Sipas metodologjisë së vlerësimit të Komisionit Europian, nga 33 kapituj të negociatave që pritet të hapen, Shqipëria ka marrë notën “pak progres” në 30 fusha ndërsa “progres i mirë” është shënuar në vetëm dy fusha. Shqipëria gjendet në “nivel të mesëm” në shumicën e fushave ku kërkohet përmirësim përpara anëtarësimit.
Komisioni Europian rekomandoi hapjen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë, për arsye që duket se lidhen me dëshirën e komisionit për të dhënë një sinjal se dyert e saj nuk janë të mbyllura, por sa i përket detyrave të shtëpisë, të cilat Shqipëria do të duhet të bëjë para se të vijë anëtarësimi, punët nuk duket se kanë ecur edhe aq mirë.
Raporti i progresit, i cili përdor pesë shkallë për të vlerësuar zhvillimet në një vend kandidat, i ka dhënë notën 3 zhvillimeve në shumicën e 33 kapitujve të bisedimeve, duke treguar se hë për hë, qeveria nuk e ka me shumë nxitim të punojë e fokusuar për plotësimin e kritereve.
Një analizim tërësor i raportit me 107 faqe, tregon se Shqipëria ka marrë notën “pak progres” në 30 nga 33 kapitujt dhe notën “progres i mirë” në dy kapituj. Në një kapitull nuk ka pasur progres. Përgjatë të gjithë raportit vërehet dëshira e zyrtarëve të Brukselit për të qenë pozitivë dhe për t'u përmbajtur në kritika si dhe për të shënuar si zhvillime pozitive çfarëdolloj ndryshimi, qoftë ky edhe ndryshim i vogël, si miratimi i një ligji apo një rregulloreje. [Link raporti]
Shqipëria u indentifikua si vend potencial kandidat për në BE në samitin e Selanikut në vitin 2003. Në vitin 2009 Tirana dorëzoi aplikimin zyrtar për anëtarësim. Në vitin 2012 Komisioni Europian rekomandoi miratimin e statusit kandidat, një rekomandimin që u miratua nga Këshilli i BE-së në vitin 2014. Rekomandimi pozitiv i Komisionit për hapjen e negociatave për anëtarësim i dhënë të martën duhet të marrë gjithashtu miratimin e Këshillit të BE-së.
Metodologjia
Raporti i Progresit vlerëson ndryshimin gjatë periudhës së raportimit në vendet kandidate me pesë shkallë: 1. Hapa pas; 2. Jo Progres; 3. Pak Progres; 4. Shumë progres dhe; 5. Progres shumë i mirë.
Stadi i zhvillimeve në një vend kandidat matet gjithashtu me pesë shkallë. Kjo synon të vlerësojë se sa i përgatitur është një vend për anëtarësim në BE në një nga 33 fushat e diskutuara. këto vlerësime janë: 1. Hapat e parë; 2. pak përgatitje; 3. relativisht i përgatitur; 4. Nivel i mirë dhe; 5. I përparuar.
Ky lloj vlerësimi me nota si në shkollë nisi fillimisht në raportin e progresit të vitit 2015. Ai synon që të masë se çfarë ka ndryshuar realisht në secilin nga 33 kapitujt. Kapitujt, apo fushat, përfshijnë pothuajse çdo gjë, nga lëvizja e lirë e mallrave, e punëtorëve apo e kapitalit, te cilësia e prokurimeve publike, zbatimit të ligjeve rregullatore të biznesit apo lirinë e shprehjes e të drejat e njeriut.
Sipas këtyre vlerësimeve, Shqipëria gjendet në fazën e tretë të zhvillimit pra vlerësohet se është “relativisht e përgatitur” për 15 nga 33 fushat ndërsa është “pak e përgatitur” në 12 fusha dhe gjendet në hapat e parë në 5 fusha. Vetëm në një fushë, në fushën e “sigurisë së jashtme dhe politikat e mbrojtjes” Shqipëria konsiderohet në “nivel të mirë përgatitjeje” ndërsa në asnjë fushë nuk gjendet në stadin final, pra në “gjendje të përparuar”, stadi kur vendi është gati për anëtarësim.
Asnjë hap pas, por pak progres
Komisioni Europian vlerëson shumë rrallë zhvillimet në një vend kandidat si të tilla që përbëjnë “hapa pas” në rrugën drejt integrimit Europian. Përgjatë viteve të fundit, “hapa pas” janë vlerësuar vetëm Turqia ka marrë vlerësime të tilla si pasojë e ngritjes së autoritarizmit të Erdogan dhe arrestimit e burgosjes së mbi 150 gazetarëve. Mali i Zi ka marrë një notë “hap pas” në fushën e prokurimeve publike. Pjesa tjetër e Ballkanit, njësoj si Shqipëria, ka marrë shumë nota “pak progres” ndërsa Serbia ka marrë një numër të lartë notash “jo progres”
Në rastin e Shqipërisë, 30 nga 33 fusha vlerësohet se kanë pasur “pak progres” në krahasim me raportin paraardhës të publikuar në vitin 2016. Në dy fusha ka pasur “progres të mirë”. Njëra nga fushat është “Drejtësia dhe të Drejtat Themelore”, e cila është vlerësuar me notë pozitive, por jo me notën më të lartë të mundshme, për shkak të miratimit dhe fillimit të zbatimit të reformës në drejtësi. Fusha tjetër e vlerësuar me progres të mirë është Bujqësia dhe Zhvillimi Rural. Arsyeja për këtë notë është zhvillimi i kapaciteteve të programit IPARD II. Por pavarësisht se ka marrë notë të mirë për zhvillimet gjatë vitit të fundit, bujqësia shqiptare vijon të vlerësohet si “në hapat e para” në stadin e përgatitjes për anëtarësim.
Një fushë, Liria e Lëvizjes për Punëtorët, ka marrë notën “jo progres” në mënyrë të përsëritur që nga viti 2015.