
Tre burime thanë për BIRN se presidenti serb Aleksandër Vuçiç pranoi se ish-oficeri i lartë i policisë Goran “Guri” Radosavljeviç ishte përgjegjës për vrasjet e tre vëllezërve shqiptaro-amerikan në vitin 1999.

Praveen Madhiraju, këshilltari ligjor i familjes Bytyqi, tha se ai ishte i pranishëm në një takim në SHBA dy vjet më parë, në të cilin Aleksandër Vuçiç tha se personat përgjegjës për vrasjen e tre vëllezërve shqiptaro-amerikanë Bytyqi ishin ish-oficeri i policisë serbe Goran “Guri” Radosavljeviç dhe një person tjetër, një i panjohur.
“Unë isha i pranishëm më 17 shtator 2015 në Uashington, në Ambasadën e Serbisë, kur u takuam me Vuçiçin dhe ai na tregoi këtë fakt. Të pranishëm ishin gjithashtu Fatos Bytyqi, Ilir Bytyqi, ambasadori serb Djerdj Matkoviç, Vlada Joviçiq dhe ish-ambasadori i SHBA-së në Beograd Michael Kirby,” tha Madhiraju në BIRN në një email.
Radosavljeviç është një anëtar i bordit ekzekutiv të Partisë Progresive Serbe, partia në pushtet e Vuçiçit.
BIRN raportoi në vitin 2015 se provat e mbledhura nga hetuesit serbë, ata të FBI-së dhe avokatët e familjes Bytyqi sugjeronin se autorët e dyshuar dihen prej vitesh nga autoritetet e Beogradit.
Në korrik 1999, shtetasit amerikanë me origjinë shqiptare Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi u kapën nga policia serbe në kufirin me Kosovën pas përfundimit të luftës, ndërsa ndihmonin një familje rome të largohej nga Kosova.
Trupat e tyre u gjetën më vonë në një varr masiv në qendrën stërvitore të policisë në Petrovo Selo në Serbinë lindore.
Shumë dëshmitarë pohuan se në atë kohë, personi në krye të kampit stërvitor të Petrovo Selo ishte Radosavljeviç, megjithëse ai këmbënguli se ishte me pushime kur vëllezërit u vranë.
Radosavljeviç, i cili tani drejton disa kompani sigurie në Beograd, u hetua shkurtimisht në lidhje me krimin nga prokuroria serbe, por nuk u padit kurrë.
Familja e vëllezërve Bytyqi thotë se ata kanë marrë premtime nga ana e institucioneve serbe për vite me radhë se krimi do të zgjidhet, por deri tani pa ndonjë rezultat të prekshëm.
“Gjatë takimit, Vuçiç filloi duke shprehur keqardhjen e tij dhe tha “Nëse kjo do t’i kishte ndodhur vëllait tim, unë do të bëja gjithçka që kisha në dorë. Dhe kjo ju ndodhi ju të treve,” tha Madhiraju.
“Në një moment Fatos po bënte një sugjerim dhe Vuçiç e ndërpreu atë dhe tha: ‘Në mendjen time, ka vetëm dy persona përgjegjës për këto vrasje – Guri dhe (një person tjetër që përmendi ai).’ – ky është një citim i drejtpërdrejtë që e kam shkruar menjëherë pas takimit,” shtoi ai.
Raporti i Madhirajut për komentet e Vuçiçit në takim u përsërit nga të afërm të vëllezërve të vrarë.
“Presidenti Vuçiç na tha nëse do të kishte qenë ai në vendin tonë, do të bënte çdo gjë që kishte në dorë për të gjetur vrasësit e vëllait të vet. Ai na tha se ai vetë besonte se Guri ishte përgjegjës. Tani ai po sillet sikur Guri është vëllai i tij dhe bën gjithçka për ta mbrojtur atë,” tha Ilir Bytyqi për BIRN.
Fatos Bytyqi, një tjetër anëtar i familjes që mori pjesë në takim, një anëtar tjetër i familjes që mori pjesë në takim, tha gjithashtu se Vuçiç iu referua Radosavljeviçit si një prej personave përgjegjës për vdekjen e vëllezërve.
“Kjo nuk ishte hera e parë që kryeministri Vuçiç më tha drejtpërdrejt se ai besonte se Guri ishte përgjegjës. Zyrtarë të tjerë serbë të nivelit të lartë më kanë thënë të njëjtën gjë,” shtoi Fatos Bytyqi.
Kjo deklaratë e familjes erdhi pasi njëmbëdhjetë anëtarë të Kongresit Amerikan pohuan në një letër për zv/presidentin amerikan Mike Pence se presidenti serb Vuçiç ka pranuar se Radosavljeviç ishte përgjegjës për vrasjet e tre vëllezërve Bytyqi.
Në letrën e datës 14 korrik, anëtarët e kongresit thanë se Vuçiç “si ka mbajtur premtimet” për të zgjidhur krimin dhe se ai “vazhdon lidhjet e tij të ngushta me të dyshuarin kryesor, Goran “Guri” Radosavljeviç”.
“Kur ambasadori i SHBA-së në Serbi, Kyle Scott, dhe një anëtar i familjes, e vunë në pikëpyetje këtë marrëdhënie, presidenti Vuçiç u përgjigj se kritikëve duhet “t’u vijë turp” nga vetja,” thuhej në letër.
“Kjo ndodhi pavarësisht se presidenti Vuçiç siguroi se Radosavljeviç ishte përgjegjës për krimet,” shtoi ajo.
Radosavljeviç ka mohuar ndonjë përfshirje në vrasje.
Si Radosavljeviç ashtu edhe Vuçiç nuk iu përgjigjën kërkesave të BIRN për një koment në lidhje me letrën e anëtarëve të Kongresit Amerikan deri në kohën e publikimit të artikullit.
Letra iu dërgua zv/presidentit Pence para takimit të tij me Vuçiçin në Uashington të hënën dhe u nënshkrua nga anëtarët e Kongresit: Lee Zeldin, Edward R. Royce, Eliot L. Engel, Dana Rohrabacher, Daniel M. Donovan Jr., James P. McGovern, Peter T. King, Grace Meng, Louise M. Slaughter, Eddie Bernice Johnson dhe Zoe Lofgren.
Ata i kërkuan Pence t’i bëjë presion Vuçiçit që të zgjidhë përfundimisht vrasjet e tre vëllezërve Bytyqi.
“Pas takimit të vitit 2015, familja ime i besoi presidentit Vuçiç. Ne i besuam fjalës së tij. Dy vjet më vonë, Guri dhe ai janë ende të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin dhe ai na thotë se duhet të na vijë turp që e kritikojmë atë,” tha Fatos Bytyqi.
Vuçiç këtë javë është në vizitën e tij të parë zyrtare në SHBA që kur u bë president i Serbisë më herët këtë vit, pasi më parë shërbeu si kryeministër.
Para vizitës së tij, disa anëtarë të tjerë të Kongresit Amerikan shprehën gjithashtu shqetësim për mungesën e progresit në rastin Bytyqi.