Pavarësisht rritjes së dobët, Mbretëria e Bashkuar vazhdon të jetë mirë ekonomikisht dhe mbetet një lider botëror në arsimin e lartë. Por që ta ruajë këtë sukses edhe pas Brexit, universitetet britanike duhet të kontribuojnë më shumë te nxitësit kryesorë të rritjes së produktivitetit dhe krijimit të pasurisë.
Mbretëria e Bashkuar renditet rreth midis 22 vendeve në aspektin e popullsisë. Ekonomia e saj është diku midis nivelit të pestë dhe të shtatë në botë përsa i takon GDP-së nominale (në dollarë amerikanë), e cila mund të krahasohet me ekonomitë e Indisë dhe Francës. Përsa i përket pasurisë – pra, GDP-së të përshtatur për popullsinë – renditet diku midis vendit të 22-të deri në vendin e 30-të.
Nuk është e lehtë që një ekonomi kombëtare të jetë e madhe dhe gjithashtu shumë e pasur. Shumë nga vendet më të pasura në botë kanë tendencë të jenë mjaft të vegjël në aspektin e popullsisë dhe GDP-së nominale. Në fakt, nga 20 vendet më të pasura në botë, vetëm rreth dhjetë prej tyre janë edhe ata më të populluarit. Kreun midis tyre e mbajnë Shtetet e Bashkuara, të cilat aktualisht udhëheqin botën në aspektin e GDP-së nominale dhe janë ndër vendet më të populluara dhe më të pasura në botë. Pra, SHBA-ja është shumë mirë dhe Britania e Madhe është gjithashtu goxha mirë.
Por ndërkohë që në SHBA ndodhen 31 nga 100 universitet më të mira në botë, në Britani ndodhen 16 të tillë, përfshirë katër në grupin e dhjetë më të mirëve, sipas Renditjeve të Universiteteve më të Mira QS. Duke pasur parasysh madhësinë më të vogël të Mbretërisë së Bashkuar, ky është një tregues mbresëlënës. Për më tepër, katër nga 100 universitetet më të mira ndodhen në Londër. Dhe, në 16%, pjesa e Britanisë së Madhe në 100 universitetet më rë mira është katër herë më e madhe sesa GDP-ja globale.
Duket sikur arsimi i lartë është një zonë ku Britania e Madhe shkëlqen vërtet. Dhe megjithatë, tërheqja e afërt e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian mund ta kërcënojë këtë sukses. Ashtu siç kanë theksuar shumë mbështetës pasionant të universiteteve britanike, vazhdimi i shkëlqimit në arsimin e lartë pas Brexit do të varet nga fakti nëse Britania e Madhe do t’i japë ende mundësi qasjeje studentëve të huaj dhe akademikëve jo-vendës.
Unë ndaj këtë shqetësim dhe i mbështes të gjithë ata që tani po i bëjnë thirrje qeverisë t’i përjashtojë studentët nga shifrat neto të emigracionit. Është e vështirë të shihet se si ndalimi i të rinjve më premtues në botë duke i larguar ata mund të plotësojë premtimin e rremë të krijimit të një “Britanie botërore”.
Tani merrni në shqyrtim disa gjetje të tjera nga renditjet universitare të këtij viti. Përveç SHBA-së, edhe Australia dallon. Edhe pse ekonomia e saj është sa gjysma e madhësisë së Britanisë së Madhe, ajo ka shtatë nga 100 universitetet më të mira në botë. Shumë vende me nivele të larta pasurie dhe produktiviteti nuk njihen si bastione të arsimit të lartë. Për shembull, Gjermania është ndër 20 vendet më të populluara dhe ndër 20 vendet më të pasura në botë dhe është lehtësisht në dhjetëshen më të mirë përsa i takon GDP-së nominale, por universiteti i saj i renditur më mirë është i 64-ti në botë dhe ka vetëm tre institucione në 100 më të mirë.
Këto gjetje ngrenë dy pyetje të rëndësishme. Së pari, nëse vendet e tjera mund të bëhen më produktive dhe më të pasura sesa Mbretëria e Bashkuar pa shkëlqyer në arsimin e madh, a po dështon Mbretëria e Bashkuar dalë mirë në nxitës të tjerë të rritjes ekonomike? Dhe së dyti, a munden vetë universitetet britanike të bëjnë më shumë për të nxitur produktivitetin dhe krijimin e pasurisë, duke rritur mundësitë e punësimit dhe duke trajtuar dështimet e tregut të punës në fqinjësitë e tyre?
Përgjigjja për pyetjen e dytë është padyshim që po. Shumë drejtues universitarë sot janë nën një presion të padrejtë për të ruajtur reputacionin e institucioneve të tyre për kërkime në rang botëror. Dhe, për të qenë të sigurt, kërkimet janë arsyeja kryesore pse kaq shumë universitete angleze shfaqen në renditjen e 100 më të mirëve. Por, që ai sukses të vazhdojë, ata do të duhet të gjejnë më shumë mënyra për të kontribuar në ekonominë gjithnjë e më të varur nga teknologjia të Mbretërisë së Bashkuar, në mënyrë që ajo të vazhdojë të konkurrojë me ekonomi të tjera të zhvilluara pas Brexit.
Që nga konceptimi i planit të “Northern Powerhouse” nën qeverinë e mëparshme, unë kam vazhduar të mendoj se përpjekjet e përbashkëta të udhëhequra nga universiteti mund të bëjnë më shumë për të kontribuar në zhvillimin ekonomik në zonat jashtë Londrës. Për këtë qëllim, tetë institucione kryesore në Anglinë e Veriut – përfshirë Universitetet e Mançesterit, Lidsit dhe Shefildit – kanë krijuar Partneritetin Hulumtues N8 për të bashkëpunuar në kërkimet në fusha kyçe si shkencat e jetës dhe robotika.
Por përpjekje të tilla duhet të zgjerohen për të trajtuar nevojat e menjëhershme ekonomike në rajonin përreth. Në mënyrë të veçantë, universitetet mund të luajnë një rol vendimtar në mbylljen e hendeqeve urgjente të arsimit dhe ekspertizës, duke ndihmuar në përgatitjen e punëtorëve për punët e shekullit njëzet e një.
Britania është lideri botëror për universitetet më të mira dhe ne duhet të sigurohemi që Brexit nuk do ta ndryshojë këtë fakt. Por ne gjithashtu duhet t’i nxisim universitetet tona që të kontribuojnë më shumë në ekonomitë lokale dhe rajonale që i mirëpresin ata. Përndryshe, dëmi nga Brexit do të jetë akoma më i keq nga sa është tashmë.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. How Universities Can Soften the Brexit Blow