
Ajo që ka ndryshuar në mënyrë themelore me administratën e Trump nuk është se ajo sillet në mënyrë më egoiste se sa administratat paraardhëse, por se kjo aktualja duket se nuk është e bindur se sistemi global i shërben interesave strategjike të SHBA-së. Për pjesën tjetër të botës, pyetja kyçe është nëse sistemi botëror është mjaftueshëm i fortë për t’i mbijetuar tërheqjes së vendit që e krijoi atë.

Forumi Ekonomik Botëror i Davosit i këtij viti rezultoi mundësia e radhës për Presidentin e SHBA-së Donald Trump dhe administratën e tij që të shpalosë mungesën e vetëpërmbajtjes verbale dhe për të shkaktuar valë tronditëse në të gjithë ekonominë botërore. Këtë herë pati dy burime tronditjeje.
Tronditja e parë erdhi nga Sekretari i Thesarit të SHBA-së Steven Mnuchin, i cili theu më shumë se dy dekada disipline të ashpër duke sugjeruar se një dollar më i dobët është në interes të Amerikës. E dyta erdhi nga Sekretari i Tregtisë Wilbur Ross, i cili duket se u gëzua nga perspektiva e shpalljes dhe fitores së një lufte tregtare.
Së paku në këtë rast, ishte vetë Trump që riktheu qetësinë duke mohuar se SHBA po ndjek një strategji lufte tregtare në kurriz të fqinjëve. Por ai e bëri këtë vetëm pasi deklaratat e sekretarëve të kabinetit të tij patën tërhequr reagime të ashpra nga partnerët ndërkombëtarë.
Nëse viti i parë i Trump në pushtet ofron ndonjë indikacion se çfarë pritet të ndodhë më vonë, ka pak arsye për të pritur një udhëheqësi ekonomike amerikane më të qëndrueshme. Një vit pas inagurimit, Davosi ofroi një rikujtesë së fuqishme se ai është larg të qenit i normalizuar.
Që të jemi të drejtë, administrata e Trump natyrisht n uk është e para e tillë që e vë “Amerikën të parën.” Për shkak të sistemit politik që sheh nga brenda dhe persistencës së rrymave izolacioniste, SHBA ka qenë vazhdimisht më ngurrues se sa vendet Europiane për të hyrë në apo për t’iu bindur angazhimeve ndërkombëtare. Refuzimi më 1948 i Kapitullit të Havanës (një përpjekje e hershme për të krijuar një organizatë globale të tregtisë), armiqësia nga kongresi ndaj institucioneve të Breton Uds, apo refuzimi i Presidentit George W. Bush për të ratifikuar Protokollin e Kiotos mbi ndryshimet klimaterike janë thjeshtë disa nga shembujt e shumtë.
Në mënyrë të ngjashme, marrja e masave të pamëshirshme në mbrojtje të interesave të SHVA-së nuk ka nisur me Trump. Presidenti Richard Nixon me vendimin e njëanshëm të vitit 1971 për të braktisur standardin e arit solli një goditje të madhe ndaj sistemit monetar ndërkombëtar. Eksperimenti monetarist i Rezervës Federale të SHBA në fund të viteve 1970 përshkallëzoi krizën e borxheve të Amerikës Latine. Bashkëpunimi me Japoninë në vitet 1980 anashkaloi rregullat ekzistuese të tregtisë. Dhe pas krizës financiare botërore të vitit 2008, Fed zbatoi lehtësimin sasior pavarësisht protestave se kjo gjë po lejonte SHBA-në të eksportonte deflacion.
Megjithatë ka diçka të ndryshme këtë herë. Nga momenti që SHBA trashëgoi udhëheqësinë botërore nga Mbretëria e Bashkuar – simbolikisht përmes nënshkrimit të Kapitullit të Atlantikut në vetën e vitit 1941 – deri kur Trump u zgjodh 75 vjet më vonë, shumë pak dyshojnë se SHBA ishte pronari final i regjimit ekonomik ndërkombëtar. Në varësi të kohës dhe kushteve politike, SHBA mund të sheqeroste rregullat ose të ndihmonte për imponimin e zbatimit të tyre; SHBA mund të sillet në mënyrë egoiste ose mund të jetë bujare; dhe njëkohësisht SHBA mund të ndjekë interesa të ngushta dhe afatshkurtra ose objektiva afatgjata. Por çfarëdo gjëje që bënte SHBA, ajo mbetej aksioneri dominues në sistemin botëror. Dhe pjesa tjetër e botës e dinte këtë shumë mirë.
Kishte arsye të forta gjeopolitike për këtë qëndrim. Deri sa përfundoi Lufta e Ftohtë, sistemi i rregullave dhe organizatave që përbënin infrastrukturën institucionale për tregti ndërkombëtare, investime dhe financë konsiderohej nga estabilishmenti i SHBA-së si i tillë që ishte me rëndësi jetësore për mirëqenien e “botës së lirë” dhe për kufizimin e ndikimit të sovjetikëve. Pas kolapsit të Bashkimit Sovjetik, sistemi shërbeu si mjet strategjik për të integruar ish-vendet komuniste në ekonominë ndërkombëtare kapitaliste.
Eventualisht, në fillim të viteve 2000, sistemi ekonomik botëror filloi të shihej si platforma më e mirë për të përballuar ngritjen e Kinës. Kina u ftua të bashkohet me këtë klub, me premtimin e nënkuptuar se pasi ajo të mësonte të luante sipas rregullave, mund të kontribuonte për t’i amenduar rregullat. Ajo mund të merrte shansin për të drejtuar sistemin ndërkombëtar dhe gradualisht të fitonte pushtet dhe ndikim. Pranimi i Kinës në Organizatën Botërore të Tregtisë më 2001 ishte një arritje e rëndësishme për këtë.
Ajo që ka ndryshuar në mënyrë themelore me administratën e Trump nuk është se ajo po sillet me më egoizëm se sa administratat paraardhëse. Fakti është që administrata aktuale duket e pabindur në idenë se mbështetja e sistemit global i shërben interesave strategjike të SHBA-së. Në mënyrë kritike ajo duket e pabindur se integrimi i Kinës në këtë sistem dhe ofrimi i një vendi në majë të tryezës për të është mënyra më e mirë për të akomoduar një fuqi ekonomike në rritje.
Për pjesën tjetër të botës, pyetja kyç është nëse ky sistem global është mjaftueshëm i fortë për të mbijetuar nga tërheqja prej tij i vendit që e krijoi atë. Në sipërfaqe, pasojat ekonomike ndërkombëtare të Trump duken të mira. Shqetësimet mbi luftëra monetare janë pakësuar. Ekonomia botërore nuk ka hyrë në një spirale proteksionizmi. Edhe tërheqja e SHBA-së nga marrëveshja delikate për klimën e Parisit nuk solli kolapsin e saj. Përkundrazi, udhëheqës të tjerë – duke filluar me Presidentin Xi Jinping të Kinës – kanë konfirmuar angazhimin e tyre për të dhe 174 vende e kanë ratifikuar formalisht atë. Shqetësimet nga fusha e sigurisë duken më serioze, duke marrë parasysh vënien në diskutim të marrëveshjes bërthamore me Iranin dhe pasigurinë e trajtimit të lëshimeve të raketave nga Koreja e Veriut.
Por mendimi se ekonomia, së paku është në terren të fortë, është një mendim i keqinformuar, për shkak se ai supozon se rregullat dhe institucionet ekonomike botërore kanë krijuar ekuivalentin e një kushtetute ekonomike dhe financiare. Në të vërtetë, sistemi mbetet ende sërish tepër i paplotë për t’u vetërregulluar dhe funksionimi i tij kërkon udhëheqësi të vazhdueshme dhe iniciativa të shpeshta diskrecionare. Kjo është arsyeja se pse grupime joformale të tilla si G7 dhe G20 mbeten thelbësore: ato ofrojnë impetusin e nevojshëm politik. Por edhe ato varen në mënyrë vendimtare nga mbështetja dhe udhëheqësia e SHBA-së.
Për shembull, nuk ishin rregullat e sistemit ato që ofruan një përgjigje ndaj krizës së vitit 2008; ishte seria me iniciativa ad hoc – një pengim i proteksionizmit tregtar, ndërhyrje të koordinuara për shpëtimin e bankave nga falimenti, një stimul botëror dhe ofrimi i likuiditetit në dollarë përmes linjave të shkëmbimit. Këto janë vetëm një pjesë e vogël e shumë masave të tilla që i detyrohen në masë të madhe SHBA-së. Mungesa e udhëheqësisë së saj dhe iniciativave të lojtarëve të tjerë kyçë të tillë si Mbretëria e Bashkuar dhe Franca mund ta kishin bërë krizën shumë më të keqe nga sa ishte.
E vërtetë, lojtarët e tjerë të mëdhenj – Europa, Kina, India dhe Japonia – munden eventualisht të jenë të afta të ushtrojnë udhëheqësi globale. Por tani për tani, këto vende nuk kanë vullnetin, kapacitetet dhe kohezionin që kërkohet për këtë. Pra bota nuk duhet të ushqejë iluzione. Për ta mbajtur varkën në kursin e duhur pasi piloti është larguar kjo është njëra anë e problemit; për ta drejtuar varkën nën një stuhi kjo është një çështje tjetër. Ne duhet të shpresojmë që stuhia e ardhshme të mos na godasë tani shpejt.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2018. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. The International Economic Consequences of Mr. Trump