Refugjatët dhe emigrantët që kanë marrë rrugën e gjatë dhe të rrezikshme drejt Bashkimit Europian tregojnë jetën e tyre të përditshme të tranzitit për në “tokën e premtuar”.
ALIU: babai sirian i gjashtë fëmijëve në drejtim të Hungarisë
Pas më shumë se një viti të kaluar në rrugë me bashkëshorten dhe gjashtë fëmijët që prej largimi i tyre nga Siria, Ali ishte vendosur në kampin tranzit të Suboticës në Serbinë veriore.
Ata ia kishin dalë të kalonin male dhe detin, por ngecën në Serbi prej mbylljes së rrugës në veri.
Aliu dhe familja e tij kishin aplikuar për azil në Hungari dhe pas një pritje prej gjashtë muaj, në fund u përzgjodhën për të kaluar kufirin.
Megjithatë, kjo nuk ndodhi menjëherë pas marrjes së vendimit; ato u transferuan në kampin e refugjatëve në Suboticë dhe pritën rreth dy javë të tjera derisa kaluan kufirin.
Në mars të vitit 2017, parlamenti hungarez miratoi një ligj të ri, i kritikuar gjerësisht nga organizatat e të drejtave të njeriut në Europë dhe më gjerë. Ligji lejon ndalimin e njerëzve që kërkojnë azil në Hungari.
Qeveria hungareze filloi të ndërtojë dy kampe me kontenierë të rrethuar nga një gardh me gjemba ku tani strehohen ata që kërkojnë azil në Hungari.
Një mëngjes të ngrohtë, pas dy javësh të gjata pritje, Aliu u informua për ditën e nisjes me familjen. Ata do të hynin në territorin hungarez të nesërmen në mëngjes.
Pas drekës, ata morën një taksi në pikën e tranzitit të Kelebijave në kufi, ku qëndruan gjatë natës dhe pritën të kalonin në Hungari në orën 8 në mëngjes.
Naser Sherida, vëllai i Aliut, shkoi për t’i përcjellë duke shpresuar se në të ardhmen e afërt, ai, gruaja e tij shtatzënë dhe dy fëmijët do të jetë një nga familjet e zgjedhura për të kaluar në anën hungareze dhe të mirëpritet nga vëllai i tij. Mjerisht, bashkimi do të jetë në një kamp të izoluar.
Megjithëse nuk e mendonin Hungarinë si një destinacion kur u larguan, ka një mundësi për një jetë normale për fëmijët e tyre, ndryshe nga Siria.
Vëllai i Aliut, Naseri shpreson se së shpejti do të takohen në Hungari në kampin e izoluar.
Pasi jetoi për dy vjet nën regjimin e ISIS, Naseri nuk shprehet i zhgënjyer nga kjo perspektivë.
“Është e përkohshme”, thotë ai me shpresë.
Ai arsyeton se është gjithsesi një perspektivë më e mirë për të ardhmen e fëmijëve të tij: “Nuk mund të bësh jetë normale në Siri tani. Situata mes dy fraksioneve është aq e tensionuar, sa detyrohesha të mbaja armë dhe të merrja pjesë në luftime,” thotë ai.
MUSTAFA: Azilkërkuesi irakian ndihmon të tjerët të kalojnë kufirin
Në pikën kufitare Kelebija, Mustafa, një azilkërkues i ri irakian dhe dy shojë të tij veprojnë si një urë joformale komunikimit midis Zyrës Serbe të Migracionit dhe autoriteteve hungareze.
Çdo mëngjes, ata marrin një listë nga autoritetet hungareze me emrat e familjeve ose njerëzve që do të lejohen të kalojnë ditën tjetër.
Ata përgatisin me kujdes një kënd të vogël për të sapoardhurit brenda një ndërtese të braktisur pa energji elektrike ose ujë, që ndodhet 20 metra nga kalimi. Ushqimi, uji dhe batanijet ofrohen çdo ditë nga agjencia e OKB-së për refugjatë dhe Kryqi i Kuq.
Sot Mustafa, i cili u largua nga qyteti i Dohuk në Kurdistanin e Irakut pothuajse dy vjet më parë, do të ketë një surprizë të bukur. Disa anëtarë të familjes së tij, të cilët jetojnë në një kamp në Serbinë veriore, vijnë në Kelebija për të shijuar një darkë me të.
Një fuçi e madhe me dru zjarri, një copë e vjetër skare, tre tiganë dhe kuzhina në natyrë është gati për punë. Burrat po gatuajnë pulë me oriz dhe sallatë të freskët.
Por pavarësisht ambientit familjar dhe ushqimit, ‘dhoma e ngrënies’ së tyre pasqyron gjendjen ku janë.
Kamionët kalojnë gjithë kohën majtas përtej gardhit me gjemba dhe një zë kërcënues nga një altoparlant bërtet në hungarisht. Midis të qeshurave dhe kujtimeve, nganjëherë biseda pengohet.
Mustafa e lidh celularin me interneti dhe fillon të luajë një video të Vitit të Ri kurd të Novruzit, duke u përpjekur të ngrejë humorin.
Përpjekja për të arritur në tokën e premtuar europiane në rrugë ligjore mund të rezultojë e dhimbshme, depresionuese dhe mund të marrë më gjatë nga sa e mendonin Ali dhe Mustafa.
Por ka gjithnjë një alternativë për ta arritur destinacionin e ëndrrës.
Muhamed: Emigranti pakistanez që mori rrugën e paligjshme
Muhamedi, një i ri nga Pakistani, është i bindur për mundësinë e kalimit në mënyrë të paligjshme në Hungari. Për më shumë se katër muaj, ai ka jetuar në një fabrikë të braktisur në Suboticë.
Ai e ndan strehimin me më shumë se 20 shtetas të tjerë pakistanezë, në pritje të kontaktit me një trafikant.
Kur moti është i ngrohtë, Muhamedi dhe shokët e tjerë organizojnë ndeshje kriket. Muhamedi i përshkruan këto momente si një mënyrë për të kujtuar atdheun e tyre dhe për të harruar rrugën e gjatë dhe të dhimbshme përpara.
Duke qenë se jeton ilegalisht nuk ka qasje në aktivitetet e ofruara në kampet zyrtare, jeta e përditshme bëhet më e lodhshme.
Çdo ditë, pranë linjës lokale të trenit, organet humanitare si vijnë për të ofruar ndihmë mjekësore, furnizime ushqimore dhe dushe portative.
Ndërsa presin, emigrantët përpiqen të jetojnë një jetë normale. Ata e bëjnë ushqimin së bashku, kujdesen për njëri-tjetrin dhe ndajnë punët e përditshme.
Një tigan i madh, i mbushur me pulë, patate dhe disa perime, është banketi i tyre. Ka buzëqeshje mes tymit të drurit, madje edhe disa shaka dhe të qeshura përpara vaktit të mbrëmjes.
Kur do të kontaktohen nga trafikanti, si i ka rrahur policia hungareze ata dhe shuma e parave që nevojiten për të kaluar kufirin – këto janë vetëm disa nga temat që diskutohen gjatë darkës.
Çaste pas ushqimit, Muhamedi shkon për një shëtitje përgjatë vijës së trenit me shokët e tij, ku tregon rastin kur kaloi kufirin me trafikantë dhe 23 të tjerë por u kap dhe u kthye në Serbi.
Sipas Muhamedit, çmimet e trafikantëve janë të negociueshme (1.000 deri në 1.600 euro për person) pa marrë parasysh sa shumë përpjekje duhen për të kaluar.
Paratë i jepen një pale të tretë (një anëtari të familjes në atdhe) dhe në çastin kur klienti mbërrin në destinacion, bëhet transferta në llogarinë bankare të kontrabandistit.
Aliu, Mustafa dhe Muhamedi janë vetëm tre shembuj nga rreth 4000 refugjatë dhe emigrantë që janë aktualisht në Serbi dhe ende shpresojnë të arrijnë “tokën e premtuar” të Europës Perëndimore.
Emrat e disa personave në këtë artikull janë ndryshuar.