Partia Demokratike arriti të marrë pesë deputetë në zgjedhjet e së dielës në Shkodër, ndërkohë që Partia Socialiste iu afrua për herë të parë përmbysjes së rezultatit në këtë qark. Tom Doshi zgjidhet deputet në emër të Partisë SocialDemokrate.
Partia Socialiste arriti të marrë rreth 1,300 vota më shumë në Qarkun Shkodër në zgjedhjet e së dielës në krahasim me vitin 2013, pavarësisht se një nga ish-deputetët e saj, Tom Doshi, garoi për një parti tjetër dhe mori mbi 13 mijë vota. Partia Socialiste e humbi mundësinë që të bëhej forcë e parë në Shkodër për herë të parë që nga rënia e komunizmit me një diferencë të ngushtë prej 1,500 votash. Partia Demokratike humbi 5 mijë vota në Shkodër në krahasim me zgjedhjet e vitit 2013 dhe gati 16 mijë vota në krahasim me vitin 2009, por gërryerja e elektoratit të saj nga partitë e vogla PSD, LSI e PDIU si dhe bojkoti i një pjese të elektoratit të saj në Shkodër bëri që PD të rrezikonte postin e partisë më të madhe në qark.
Partia Demokratike hasi telashe para zgjedhjeve, pasi dega e saj lokale shprehu pakënaqësi të mëdha me listën e kandidatëve të propozuara nga kryetari Lulzim Basha, listë që la mënjanë Jozefina Topallin, nënkryetare e PD-së dhe deputete jetëgjatë në Shkodër.
Shkodra është një qark që ka pasur pjesëmarrje relativisht të ulët në zgjedhjet e shkuara por pjesëmarrja ra në 43 për qind të dielën, niveli më i ulët në histori. Lista e votuesve në Qarkun Shkodër është shtuar me 13 mijë vetë nga zgjedhjet e vitit 2013 ndërsa të dielën në kutitë e votimit u hodhën 11,311 vota më pak se sa katër vjet më parë.
Partia Socialiste realizoi fitore të thella në Pukë e Fushë-Arrëz si dhe në Malësinë e Madhe. Partia Demokratike ruajti një fitore të thellë në Bashkinë Vau i Dejës si dhe një avantazh të ngushtë në Bashkinë Shkodër.
Pavarësisht rritjes së votave të PS dhe uljes së votave të PD, rezultati në mandate deputetësh në Shkodër mbeti i pandryshuar në raport me vitin 2013, pesë mandate PD dhe katër PS. Shkodra dërgon 11 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë dhe në vitin 2013, përveç mandateve të PD e PS, dërgoi për deputet edhe biznesmenin Agron Çela [CV Link] si dhe biznesmenin tjetër Mark Frroku për partinë KristianDemokrate, një anëtare e koalicionit të majtë. Çela arriti ta ruajë mandatin e tij pasi mori gati 13 mijë vota, aq sa pati marrë edhe më 2013.
Me votat e Shkodrës, Partia Demokratike do të dërgojë në Kuvend deputetin Romeo Gurakuqi, [CV Link] një profesor historie në Universitetin e Shkodrës dhe në universitetin privat Universitetin Europian të Tiranës në Tiranë. Gurakuqi nuk ka angazhim të mëparshëm partiak. E dyta në listën e PD-së është Izmira Ulqinaku, [CV Link] 26 vjeç, e arsimuar në arkitekturë dhe me eksperiencë pune bashkinë e Shkodrës. Lorenc Luka, [CV Link] ish-kryetar i Bashkisë Shkodër shkon në Kuvendin e Shqipërisë si i treti në listën e Partisë Demokratike ndërsa si i katërti në listë qe Bardh Spahia, [CV Link] një ish-funksionar i Ministrisë së Shëndetësisë gjatë qeverisjes së PD-së dhe ish-punonjës i presidencës. I pesti dhe i fundit në listën e PD-së është Nard Ndoka, i cili në CV-në e tij thotë se ka arsim të lartë por nuk sqaron se për çfarë si dhe rendit si eksperienca pune të qenit kryetar bashkie në Vaun e Dejës, të qenit deputet dhe të qenit Ministër Shëndetësie.
Nga lista e socialistëve në kuvend për Shkodrën do të shkojë Ditmir Bushati, [CV Link] ministër i Punëve të Jashtme, pasuar nga Paulin Sterkaj, [CV Link] deputet socialist për Shkodrën që prej disa mandatesh. Sterkaj ka studiuar në Institutin e Kulturës Fizike “Vojo Kushi” në Tiranë dhe ka eksperiencë pune si oficer policie, shef komisariati si dhe si biznesmen dhe sipërmarrës në fushën e hidrokarbureve, restoranteve dhe të ndërtimit.
Në vend të tretë në listën e socialistëve është Senida Mesi, [CV Link] 40 vjeç, kontabiliste ndërsa në vend të katërt, Luan Harusha, [CV Link] drejtor i ALUIZNI-t Shkodër.
Para zgjedhjeve, BIRN raportoi se fushata zgjedhore në Shkodër u karakterizua nga birra falas dhe iftare elektorale, ku tre parti të vogla luftuan ashpër për të kapur nga një mandat. Shkodra qe gjithashtu një nga zonat me akuza dhe arrestime të shumta për korrupsion elektoral.
Në fund duket se birrat funksionuan më mirë për të arkëtuar vota në krahasim me iftaret. LSI, mbi të cilën rënduan akuza të shumta për blerje votash me para në dorë dhe PSD e Tom Doshit arritën të marrin nga një mandat deputeti. PDIU me kandidatin e saj biznesmenin Sait Fishta, i cili shtroi iftare gjatë fushatës, arriti të marrë vetëm 2,200 vota, shumë larg numrit të nevojshëm prej rreth 8,200 votash që u deshën të dielën në Shkodër për marrjen e një mandati.
Deputeti Tom Doshi deklaroi pas fitores se kishte folur me kryeministrin Edi Rama dhe kishin shkëmbyer urime për fitoren. Ai u shpreh i gatshëm për t’u riafruar me Partinë Socialiste pavarësisht se dy vjet më parë, Doshi u përjashtua nga Rama nga grupi parlamentar socialist.
Për të lexuar rregullisht Reporter.al, ju ftojmë të abonoheni me email. Ne dërgojmë një email në ditë me lajmet, analizat dhe investigimet e fundit.
Abonohu te buletini ynë[email-posts-subscribers namefield=”YES” desc=”” value=”Abonohu”]