Zhgënjimi në rritje në Ballkan për zgjerimin e BE-së e ka kthyer theksin në rëndësinë e Procesit të Berlinit – një nismë plotësuese që synon nxitjen e bashkëpunimit rajonal.
Në samitin e fundit BE-Ballkani Perëndimor në Sofje, BE përsëri nuk arriti të siguronte shtetet e Ballkanit Perëndimor të cilat – në vend të “samitit të zgjerimit” të shpresuar – morën vetëm një “axhendë komunikimi” dhe deklarata polemike dhe kontradiktore nga zyrtarët europianë.
Ndërkohë që samiti i Sofjes nuk arriti të prodhonte mbështetje të fortë politike për zgjerimin, ai prezantoi një paketë financiare të re gjithëpërfshirëse, e cila nëpërmjet Kornizës Investuese të Ballkanit Perëndimor do të mbështesë projektet kyçe për lidhjen në rajon.
Paketa e katërt e Axhendës së Lidhjes shton më shumë se 190 milionë euro grante mbështetëse nga BE-ja për 11 projekte të infrastrukturës së transportit në Ballkanin Perëndimor që janë gjithashtu pjesë e procesit të Berlinit.
Ajo përfshin fonde për dy pjesët e para të “Autostradës së Paqes” Nish-Prishtinë-Durrës dhe “Autostradës Blu” përgjatë bregut të Adriatikut.
Kjo i çon angazhimet totale të BE-së nën këtë iniciativë në 70 për qind të 1 miliardë eurove të premtuara në 2014, ndërkohë që investimet totale arrijnë 2.4 miliardë euro.
Pas samitit dhe ndërsa përgatiten për forumin e ardhshëm të Ballkanit – në Londër më vonë këtë verë – shumë zyrtarë dhe ekspertë të Ballkanit dhe BE-së pyesin veten nëse procesi i Berlinit do të përdoret përsëri si një “zëvendësim i lirë” për zgjerimin e vonuar të BE-së për të përfshirë Shqipërinë, Bosnjën, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë – të quajtur Ballkanin Perëndimor 6, WB6.
As një shtesë as një zëvendësim
Kur kancelarja gjermane Angela Merkel në vitin 2014 organizoi Konferencën e Berlinit për Ballkanin Perëndimor, ajo e bëri këtë për të ringjallur procesin e integrimit në BE, pas njoftimit të presidentit të Komisionit Europian Jean Claude Junker se gjatë mandatit të tij nuk duhet të pritej asnjë zgjerim i ardhshëm.
Ky mesazh nga Brukseli tronditi rajonin, i cili tashmë ishte lënë në hije nga kriza të shumta që kishin devijuar vëmendjen e BE-së nga Ballkani dhe procesi i zgjerimit.
Konferenca e Berlinit, e cila më vonë u rrit në Procesi i Berlinit, paraqiti një format të ri bashkëpunimi midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
Ajo e largoi atë nga institucionet e Brukselit dhe e zhvendosi fokusin nga procesi i komplikuar dhe shpesh i ngatërruar i zgjerimit në projekte specifike që synojnë nxitjen e bashkëpunimit dhe zhvillimit rajonal.
Pas katër vitesh, disa thonë se është koha të pyesin se sa i dukshëm dhe praktik ka qenë Procesi i Berlinit për Ballkanin Perëndimor.
Procesi i Berlinit, sipas përkufizimit, është një nismë për bashkëpunim midis qeverive që është e orientuar drejt rezultateve dhe rinovimit të lidhjeve dhe bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor.
Me ndihmën e gjashtë vendeve anëtare të BE-së – Gjermania, Austria, Italia, Franca, Kroacia dhe Sllovenia – ai është fokusuar në zhvillimin infrastrukturor dhe ekonomik.
Të gjitha projektet e Procesit të Berlinit zgjidhen dhe financohen përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor, WBIF.
Kjo është një strukturë e përbashkët e Komisionit Evropian, në të cilën marrin pjesë institucionet financiare (Banka Europiane për Zhvillim, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Europiane e Investimeve) së bashku me donatorë bilateralë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor.
Që prej fillimit, BE këmbënguli që Procesi i Berlinit nuk ishte një zëvendësim për zgjerimin.
“Në atë kohë, ishte e rëndësishme të siguroheshin se” shpresat e BE-së” në Ballkanin Perëndimor të vazhdonin reformat dhe se ato shtete anëtare të BE-së që dëshironin të mbeteshin të angazhuar në rajon ta bënin këtë në një mënyrë të koordinuar,” tha për BIRN Isabelle Ioannides, analiste politikash në Shërbimin Hulumtues të Parlamentit Europian.
“Në përgjithësi, Procesi i Berlinit ka arritur të mbajë WB6 të angazhuar në procesin e pranimit në BE,” tha ajo, por shtoi: “Megjithatë, Procesi i Berlinit nuk mund të jetë zëvendësim për zgjerimin e BE-së. Ai mund të jetë thjesht një nismë rajonale që punon drejt qëllimit më të madh të zgjerimit të BE-së. Zgjerimi i BE-së është shumë më tepër.”
Rezultatet më të prekshme se sa procesi i pranimit
Kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme i Parlamentit Europian, David McAllister, tha për BIRN se Procesi i Berlinit ishte një nismë për të mundësuar stabilitet afatgjatë midis vendeve të Ballkanit Perëndimor përmes rritjes ekonomike dhe bashkëpunimit rajonal, por që, si i tillë, ai nuk ka organin e vet administrativ.
Por, përveç se mbledh rregullisht në të njëjtën tavolinë shtetet e WB6, Procesi i Berlinit ka pasur disa rezultate të prekshme, vuri në dukje ai.
“Nisma ka dhënë rezultate të rëndësishme për qytetarët dhe bizneset në drejtim të infrastrukturës, marrëdhënieve dhe rivendosjes së marrëdhënieve dhe është një shembull shumë premtues për bashkëpunim të qëndrueshëm midis të gjashtë vendeve në rajon,” tha McAllister për BIRN.
Disa nga këto rezultate përfshijnë krijimin e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor, nënshkrimin e “Deklaratës për Bashkëpunim Rajonal dhe Zgjidhje të Mosmarrëveshjeve Dypalëshe”, hapjen e Sekretariatit të Dhomave të Tregtisë të Ballkanit Perëndimor si edh të Fondacionit Hulumtues të Ballkanit Perëndimor.
Një tjetër rezultat është një plan veprimi për zhvillimin e një Zone Ekonomike Rajonale, të cilën liderët e Ballkanit Perëndimor ranë dakord në Forumin e Triestës në vitin 2017, e projektuar për të konsoliduar një treg prej 20 milion njerëzish, të tërheqë investime të reja dhe të hapë vende pune.
Qytetarët e WB6, megjithatë, janë më të interesuar në rrugët e premtuara, hekurudhat, investimet e reja dhe vendet e punës. Megjithatë, do të duhet ende të presin për këto.
“Deri në fund të vitit 2017, kishte 13 projekte infrastrukturore që ishin gati për financim dhe ishin gati të fillonin. Tre prej tyre tashmë kanë filluar punimet në terren.
Duke pasur parasysh kompleksitetin e tyre, ky është një hap shumë i rëndësishëm, por ne do të shohim rezultatet në terren në një fazë të mëvonshme,” tha për BIRN drejtori i Institutit për Bashkëpunim dhe Zhvillim, CDI, nga Tirana, Ardian Hackaj.
Në mars të këtij viti, CDI publikoi raportin e tij të tretë radhazi, të titulluar “Procesi i Berlinit 2014-2018”, i cili hidhte një vështrim mbi efekasitetin e këtij procesi dhe disa nga problemet e tij.
Hackaj, një nga bashkëautorët e raportit, thotë se projektet infrastrukturore kërkojnë shumë kohë dhe se fillimi i punimeve në terren zakonisht zgjat rreth tre vjet nga studimi i fizibilitetit.
“Kjo është arsyeja pse ende nuk po shohim rrugë, por së shpejti do të jenë të dukshme,” tha Hackaj, duke kujtuar se Procesi i Berlinit filloi vetëm katër vjet më parë.
Megjithatë, disa ekspertë kanë paralajmëruar se në mungesë të rezultateve më të prekshme, Procesi i Berlinit dhe madje edhe zgjerimi i bllokuar i BE-së në Ballkan rrezikojnë të mbesin në hije nga aktorë të tjerë ndërkombëtarë, si Rusia, Turqia apo Kina.
Ato duken më pak të zymta për investim të burimeve politike dhe financiare në rajon.
Rusia mbizotëron sektorin e energjisë në Serbi dhe Bosnjë dhe po merr përsipër kompaninë më të madhe të Kroacisë dhe rajonit të tregtisë me pakicë Agrokor. Turqia po përgatit investime të mëdha në Serbi dhe ka lidhje të ngushta politike dhe financiare në Bosnje, sidomos me lidershipin boshnjak.
Ndërkohë, Kina ka investuar më shumë se 1 miliard dollarë amerikanë vetëm në Serbi, kryesisht nëpërmjet huave, për të financuar infrastrukturën e transportit dhe projektet e energjisë. Pekini ka njoftuar gjithashtu një linjë kreditore prej 10 miliardë dollarësh për të mbështetur investimet kineze në rajon.
Rregullimi i procesit për rezultate më të mira
Hackaj tha se Procesi i Berlinit ka ende disa sfida, të cilat duhet t’i trajtojë, për të arritur efikasitet dhe rezultate më të mëdha.
Këto përfshijnë kompleksitetin teknik të projekteve dhe vonesat në projektet e komunikimit në kalimin e tyre nga parapërgatitja në implementim, por gjithashtu një hendek fiskal që zvogëlon kapacitetin financues nga vendet e Ballkanit, çështjet e shpronësimit të tokës dhe më shumë.
Ai u bëri thirrje autoriteteve kombëtare që të koordinojnë më mirë përpjekjet dhe projektet ndërkufitare, si dhe elementët e qeverisjes dhe zbatimit në vënien në zbatim të projekteve dhe/ose marrëveshjeve rajonale.
“Institucionet rajonale të sapokrijuara do të fillojnë shumë shpejt të japin rezultatet e para dhe kjo do të bëjë të mundur monitorimin dhe vlerësimin e ndikimit të tyre në terren,” tha Hackaj.
Në këtë kohë, BE mbikëqyr vetëm pjesërisht zbatimin e marrëveshjeve dhe zbatimin e projekteve nga Procesi i Berlinit.
“Për momentin, Procesi i Berlinit drejtohet nga politikanë, drejtues dhe institucione të mëdha financiare të cilat janë të interesuara për financimin e projekteve të mëdha,” shpjegoi Hackaj, duke shtuar se projektet e tilla jo gjithmonë përputhen plotësisht me nevojat e qytetarëve.
“Kjo është arsyeja pse ne po promovojmë mbikëqyrjen më të fortë të gjithë procesit nga Parlamenti Europian me përfshirjen e parlamenteve kombëtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor në vendimet për projekte të mëdha strategjike të cilat janë relevante për qytetarët,” tha ai.
Ai theksoi rëndësinë e kontrollit demokratik mbi projektet strategjike me vlerë qindra milionë dollarë secili.
“Ne dëshirojmë të shohim një shkëmbim informacioni midis Komitetit të Punëve të Jashtme të PE-së dhe vendeve që marrin pjesë në Procesin e Berlinit, si dhe shoqërinë civile, në kuptimin e asaj që ata mendojnë për ndikimin e projekteve nga sfera e komunikimit – nëse ato po ndihmojnë qytetarët apo vetëm biznesin e madh,” tha Hackaj.
Pas Berlinit, Vjenës, Parisit dhe Triestes, një raund i ri i Procesit të Berlinit është planifikuar për në Londër në korrik 2018.
Britania ka theksuar se dalja e saj nga BE-ja nuk do të ndryshojë mbështetjen e saj afatgjatë për Ballkanin Perëndimor dhe ka njoftuar se gjatë samitit të Londrës do të prezantojë elemente të reja përveç lidhjes, ekonomisë dhe axhendës dixhitale.
Temat e reja në tryezë do të jenë siguria, pajtimi, bashkëpunimi rajonal në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe menaxhimit të migracionit.
“Me qëllim që të mos bëhet thjesht një tjetër forum rajonal, është e rëndësishme që Procesi i Berlinit të vendosë standarde të prekshme dhe afate kohore për arritjen e tyre, dhe që rezultatet e mbledhjes shkojnë përtej deklaratave të angazhimit politik,” tha Ioannides.
Ekspertë të tjerë pajtohen se më shumë transparencë, besueshmëri dhe rezultate të dukshme për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor është drejtimi që duhet të marrë Procesi i Berlinit, nëse BE-ja dëshiron të rrisë dhe jo të zëvendësojë procesin e zgjerimit dhe të përgatisë WB6 për anëtarësim në të ardhmen.
“Projektet e qarta dhe të zbatueshme që vlerësohen në mënyrë transparente do t’i jepnin më shumë besueshmëri Procesit të Berlinit dhe rrjedhimisht do të rrisnin ndikimin e përpjekjeve rajonale.
Nevojiten akoma më shumë nisma në fushën e zhvillimit ekonomik,” përfundoi Ioannides.