Një seri sulmesh dhe kërcënimesh ndaj reporterëve të pavarur nxjerrin në pah rreziqet me të cilat përballen gazetarët investigativë në Bullgarinë e sotme.
Maria Dimitrova, një kryeredaktore e Zovneës, një gazetë lokale në Vratza, Bullgaria veriperëndimore, gjendej në një festë familjare në fund të tetorit kur filloi të marrë kërcënime përmes telefonit dhe Facebook-ut.
Mesazhet vinin nga një figurë e njohur nga bota e krimit në Vratza i cili e kërcënoi gazetaren me përdhunim dhe paralajmëroi se ajo do të vuante “në një farë mënyre”.
Botuesi i gazetës, Georgi Ezekiev, mori gjithashtu kërcënime. “Pastaj ne morëm paralajmërime mbi përgatitjet për vrasjen e botuesit. Unë mbeta e tronditur,” tha Dimitrova për BIRN.
Pak muaj më herët, ajo pati ndihmuar publikimin investigativ bullgar në internet Bivol me një artikull që kishte zbuluar një grup të organizuar kriminal aktiv në Vratza, grup i përfshirë në gjobëvënie, trafik droge dhe një gamë të gjerë krimesh të tjera.
Pak pasi u publikua investigimi, informatori i Dimitrovës, nipi i një gruaje të arrestuar në Zvicër për trafik kokaine, u rrah rëndë.
Gazetarja iu drejtua autoriteteve për kërcënimet e bëra ndaj saj dhe botuesit, por thotë se çështja u neglizhua deri sa ajo mori publicitet më të gjerë më vonë në nëntor.
Pavarësisht heshtjes së autoriteteve bullgare, grupet e medias vendase dhe ndërkombëtare ngritën alarmin mbi presionin që Zovneës pati përjetuar si pasojë e punës së kryer.
“Ne jemi shumë të shqetësuar për kërcënimet ndaj publikuesit të kësaj faqeje interneti Georgi Ezekiev dhe njërit prej reporterëve, të cilët kanë dorëzuar ankesë ndërsa policia e injoroi ankesën,” tha në një deklaratë më 24 nëntor Pauline Adès-Mével, drejtuese e seksionit për BE-në dhe Ballkanin te organizata Reporterë pa Kufij.
Ajo i kërkoi autoriteteve bullgare t’i marrin kërcënimet dhe sulmet e tilla më seriozisht dhe që të “bëjnë çfarë të jetë e mundur për të mbrojtur të shënjestruarit e këtyre sulmeve”.
Shoqata Europiane e Gazetarëve, AEJ, një organizatë paneuropiane për lirinë e medias, ndërhyri gjithashtu për të mbrojtur këtë media.
Kryetari i saj, Otmar Lahodinsky, takoi kreun e departamentit të luftës kundër krimit të organizuar në Bullgari Ivaylo Spiridonov më 29 nëntor në Sofie, duke bërë thirrje që kjo agjenci të veprojë.
Shpejt pas protestave ndërkombëtare, Dimitrova i tha BIRN se policia e pati informuar atë se një hetim ka nisur më në fund kundër abuzuesve të saj.
Gjithsesi, kërcënimet ndaj skuadrës së Zovneës nuk janë raste të izoluara.
Një seri rastesh alarmuese ka nxjerrë në pah kërcënimet ndaj lirisë së medias në këtë vend të Ballkanit, i cili këtë vit festoi dhjetëvjetorin e anëtarësimit në BE.
Përgjatë dekadës së fundit, vendi ka rënë nga vendi 51 në renditjen e Lirisë Botërore të Shtypit më 2007 në vendin e 109 më 2017 – pozicioni më i ulët mes vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
“Të bërit të gazetarisë investigative në Bullgari është bërë gjithnjë e më e rrezikshme,” tha për BIRN Georgi Lozanov, një profesor i gazetarisë në universitetin Kliment Ohridski në Sofie.
“Ndërsa më herët ajo nuk kishte efekt, sot ka një ndjesi ndaj rezultateve [të gazetarisë investigative], gjë që shoqërohet me rreziqe.”
Një numër gazetarësh bullgarë e kanë mësuar këtë leksion sipas mënyrës së vështirë. Sulmet e dhunshme dhe kërcënimet ndaj gazetarëve janë intensifikuar, vërejti Indeksi i Qëndrueshmërisë së Medias për vitin 2017.
Më 2016, gazetari Stoyan Tonchev u dhunua brutalisht me një shkop bejsbolli në qytetin e tij të lindjes Pomorie.
Në korrik 2017, një prezantues televiziv nga televizioni publik BNT, Ivo Nikodimov, u rrah në park në Sofie.
Ndërsa sulmuesit e Tonchev u arrestuan, rasti i Nikodimov mbetet i pazgjidhur.
Sulmet me zjarr ndaj makinave të gazetarëve janë bërë pothuajse një mjet rutinë frikësimi.
Më 2013 dhe sërish më 2015, makina e gazetarit të njohur investigativ Genka Shikerova mori flakë. Më 2017, e njëjta gjë ndodhi edhe ndaj gazetares investigative Zornitsa Akmanova.
Sulmet fizike gjithsesi nuk janë mjeti më i zakonshëm për shtyrjen e gazetarëve drejt heshtjes në Bullgari. Një vrojtim i vitit 2017 Mbi Lirinë e Medias kryer nga Shoqata Europiane e Gazetarëve-Bullgari, në të cilën morën pjesë 200 gazetarë, vërejti se presioni politik është bërë forma më e zakonshme e presionit kundër profesionistëve të medias.
Plot 92 për qind e pjesëmarrësve në vrojtim thanë se ata besonin se presioni mbi gazetarët është një fenomen i zakonshëm në Bullgari.
Më 11 nëntor, mbi njëqind gazetarë protestuan kundër kërcënimeve të hapura që Valeri Simeonov, një zëvendëskryeministër nga partia nacionaliste Koalicioni Patriotët e Bashkuar, bëri ndaj Victor Nikolaev, një intervistues televiziv në NOVA TV – një nga transmetuesit kryesorë privatë të vendit.
Në të, ai paralajmëroi gazetarin se ai rrezikonte të humbte vendin e tij të punës në rast se bënte pyetje jokomode.
Lozanov thotë se Bullgaria po përjeton një rikthim në një lloj presioni shtetëror mbi median fenomen i gjithëpërapur në vitet e para të tranzicionit të Bullgarisë drejt demokracisë në vitet 1990.
“Jo vetëm që ka presion, por politikanët nuk kanë turp ta pranojnë se e bëjnë,” tha ai.
Gazetarët nuk janë të vetmit që ndjejnë presionin në rritje mbi median bullgare.
Më 21 nëntor, një delegacion i botuesve dhe gazetarëve bullgarë vizitoi Brukselin për të raportuar te homologët e tyre Europianë se anëtarët e tyre, të grumbulluar në organizatën Bashkimi i Botuesve Bullgarë, ndjeheshin të ekspozuar nga presioni si nga shteti ashtu edhe nga prokurorët.
Përfaqësuesit e Economedia, botues i faqes së internetit Dnevnik dhe të përjavshmes Capital, përfaqësuesit e ClubZ, një faqe interneti që raporton mbi çështjet politike, e përditshmja Sega, mediapool.bg e të tjerë thanë se ekzistenca e tyre jashtë monopolit të aluduar të bizneseve mediatike të një deputeti dhe pronari mediash, Delyan Peevski, është nën kërcënim.
Pronësia e medias në Bullgari është opake. Monitori i Pluralizmit të Medias në vitin 2016 nga Qendra Europiane për Pluralizmin e Medias dhe Lirisë së Medias thotë se pluraliteti në tregun e medias bullgare është aktualisht shumë i rrezikuar.
Mes treguesve më problematikë në lidhje me pluralitetin e tregut, thanë kërkuesit, është përqendrimi i pronësisë si dhe ndikimi tregtar mbi përmbajtjen editoriale.
Dy indikatorë të “pavarësisë politike” u nxorrën në pah si veçanërisht në rrezik – “rregullimi shtetëror i burimeve dhe mbështetjes për sektorin e medias”, dhe “kontrolli politik mbi mediat”.
Reporterët pa Kufi e vlerësuan Bullgarinë më poshtë se çdo vend tjetër anëtar të BE-së në ideksin e lirisë së medias për shkak të “mjedisit” në Bullgari “të dominuar nga korrupsioni dhe bashkëveprimi mes medias, politikanëve dhe oligarkëve, përfshirë Deylan Peevskin”.
Ky grupim i lirisë së medias vërejti se perandoria mediatike e Peevskit tashmë kontrollon 80 për qind të shpërndarjes së shtypit.
Dy mediat e Peevskit, Monitor dhe Telegraph, i janë përgjigjur akuzave të tilla nga konkurrentët si dhe nga grupimet e të drejtave të njeriut duke e cilësuar akuzuesit si “fake neës”, [lajme false], si dhe duke publikuar artikuj e fletushka ku kritikët portetizohen si “mercenarë të huaj”.
Në shtator, një publikim falas në gjuhën angleze u dërgua në Parlamentin Europian. Në të sulmoheshin gjykatës të ndryshëm, gazetarë dhe politikanë si mjete të oligarkëve dhe prodhues lajmesh false.
Dimitar Dimitrov, koordinatori në Bruksel për Partinë e Gjelbërt të Bullgarisë, e cilësoi publikimin si “propagandë” dhe tha se europarlamentarët marrin shpesh materjale të tilla, më së shumti nga Turqia.
“Pasoja është që ata e konsiderojnë materjalin e marrë si ‘lajm fals’ dhe Bullgarinë si një shtet i pabesueshëm,” tha ai për BIRN.
Georgi Lozanov i cilësoi tensionet mes botuesve të medias bullgare si “luftë mediatike” dhe si një “problem i vjetër që nuk qetësohet kurrë”.
“Mjedisi mediatik në Bullgari është i militarizuar. Kjo mund të zgjidhej me diversitet mediatik, të garantuar nga instrumente ligjore për t’i dhënë fund përqendrimit të tregut dhe për të kufizuar blerjen e medias nga politikanët,” tha ai.
Ai vërejti me keqardhje tonin e ashpër të gjuhës armiqësore në media – jo vetëm ndaj grupeve të minorancës, por edhe ndaj politikanëve dhe aktorëve shoqërorë.
“Gazetaria është zëvendësuar nga propaganda. Media po merret me krijimin e armiqve dhe me udhëheqjen e betejave,” tha ai.
“Lufta mes pronarëve të medias është kthyer gjithashtu edhe në luftë mes gazetarëve”, shtoi ai, duke nxitur gazetarët të krijojnë sindikata më efikase “për t’u mbrojtur nga pronarët”.