Mbrojtja e ish-kryebashkiakut të Vlorës Shpëtim Gjika kërkoi rrëzimin e provave të prokurorisë me pretendimin se nuk ishin administruar me urdhër të prokurorit, ndërsa kërkoi që ai të shpallej i pafajshëm. Pafajësi pretenduan edhe tre avokatët e të akuzuarve të tjerë.
Ish-kryebashkiaku i Vlorës Shpëtim Gjika kërkoi pafajësi për të gjitha akuzat, ndërsa mbrojtja e tij pretendon se prokuroria nuk ka paraqitur prova për të vërtetuar akuzën. Avokati i Gjikës dhe mbrojtësit e tre të pandehurve të tjerë paraqitën sot në Gjykatën e Vlorës në seancën e rradhës argumentet e tyre duke kërkuar pafajësi dhe mos marrje në konsideratë të provave të paraqitura nga prokuroria. Gjika vetë i tha trupit gjykues se “asnjë nga akuzat e pretenduara nga prokuroria nuk ka arritur të faktohet”. Gjykata pritet të marrë vendim për këtë çështje më 27 korrik.
Prokuroria më 29 qershor gjatë pretencës kërkoi shpalljen fajtor të Gjikës dhe dënimin e tij me 9 vjet burg për akuzat e “falsifikimit të dokumentave” të një mbledhje të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Bashkisë së Vlorës (KRRT); “shpërdorimit të detyrës”; “ndërtim të paligjshëm”; dhe “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Prokuroria kërkoi gjithashtu 6 vjet burg për ish-vartësen e Gjikës, Doriana Behari (Sulaj), 6 vite për biznesmenin e ndërtimit Artur Haxhi dhe 4 vjet për Ridvan Mersinin. Po ashtu, prokuroria kërkoi konfiskim të dy pallateve 11 katësh të ndërtuar pranë Sheshit të Flamurit, që janë në sekuestro preventive që prej fillimit të çështjes.
Por në gjyqin që u zhvillua sot avokatët mbrojtës kërkuan pafajësi për të katër të akuzuarit. Mbrojtësi i Gjikës, avokati Ardian Leka, kërkoi që gjykata të mos merrte në konsideratë si provë procesverbalin e mbledhjes së KRRT-së (Këshillit të Rregullimit të Territorit) të Vlorës të 17 janarit 2011 të cilin prokuroria beson se është i falsifikuar, pasi ai nuk është administruar me urdhër të prokurorit.
Avokati i ish-kryebashkiakut pranoi se në mbledhjen e KRRT-së së Bashkisë së Vlorës të Janarit 2011, në të cilën është miratuar në parim leja e ndërtimit për subjektin “TURI&MZB” kjo nuk ka qënë e parashikuar në rend dite, por ai pretendon se ajo është shtuar me kërkesë të një prej antarëve të KKRT-së, Arlind Deromemës. Avokati po ashtu ka paraqitur disa procesverbalë të mbajtur nga INUV (Inspektoriati Vendor Urbanistik Vendor) në ngarkim të subjektit ndërtues përpara aplikimit për leje ndërtimit nga ky i fundit. Gjobat e vëna ndaj “TURI&MZB” sipas mbrojtjes tregojnë se bashkia e drejtuar nga Gjika nuk e kishte toleruar ndërtimin pa leje.
Ndërkohë e pandehura Doriana Beharaj (Sulaj), nuk ishte e pranishme në sallë, por përfaqësuesi i saj Irakli Koço kërkoi shpalljen e saj të pafajshme, pasi Sulaj siç tha ai e ka marë detyrën e Shefes së Zyrës së Urbanikstikës 2 vite pas miratimit të lejes së ndërtimit. Sipas mbrojtjes, Sulaj nuk ka pasur asnjë akses mbi dokumente të cilat ishin firmosur kohë para se ajo të merrte detyrën.
Ndërsa për akuzën e “ndërtimit të paligjshëm” sipas mbrojtjes ajo është rrëzuar në bazë të ligjit për Amnistinë të vitit 2014-të. Këtë argument sjell edhe mbrojtja e ndërtuesit Artur Haxhit. Avokati i tij Ilirian Deshalla i tha gjykatës se Haxhi ishte i pafajshëm. Po ashtu edhe avokati mbrojtës i Ridvan Mersinit i cili akuzohet për “Falsifikim të dokumenteve “ dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”, kërkoi pafajësi. Mbrojtja e Mersinit tha se ai kishte proceduar me anë të një dokumenti pronesie të dhënë nga Zyra e Regjistrimit të Pasurisë në Vlorë. Sipas mbrojtjes, nuk është detyrë e klientit verifikimi i dokumenteve të cilat dalin nga institucioni, por e vetë institucionit.
Prokurori i çështjes Alber Kuliçi kundërshtoi pretendimin e mbrojtësve për marrjen në konsideratë të amnistisë. Ai tha se efektet e kësaj të fundit kishin mbaruar në shkurt të vitit 2015.
Akuza pretendon se “Shpëtim Gjika, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Vlorë, në bashkëpunim me shtetasen Doriana Behari (Sulaj) kanë përpiluar dhe lëshuar dokumenta me përmbajtje të falsifikuara”. Prokuroria thotë se dy zyrtarët kishin falsifikuar; një vendim të KRRT-së së Bashkisë Vlorë të datës 17 janar 2011, në të cilin përshkruhet se “është miratuar shesh ndërtimi dhe leje ndërtimi 2-8-10-11 kate me subjekt ndërtues “Turi&M.Z.B” sh.p.k, me pronarë 4 familje”; një vendim të dytë të po të së njëjtës datë për miratimin e destinacionit të sheshit të ndërtimit dhe kondicioneve urbane të tij dhe një leje ndërtimi që mban datën 10 prill 2013, po në favor të kompanisë së ndërtimit “Turi&M.Z.B” sh.p.k. Biznesmeni Haxhi akuzohet për “falsifikim të dokumentave”, në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, “ndërtim të paligjshëm” dhe “mashtrim”. Ndërsa Ridvan Mersini, është në akuzë për “pastrim produktesh të veprës penale”.
Përballja e ish-kryebashkiakut me drejtësinë filloi në tetor të vitit 2013, kur ai u mor për herë të parë i pandehur së bashku me disa funksionarë të bashkisë dhe persona të tjerë, për falsifikim dokumentash të një mbledhjeje të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Bashkisë së Vlorës.
Për dosjen e parë, e cila u gjykua në Tiranë, Gjika fitoi pafajësinë në të dy shkallët e gjyqësorit, por prokuroria bëri rekurs të çështjes në Gjykatën e Lartë. Çështja ende nuk është marrë në shqyrtim prej Gjykatës së Lartë prej qershorit të vitit 2015, kur rekursi u regjistrua. Gjika i pati cilësuar akuzat që u ngritën për të në vitin 2013 dhe të tjera në 2015 si politike. Atëherë u fol për një përplasje mes tij dhe eksponentëve të tjerë në PS, përfshi edhe kryeministrin Edi Rama.
Gjyqi ndaj Gjikës dhe tre personave të tjerë pritet të mbyllet më në 27 korrik, kur është njoftuar dhënia e vendimit nga trupi gjykues i përbërë nga Mirela Mishgjoni, gjyqtare, Arbana Selmanaj, gjyqtare, dhe Laurent Fucia, gjyqtar-relator për çështjen.