Të shtunën rreth orës 14.00, Kuvendi pritet të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme për të votuar anëtarët e Kolegjit të Apelimit – institucionit më të lartë në procesin e vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Nëpërmjet një njoftimi për shtyp zyra për marrëdhëniet me median e parlamentit, tha se thirrja e seancës së jashtëzakonshme parlamentare, bëhet sipas nenit 74 pika 2 e Kushtetutës, me kërkesë nga një e pesta e deputetëve.
Të martën komisioni ad-hoc i ngritur nga parlamenti për zbatimin e ligjit per rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, votoi 6 kandidatura si anëtarë të Kolegjit të Apelimit dhe një kandidaturë e 7 u zgjodh me short.
Ish kryeprokurorja Ina Rama u votua në listën e Kolegjit të Apelimit, bashkë me ish-kreun e gjykatës së Tiranës Sokol Çomo, anëtaren e KLD-së Albana Shtyllën, avokatin Luan Daci, Natasha Mulajn, Ardian Hajdarin dhe Rezarta Schuetz. Zëvendësues u zgjodhën Mimoza Tasi dhe Etleva Papleka.
Gjatë seance të jashtëzakonshme të së shtunës Kuvendi pritet të zëvendësoj dhe 1 anëtarë të komisionit tjetër ad-hoc, i ngarkuar me përzgjedhjen e kandidaturave për Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.
Jorida Tabaku, një prej anëtarëve të komisionit ka dhënë dorëheqjen për arsye shëndetësore dhe pritet të zëvendësohet nga një deputet tjetër i Partisë Demokratike.