiza tregoi se sistemi arsimor ekzistues i ndau nxënësit dhe stimuloi ndasi.
Disa shkolla në vend funksionojnë sipas praktikës tepër polemike “dy shkolla nën një çati” – duke i ndarë nxënësit në klasa të ndryshme në të njëjtën ndërtesë në bazë të përkatësisë së tyre etnike.
Analiza tregoi gjithashtu se nxënësve u është mësuar se romët ishin nomadë që merreshin me tregti të vogël, mblidhnin mbeturina dhe luanin muzikë, ndërsa serbëve dhe malazezëve u pëlqen të nisin lufta.
Në tekstet shkollore, përkatësitë fetare dhe etnike të njerëzve konsiderohen si identike, kështu që të gjithë serbët i përkasin Kishës Ortodokse, të gjithë kroatët janë katolikë dhe të gjithë boshnjakët janë myslimanë.
Analiza sugjeron më tej se fëmijët mësohen se të gjithë emigrantët në Europë janë myslimanë dhe se Ballkani është sinonim i mungesës së zhvillimit, konfliktit dhe mungesës së stabilitetit.
Fëmijëve u mësohet gjithashtu se njerëzit që jetojnë me bujëqësi janë primitivë dhe se të gjithë ateistët janë imoralë.
“Në kontekstin e Bosnjës dhe Hercegovinës, një narrativë etnocentrike dallon,” tha studiuesja e ProMENTA, Andrea Soldo.
Ajo tha se tekstet shkollore boshnjake theksojnë boshnjakët, ato kroate theksojnë kroatët dhe ato serbe theksojnë serbët.
“Të tjerët përmenden rastësisht ose nuk përmenden aspak, gjë që na mëson se ne nuk duhet të mësojmë apo të dimë asgjë për të tjerët,” shtoi Soldo.
Sociologu Srdjan Puhalo tha se skenari më i mirë i mundshëm do të ishte që serbët, kroatët dhe boshnjakët të shkruajnë një histori të përbashkët të viteve 1990 – edhe pse ai e pranoi se kjo ide ishte e pamundur.
“Mendoj se zgjidhja më e mirë në Bosnjë dhe Hercegovinë do të ishte të mos u mësojmë nxënësve mësime historie, por t’i lëmë ata të bëjnë pyetje rreth saj, t’u mësojmë të bëjnë pyetjet e duhura, të pyesin pse ndodhi diçka, si ndodhi dhe kush ishte përgjegjës dhe nëse kjo mund të ketë ndodhur në një mënyrë tjetër,” tha Puhalo.
“Mendoj se këto pyetje do të ishin një mënyrë shumë më e mirë për të kuptuar të gjitha gjërat që ndodhën në Bosnje dhe Hercegovinë sesa të mësojnë përmendësh mësime historie, siç bëjnë fëmijët në ditët e sotme. Në ato mësime, “populli ynë” paraqitet si viktima, ndërsa të tjerët si forca pushtuese dhe vrasës,” shtoi ai.
Dy shkolla, shumë të vërteta
Në disa kantone, ka ende “dy shkolla nën një çati” pavarësisht vendimeve të dhëna nga Gjykata Kushtetuese e Federatës që thotë se ky sistem shkel të drejtat e njeriut të fëmijëve.
Puhalo tha se politikanët e vendit janë përgjegjës për vazhdimin e ndasive.
“Nëse pyesni politikanët nëse është normale të ketë shkolla për të pasur dhe shkolla për të varfër, ata do të thonë jo. Nëse i pyesni ata nëse është normale të ketë shkolla të ndara për njerëzit me ngjyrë dhe njerëzit e bardhë, ata do të thonë jo. Nëse i pyesni nëse është normale që djem dhe vajza të frekuentojnë shkolla të ndara, ata do të thonë jo, por, në fund do të thonë po, është normale të ketë shkolla të ndara për kroatët, serbët dhe boshnjakët,” tha ai.
Soldo tha se reforma ishte tepër e rëndësishme për të ardhmen e vendit.
“Ajo që ne duam të arrijmë si shoqëri varet nga arsimi,” tha ajo.
Azra, e cila ndjek shkollën e mesme profesionale në qytetin Jajce, ku nxënësit kanë bërë fushatë kundër klasave të ndara, u shpreh se ndasitë duhen kapërcyer tani për të mirën e nxënësve të ardhshëm të shkollave.
“Nëse nuk e bëjmë këtë tani, brezat e ardhshëm nuk do ta kuptojmë sa bukur është kur ne jemi të gjithë bashkë,” tha ajo.