AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Tema:
  • Belinda Balluku
  • Erion Veliaj
  • Veting
    • KPK
    • KP
    • KPA
  • SPAK
  • Mjedisi
  • Edi Rama
  • Sali Berisha
  • Donald Trump
  • Zgjedhje 2025
    • Zgjedhje të pjesshme
AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
AI News
Kryefaqja Analiza

Mungesa e vaksinimit rikthen fruthin në Shqipëri

Lindita ÇelangaLindita Çela
8 years më parë
në Analiza, Artikull kryesor Analiza, Faqja e pare
Koha e leximit: 8 min lexim
A A
0
Ndaj në FacebookNdaj në Twitter
Femije dhe prinder duke pritur ne rradhe per tu vizituar ne spitalin pediatrik ne Tirane. Sipas ISHP rreth 14 mije persona jane te prekur nga viruset gripale dhe 27 mije me fruth, ne vendin tone. /r/n/r/nChildren and parents waiting in line at the pediatric hospital in Tirana. According to the ISHP, about 14,000 people are affected by swine flu and 27,000 in measles in Albania.

Qindra raste dhe dy viktima janë shënuar prej fruthit gjatë tre muajve të fundit në Shqipëri, një shpërthim i sëmundjes infektive të zhdukur prej më shumë se një dekade që vjen si pasojë e mungesës së vaksinimit.  

Fëmijë dhe prinder duke pritur në rradhë për tu vizituar në spitalin pediatrik në Tiranë. | Foto nga : LSA

Dy foshnja, 4 dhe 8 muajsh kanë humbur jetën që kur në Shqipëri u rishfaq disa muaj më parë virusi i fruthit.

Sëmundja e konsideruar e zhdukur prej më shumë se një dekade u rikthye në janar të vitit 2018, ku dhe u identifikua një foshnje 4 muajsh e cila më pas humbi jetën në Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ në Tiranë.

Të dhënat zyrtare të Institutit të Shëndetit Publik, ISHP, flasin për 352 fëmijë të prekur nga ky virus nën moshën 14 vjeç, në zona si Tirana, Lezha, Durrësi, Kukësi, Vlora dhe Elbasani.

Dy muaj pasi sëmundja infektive shpërtheu, në urgjencën e spitalit të fëmijëve në QSUT paraqiten mbi 10 raste pacientësh në ditë, si të dyshuara të prekur nga ky virus – ndërkohë që në pavijonin e infektivit më mes të muajit mars ishin të shtruar 60 fëmijë që merrnin trajtimin mjekësor kundër fruthit.

Sëmundja e menduar e zhdukur që nga viti 2007, është përhapur masivisht dhe sipas disa mjekëve të intervistuar nga BIRN vendi është në kushtet e një epidemie.

“Nëse Ministria e Shëndetësisë nuk ka deklaruar se jemi në epidemi të fruthit, do të thotë se i shmanget përgjegjësive institucionale, çka do të thotë se kërkon të minimizoje ose anashkaloje problemin,” i tha BIRN mjeku i sëmundjeve infektive Pëllumb Pipero.

Ky fakt mohohet nga Instituti i Shëndetit Publik, dhe Ministria e Shëndetësisë, të cilat deklarojnë se edhe pse situata është shqetësuese, shpërthimi i fruthit mbetet nën kontroll.

Mjekët shpjegojnë se në shpërthimin e fundit të sëmundjes së fruthit kanë ndikuar kultura fetare, frika nga vaksinimi por dhe mosmarrja e masave të duhura të izolimit nga institucionet e shëndetit publik.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, OBSH, rastet e fruthit në Europë u rritën katër herë gjatë vitit 2017, duke prekur më shumë se një 21 mijë persona dhe duke shkaktuar 35 viktima.

“Çdo pacient i ri i prekur nga fruthi na kujton se fëmijët dhe të rriturit e pa vaksinuar, kudo që ato jetojnë, rrezikohen të preken nga sëmundja dhe t’ia transmetojnë atë të tjerëve,” u shpreh në shkurt doktoreshë Zsuzsanna Jakab, drejtuese rajonale e OBSH-së në Europë.

“Mbi 20 mijë raste fruthi dhe 35 jetë të humbura vetëm në 2017 janë një tragjedi që ne nuk duhet ta pranojmë,” shtoi Jakab.

Pavijoni i fëmijëve

Hera e fundit që virusi i fruthit është regjistruar në Shqipëri është gjatë viteve 2006-2007. Sipas një studimit të publikimit shkencor ‘International Journal of Science and Research’, gjatë atij shpërthimi u regjistruan 68 pacientë të prekur nga virusi. Një dekadë më pas pacientët e prekur nga virusi janë pesëfish më shumë.

Djali 8 muajsh i Kimete Tushës është një prej tyre. Kimetja dhe i biri nga fshati Balldren i Lezhës prej disa ditësh ndodhen të shtruar në pavijonin e infektivit në Spitalin e Pediatrisë, në qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza. Në dhomë ndodhen dhe tre fëmijë të tjerë nën moshën një vjeç, të cilët, sipas ekipit mjekësor janë të identifikuar si të prekur virusi i fruthit. I biri ka temperaturë të lartë ndërkohë që lëkura e njomë është mbuluar me dregëza që i kanë shpërthyer në të gjithë trupin.

“Ende nuk e di nëse djali ka fruth. Kam dy ditë e shtruar por nuk janë bërë ende analizat,” tha Kimetja. “Thonë se nuk ka material e po presim,” të tregon gruaja nga fshati i Lezhës, një rajon ku deri më tani janë identifikuar 33 raste të fruthit.

Mjekët e pavijonit të pediatrisë i thanë BIRN se gjatë javës së dytë të muajit mars, janë pezulluar të gjitha analizat e ekzaminimit të fruthit për shkak të mungesës së kiteve. Ata shtuan se vendosnin për shtrimin e fëmijëve në bazë të simptomave, në pritje të analizave përfundimtare

Pretendimi i mjekëve hidhet poshtë nga ISHP, i cili insiston që kitet për ekzaminimet e fruthit nuk mungojnë.

“Në ISHP kryen testime serologjike për matjen e kundërtrupave ndaj fruthit si dhe testime molekulare për identifikimin e materialit gjenetik të virusit të fruthit si dhe identifikim në kultura qelizore të virusit,” tha Instituti në një përgjigje me shkrim.

“Në bazë të përkufizimit të rastit për t’u përcaktuar si rast i konfirmuar nuk është vetëm ekzaminimi laboratorik për fruth por edhe vërtetimi që rasti ka kontakt me një rast të vërtetuar laboratorikisht për fruth. Për këtë arsye jo çdo rast duhet të testohet për fruth,” shtoi ISHP.

Në mesin e muajit mars,i gjithë pavijoni i Infektivit në katin e dytë të spitalit të Pediatrisë në QSUT ishte i mbushur me pacientët e vegjël që vuajnë nga fruthi.

Për shkak të rasteve të shumta, autoritetet kanë vënë në dispozicion të fëmijëve të prekur edhe katin e tretë por dhe dhoma të tjera të spitalit të Pediatrisë.

Ndryshe nga sa thotë dhe protokolli i sëmundjeve infektive, fëmijët e prekur nuk janë të izoluar.

Në pavijonin e infektivit mund të hysh lirisht dhe ndërkohë që të prekur me fruth gjen edhe në pavijonet e tjera ku janë të shtruar fëmijë që janë nën trajtim mjekësor për sëmundje të tjera.

Mjekët i thanë BIRN se për shkak të kushteve dhe popullimit thuajse ka qenë e pamundur izolimi i fëmijëve të prekur me fruth.

“Ne jemi kujdesuar që ata të jenë afër fëmijëve të vaksinuar, pasi nuk ka asnjë rrezik infektimi,” tha një nga mjekët të cilët dhe pse punojnë në pavijonin e infektivit nuk i sheh me doreza apo masa të tjera mbrojtëse.

Sipas Institutit të Shëndetit Publik izolimi, vendosja e maskave apo dhe dezinfektimi janë masat e para që ka marrë Ministria e Shëndetësisë pas rastit të parë me fruth të shënuar në janar 2018.

“Që në fillim të shpërthimit të sëmundjes u përgatiten një sërë urdhrash të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale si izolimi ne pavijone të caktuara; masa standarde të kontrollit të infeksionit dhe të transmetimit ajror; përdorim i maskave nga personeli dhe pacientet kur shkojnë në ekzaminime; sigurim i dezinfektimit të mjediseve spitalore të përdorura më parë nga të sëmurët,” nënvizon ISHP në përgjigjen e saj.

Profesor Doktor Tritan Kalo shpjegon se fruthi ka tendencë përhapjeje më të lartë në raport me çdo sëmundje tjetër infektive.

Sipas Kalos, një i sëmurë mundet të infektojë nga 10 deri në 20 persona të tjerë. Kalo sugjeroi se vaksinimi dhe vetëizolimi i rasteve të pandërlikuara ose izolimi i rasteve me ndërlikime në mjediset tona spitalore do të ishte mënyra më emirë për të ulur numrin e rasteve me fruth.

Rikthimi i fruthit

Përhapja në mënyrë të shpejtë dhe në një periudhë të shkurtër kohore e fruthit, për mjekët është tregues i mungesës së politikave mbrojtëse ndaj sëmundjeve infektive në vend.

“Për fat të keq ne nuk kemi studime survejance për të parë imunizimin e popullsisë dhe për të ndërtuar politika mbrojtëse,” deklaroi Pipero.

“Mungesa e informacionit dhe mosvaksinimin i popullatës mundësuan rikthimin e fruthit në Shqipëri, jo në raste sporadike, siç mund të ishte normale, por si epidemi,” shtoi ai.

Ndërsa për mjekun Tritan Kalo lëvizjet demografike kanë ndikuar në mosvaksinimin e popullatës në mbarë vendin.

“Në mosvaksinimin e rregullt ndaj kësaj sëmundje ka ndikuar edhe zhvendosjet e mëdha të popullatës pas vitit 1990, çka ka bërë që një pjesë jo e vogël e prindërve të mos kenë ndjekur me kujdes skemën e vaksinimit të rregullt të fëmijëve të tyre në përputhje me Kalendarin Vaksinal të aplikueshëm te ne,” tha Kalo.

Ndyshenga Kalo, Pipero insiston që përhapje e shpejtë e virusit erdhi si pasojë e neglizhencës së autoriteteve zyrtare.

“Mangësitë në vaksinim, cilësia e vaksinës dhe kushtet e ruajtjes së saj, këtu mund të përmend vaksinën e përdorur në vitet 80-90 dhe të dhënat e dokumentuara për efikasitetin e dyshuar të saj, e njëkohësisht thirrjen për rivaksinim të kësaj fashë të popullsisë,” tha Pipero.

“Së dyti, mangësitë apo xhepat e krijuar në vaksinim, pra rastet që i kanë “shpëtuar” vaksinimit si dhe rastet që me dashje nuk janë vaksinuar,” shtoi Pipero, duke nënvizuar që fushata e komunikimit nga institucionet për vaksinimin e popullatës ka munguar.

Instituti i Shëndetit Publik i hedh poshtë akuzat dhe deklaron se janë marrë të gjitha masat për të mbajtur sëmundjen nën kontroll.

“Ndër masat e tjera në popullate ishte evidentimi i kontakteve dhe gjendja e vaksinimit të tyre si dhe vaksinimi i kontakteve brenda 72 orëve sipas nevojës. U vendos survejancë aktive në QSUT dhe në spitalet rajonale/bashkiake në bashkëpunim me Drejtorinë e Shëndetit Publik (DSHP),” tha ISHP, duke listuar masat e marra.

“Po kështu në bashkëpunim me DSHP-të u përgatit një plan masash për gjurmimin e kontakteve dhe gjendjen e vaksinimit të tyre në çerdhe, kopshte dhe shkolla,” shtoi Instituti.

Evidentimi i fëmijëve të prapambetur në kryerjen e vaksinimit si dhe shkaqet e mos kryerjes së vaksinimit, janë çështjet që po hetohen nga grupet e monitorimit të Institutit të Shëndetit Publik, i cili paralajmëron se do të ndërmerren masa ndaj personelit përgjegjës për mos funksionimin si duhet të skemës së vaksinimit.

Frikë nga autizmi

Kimete Tusha tregon se nuk e ka vaksinuar kundër fruthit foshnjën e saj. Kishte dëgjuar se vaksina mund ta dëmtonte shëndetin e djalit të saj para moshës 1 vjeç. Sipas Dr. Tritan Kalos shumë nëna ndikohen dhe nga teoritë konspirative mbi efektet negative të vaksinës.

“Ka pasur një jehonë shumë negative në popullatë lidhja e mundshme shkak-pasojë e tri-vaksinës Fruth – Rubeolë – Parotit, me Autizmin, ndaj dhe një pjesë jo e neglizhuese e prindërve kanë hezituar dhe vijojnë të hezitojnë të vaksinojnë fëmijët ndaj këtyre tre sëmundjeve,” shpjegoi ai.“Koha dhe studimet e deritanishme të bëra në këtë drejtim nuk e justifikojnë aspak një frikë të tillë,” shtoi Kalo.

Megjithëse nuk ka studime që lidhin pasojat që shkaktonvaksina e fruthit me autizmin, dhe pse ka pasur raste të rralla, serish ekspertët përjashtojnë ndikimin e saj.

“Sa i takon efekteve anësore të vaksinës, autizmit konkretisht, raste të tilla ka pasur, edhe pse shumë të rralla, pra fëmijë autik tek të cilët autizmi është lidhur me vaksinimin,” u shpreh Pipero.

“Dua t’ju siguroj se nuk ka studime statikistikisht të provuara që e lidhin vaksinën me autizmin, edhe pse nuk e përjashtojnë atë. Me këtë rast dua t’i këshilloj gjithë qytetarët të vaksinojnë fëmijët e tyre dhe të mos kenë asnjë frikë se fëmijët e tyre do të sëmuren nga autizmi,” shtoi ai.

Sipas udhëzimeve OBSH-së vaksinimi ndaj fruthit fillon në moshën 13-15 muaj. Sipas Piperos, fëmijët e porsalindur janë të mbrojtur deri në moshën 6 muajsh nga antitrupat e gatshëm që marrin nga nëna.

“Nëse nëna është e pa vaksinuar ose a pa mbrojtur në rruge natyrale nga fruthi, edhe fëmija është i pa mbrojtur, dhe në rast epidemie janë ata që preken të parët, madje e manifestojnë fruthin në forma të rënda deri vdekjeprurës,” shpjegoi ai.

Për të mënjanuar pasojat e kësaj sëmundje, Ministria e Shëndetësisë ka përfshirë në skemën e vaksinimit edhe individët që kanë lindur në periudhën e viteve 1980-1990. Instituti i Shëndetit Publik deklaron se deri më tani, që kur është shfaqur rasti i parë i fruthit janë kryer 22 mijë vaksinime në nivel kombëtar jashtë procesit rutinë.

Etiketa: AutizmiBalldrenBIRNfushataidentifikimInstituti i Shëndetit PublikISHPKulturaLezhëMasaMjekmjekëOBSHParaQSUTrajonraportrrezikScienceSHshkollashpërthimshqipShqipërispitaletSpitalet rajonaletë zhdukurtestimeTiranavaksinvaksinavaksinëvaksinimviktimavirusVlora
Tjetri
Si e zhduku Wikipedia kroate një kamp përqendrimi

Si e zhduku Wikipedia kroate një kamp përqendrimi

Presione dhe intimidim: Çifti Veliaj dhe Bushka akuzohen për pengim të drejtësisë

SPAK kërkon dënimin me 400 mijë lekë gjobë për ish-deputeten Klotilda Bushka

16:01 | 03/06/2026
protesta 1

Letër e hapur për arkitektët e huaj: Flisni për atë që po ndodh në Nartë!

13:32 | 03/06/2026
Favorizoi ndërtimet jashtë lejeve, prokuroria kërkon gjykimin e ish-drejtoreshës së ASHK Tiranë

Titullarët dhe 10 punonjës të një dege të UBA Bank akuzohen se vodhën klientët

10:34 | 03/06/2026
foto 02 (1)

‘Autor i projektit’: Pse Rama po përpiqet të manipulojë revoltën për Zvërnecin?

07:08 | 03/06/2026
I akuzuari për kontrabandën e cigareve fiton lirinë me 1 milion euro garanci

Apeli heq apartamentin e Ergys Agasit nga sekuestroja

17:19 | 02/06/2026
hjzltqvxcaa0cwg

Grupimi i Partive Ambjentaliste Europiane kundër resortit të ‘Kushner’ në Zvërnec

16:52 | 02/06/2026
  • Opinion
  • Reportazhe
  • Analiza
  • Investigime
  • Lajme
  • Blog
  • Rajoni
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Letra për redaktorin
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2026 Reporter.al - BIRN
Dev by Sfida.PRO

Menaxho Pëlqimin

Për të ofruar përvojën më të mirë, ne përdorim teknologji si cookies për të ruajtur dhe/ose për të aksesuar informacionin e pajisjes. Pranimi i këtyre teknologjive do të na lejojë të përpunojmë të dhëna si sjellja e shfletimit ose ID-të unike në këtë faqe. Mos pranimi ose tërheqja e pëlqimit mund të ndikojë negativisht në disa veçori dhe funksione.

Funksionale Always active
Ruajtja ose aksesi teknik është rreptësisht i nevojshëm për qëllimin e ligjshëm të mundësimit të përdorimit të një shërbimi specifik të kërkuar shprehimisht nga abonenti ose përdoruesi, ose me qëllimin e vetëm të kryerjes së transmetimit të një komunikimi përmes një rrjeti komunikimi elektronik.
Preferences
The technical storage or access is necessary for the legitimate purpose of storing preferences that are not requested by the subscriber or user.
Statistika
Ruajtja ose aksesi teknik që përdoret ekskluzivisht për qëllime statistikore. The technical storage or access that is used exclusively for anonymous statistical purposes. Without a subpoena, voluntary compliance on the part of your Internet Service Provider, or additional records from a third party, information stored or retrieved for this purpose alone cannot usually be used to identify you.
Marketing
Ruajtja ose aksesi teknik është i nevojshëm për të krijuar profile përdoruesish me qëllim dërgimin e reklamave, ose për të ndjekur përdoruesin në një faqe interneti ose në disa faqe interneti për qëllime të ngjashme marketingu.
  • Manage options
  • Manage services
  • Manage {vendor_count} vendors
  • Read more about these purposes
Shiko preferencat
  • {title}
  • {title}
  • {title}
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista

© 2024 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.