Një gjykatë në Strasburg mund të ndëshkojë Rumaninë për rolin e saj në një program sekret dorëzimi të CIA-s, por mohimi dhe koha e kaluar i kanë shkatërruar shpresat e një ndëshkimi në vend.
Polonia ka paguar dëmet, Lituania po heton dhe Maqedonia ka kërkuar ndjesë. Edhe e zgjedhura e Donald Trump për të kryesuar CIA-n tha këtë muaj se kjo nuk duhet të ndodhë më kurrë.
Megjithatë, Rumania vazhdon një heshtje kokëfortë mbi rolin e saj të dyshuar në një program sekret dorëzimi dhe torture të CIA-s pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara.
Një ndjesë më 28 mars nga qeveria një vjeçare e Maqedonisë për përfshirjen e saj në dorëzimin e një burri te CIA në vitin 2004 dhe emërimin e drejtoreshës së CIA-s Gina Haspel e ka ripërqendruar vëmendjen në një nga kapitujt më të errët të “Luftës kundër Terrorit” të ish-presidentit George W. Bush.
Një vendim i ardhshëm në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut, GJEDNJ, pritet të rrëzojë mohimin zyrtar në Bukuresht dhe një vendim në pritje në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, ICC, mund të sjellë akoma më shumë shqyrtime.
Por ekspertët ligjorë druhen se do të jetë tepër vonë për të shkaktuar ndonjë ndjekje kuptimplote nga autoritetet rumune në lidhje me faktin se kush ishte në dijeni për krijimin në vitin 2002 të një vendi sekret marrjeje në pyetje nga CIA të njohur me emrin e koduar “Drita e Shndritshme”.
“Ata dallojnë vërtet për të shprehur mohim,” tha Julia Hall, Eksperte në Kundër Terrorizmin, Drejtësinë Penale dhe të Drejtat e Njeriut në Amnesty International.
Maria Nicoleta Andreescu, grupi i të drejtave të të cilës APADOR-CH është i përfshirë në çështjen e GJEDNJ në Strasburg, tha për BIRN: “Nuk kam shumë shpresë se zyra e ndonjë prokurori, edhe sikur të donin, mund të bëjnë gjë për këtë pas gjithë kësaj kohë.”
“Koha fluturon,” tha ajo. Dhe “nuk bën dot më asgjë.”
Zhurmë e vazhdueshme, dritë e vazhdueshme
Haspel, e cila u konfirmua si drejtoreshë e CIA-s të enjten, drejtonte një nga të ashtuquajturit “vende të zeza” në Bangkok në vitin 2002, një nga katër lokacionet ku shtetasi saudit Abd al-Rahim al-Nashiri, arkitekti i akuzuar për bombardimin e vitit 2000 USS Cole jashtë brigjeve të Jemenit, u mbajt për katër vjet përpara transferimit të tij në Gjirin e Guantanamos në vitin 2006.
Vendi i katërt ishte “Drita e Shndritshme” dhe është titulli i një çështje të ngritur në emër të al-Nashiritit në Strasburg kundër Rumanisë, një anëtar i Bashkimit Europian, në vitin 2012.
Atje, një raport i Senatit i vitit 2014 thotë se al-Nashiri iu nështrua izolimit të vetmuar, i lidheshin sytë ose mbahej me kapuç në kokë, zhurmë të vazhdueshme, dritë të vazhdueshme, mbahej e zinxhirë në këmbë dhe privohej nga gjumi ndër shukë teknika të tjera abuzive.
Raporti shumë i redaktuar ngrinte gishtin ndaj Rumanisë, Polonisë dhe Lituanisë si shtete europiane që kishin burgje në emër të CIA-s.
Edhe pse ai nuk i përmendi emrat, ai detajoi transferimin e të burgosurve në dhe nga qendra ndalimi të njohura me kodin “e zezë”, që përputhej me të dhënat e trafikut ajror të avionëve të CIA-s që kalonin nëpërmjet aeroporteve rumune në atë kohë.
CIA e pagoi Rumaninë me miliona dollarë për të ngritur këtë vend, thotë raporti. Khalid Sheikh Mohammed, organizatori i dyshuar i sulmeve të 11 shtatorit, ishte ndër të burgosurit e saj.
Al-Nashiri e akuzon Rumaninë se lejoi ndalimin dhe torturimin e tij dhe më vonë nuk bëri asnjë investigim.
Por në qershor 2016, në të vetmen seancë publike deri më tani të çështjes, përfaqësuesja e Rumanisë Catrinel Brumar tha në gjykatë se “nuk kishte asnjë informacion që tregon se autoritetet rumune krijuan apo lejuan një qendër ndalimi sekrete.”
“Refuzim i vazhdueshëm i pranimit të fajit”
Në Poloni, një prokuror nisi një investigim në vitin 2008 në lidhje me një abuzim të mundshëm detyre nga zyrtarë polakë.
Ndërsa hetimi nuk ka përparuar shumë, autoritetet polake i kanë dhënë al-Nashirit “statusin e viktimës”, duke lejuar avokatët e tij të shohin prova në hetimin më të gjerë dhe në vitin 2015 Varshava i pagoi një total prej 250,000 dollarësh atij dhe një pretenduesi tjetër pas një vendimi në Strasburg vitin para se Polonia të kishte shkelur të drejtat e tyre.
Në Lituani, një hetim parlamentar në vitin 2009 përcaktoi se autoritetet ngritën dy qendra të paraburgimit për CIA-n, edhe pse nuk gjeti prova se dikush ishte mbajtur atje, ndërsa në vitin 2014 prokurori i përgjithshëm i vendit nisi një hetim penal për dorëzimin nëpërmjet shtetit baltik të Saudisë Mustafa al-Hawsawi, të cilin SHBA-ja e akuzon se ka u ka dhënë para rrëmbyesve të 11 shtatorit. Lituania ka gjithashtu një çështje në GJEDNJ.
Megjithatë, prokurorët në Rumani nisën hetimin e tyre, vetëm pas marrjes së konfirmimit të çështjes së Strasburgut në vitin 2012, 10 vjet pas faktit. Hetimi është ende në pritje.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Rumanisë nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN-it për këtë artikull.
“Ata nuk kanë bërë asgjë,” tha Hall e Amnesty International.
“Për sa i përket çfarëdolloj shkëmbimi me shoqërinë civile, çdo lloj bashkëpunimi me avokatët, ata dallojnë në mesin e tyre (qeveritë e Europës Lindore) që sapo kanë kundërshtuar dhe kanë ruajtur heshtjen e tyre.”
Vetëm Maqedonia, e cila e ndihmoi CIA-n në dorëzimin në vitin 2004 të Khaled el-Masri, një shtetas gjerman me origjinë libaneze, ka ndërmarrë hapin e kërkimit falje, duke shprehur “keqardhje më të sinqertë” në fund të marsit.
Hall tha se ndjesa shënoi “një çast të rëndësishëm për llogaridhënien”.
“Mund të mos dukesh ashtu, por në shumë prej këtyre rasteve, shumë prej viktimave kanë kërkuar thjesht një ndjesë.”
Nuk dihet se kur GJEPDNJ do të japë vendimin e saj në rastin e Rumanisë, por Amrit Singh, e cila drejton projektin për sigurinë kombëtare dhe kundër terrorizmin në Nismën e Drejtësisë së Shoqërisë së Hapur dhe e cila përfaqëson al-Nashirin, tha se ajo priste që gjykata të vendosë në favor të saj.
“Ne mendojmë se është e rëndësishme që Rumania të mbajë përgjegjësi për shkeljen flagrante të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe refuzimin sistematik të saj për të pranuar hapur të vërtetën,” tha Singh për BIRN.
“Zyrë” e vogël e CIA-s
Në 2015, ish-presidenti rumun Ion Iliescu e theu heshtjen kur tha për Der Spiegel se ai kishte pranuar në parim një kërkesë të CIA-s për një vend në Rumani dhe se me detajet u mor këshilltari i tij i sigurimit kombëtar në atë kohë, Ioan Talpes. Por ai tha se Rumania “nuk ndërhyri” në mënyrën sesi CIA e përdori vendin.
Presidenti në detyrë Klaus Iohannis, megjithatë, tha disa ditë më vonë se Iliescu kishte folur gabim dhe se vendi për të cilin ai kishte rënë dakord ishte një zyrë e CIA-s – “një zyrë e vogël”. Edhe vetë Iliescu u tërhoq nga deklarata e tij.
Talpes, me të cilin nuk arritën të kontaktonim dot për këtë artikull, tha për agjencinë kombëtare të lajmeve Agerpres në vitin 2015 se ai ishte në dijeni vetëm të një zyre të CIA-s që u miratua në vitin 2002 dhe u mbyll në vitin 2006 dhe se s’dinte asgjë për ndonjë burg.
Hall tha se raste të tilla si i al-Nashirit kundër Rumanisë ishin jetike për të luftuar praktikën e dorëzimit në Europën Lindore, ku aparati i inteligjencës i disa vendeve ende nuk është reformuar plotësisht dhe shpesh punon me rregullat e tyre dhe me mbikëqyrje të kufizuar.
Ajo theksoi ndjekjen e Turqisë në Europën Lindore të aktivistëve kurdë dhe akuzoi bashkëpunëtorët e klerikut mysliman me bazë SHBA Fethullah Gulen, i cili Ankaraja thotë se ishte pas një grushti të dështuar shteti në vitin 2016 kundër presidentit Rexhep Tayyip Erdogan.
Në mars, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, shkarkoi nga puna ministrin e tij të brendshëm dhe shefin e inteligjencës, pasi gjashtë mësues turq u ndaluan dhe u dëbuan me ngut pa ndonjë të drejtë të dukshme për të apeluar në një operacion që Erdogani tha se drejtohej nga agjencia turke e inteligjencës.
“Ne do t’i ndjekim kudo që ata të shkojnë,” u citua të ketë thënë Erdgani në një kongres të partisë në prill.
Hall tha për BIRN: “Kjo është trashëgimia e tmerrshme e programit amerikan të dorëzimeve. Ai i jep qeverive të tjera mundësinë të thonë se “nëse Amerika e bëri këtë, atëherë pse të mos e bëjmë edhe ne?”
Ndëshkimi rumun?
Një vendim i lënë pezull në ICC nëse të ndjekin apo jo një investigim për krime të dyshuara lufte në Afganistan, qëllimi i të cilave mund të përfshijë programin e dorëzimeve dhe “vendet e zeza” europiane, kërcënon akoma më shumë shqyrtimin e rolit të dyshuar të Rumanisë.
Por Andreescu e APADOR-CH, që është pika e kontaktit midis avokatëve të Al-Nashirit në Nismën e Drejtësisë së Shoqërisë së Hapur dhe zyrës së prokurorit të Rumanisë, tha se ajo ishte skeptike për ndonjë ndëshkim të vërtetë brenda vendit. Ajo tha se që prej vitit 2015 në këtë çështje nuk kishte lëvizur asgjë.
“Ka avokatë nga SHBA-ja, jo vetëm ata të al-Nashirit, që kanë ardhur në Bukuresht për të pyetur rrotull, por me të njëjtin nivel suksesi – zero, njësoj si ne,” tha ajo.
Andreescu tha se edhe sikur të kishte vullnet për të investiguar, rrotat e drejtësisë në Rumani lëvizin shumë ngadalë.
“Le të themi që e fitoni çështjen në Gjykatën Europiane për mungesën e një hetimi efikas, por e fitoni atë pas 8-10 vjetësh,” tha Andreescu.
“Është praktikisht e pamundur që një prokuror, pavarësisht se sa shumë dëshirë kanë, të kryejë një investigim efikas.”