Vendimi i Gjykatës së Apelit të Vlorës, që u denoncua nga familja Bodo jashtë ambienteve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të premten e konsideron “shkelje të rëndë proceduriale” gjykimin mbi pronësinë e 404 hektarëve tokë në Karaburun nga një gjyqtar i vetëm si dhe shkeljen e të drejtës për t’u dëgjuar të palëve të paditura.
Gjyqtarja e Apelit të Vlorës, Brikena Ukperaj (Lubonja) u përball të premten me akuzat e një pale ndërgjyqësuese jashtë dyerve të vetingut. Familja Bodo-një ndër denoncuesit e Ukperajt në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit pretendoi se “gjyqtarja kishte marrë një vendim të padrejtë në shkelje të afateve ligjore”, por ankesa e tyre në KPK kishte rënë në vesh të shurdhër.
Familja Bodo është përfshirë prej vitesh në një kalvar gjyqësor për pronësinë e 404 hektarëve tokë në gadishullin e Karaburunit. Në vitin 2016, ajo u bë e njohur me denoncimin e falsifikimeve masive dhe tjetërsimit të 220 hektarëve tokë në këtë zonë të lakmuar turistike, duke nxitur më pas një hetim të gjerë të Prokurorisë për tokat në bregdet.
Në maj 2016, Prokuroria urdhëroi sekuestrimin e 220 ha tokë në Karaburun dhe 89 ha tokë në Zvërnec -të cilat ishin tjetërsuar përmes krijimit të dosjeve të rreme gjyqësore në arkivën e Gjykatës së Vlorës dhe falsifikimeve të tjera.
Prokuroria akuzoi fillimisht një rrjet të gjerë njerëzish për veprat penale, por Gjykata e Vlorës dënoi në mars 2018 vetëm përfituesin “në letra” të tokës, Raimond Mëzin me 18 vjet burg si dhe një ish-punonjëse të hipotekës dhe arkivisten e Gjykatës së Vlorës. Në të njëjtin proces u dënua me 16 vjet burg edhe Lefter Gjergji për përfitimin e 33 hektarëve tokë në Palasë.
Paralelisht me procesin penal, familja Bodo dorëzoi në Gjykatë një padi civile përmes së cilës kërkonte njohjen e falsitetit të dokumenteve për tjetërsimin e sipërfaqes prej 220 hektarësh në Karaburun si dhe kthimin fizik të 404 hektarëve pyll dhe kullotë në të njëjtin vend.
Familja Bodo paditi në këtë proces Raimond Mëzin, Agjencinë e Trajtimit të Pronës Tiranë, Avokaturën e Shtetit, Zyrën e Regjistrimit të Pasurive në Vlorë si dhe dy kompanitë private “House of Arts” dhe “DigitalNetëorks”, të cilat kishin blerë 90 hektarë për 180 mijë euro nga Mëzi.
Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se familja Bodo e fitoi çështjen në shkallën e parë, por një vendim i Gjykatës së Apelit me relatore gjyqtaren Brikena Ukperaj (Lubonja) e rrëzoi vendimin për “shkelje të rënda proceduriale” dhe e riktheu çështjen për rigjykim.
Vendimi i shkallës së parë u apelua nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Avokatura e Shtetit dhe dy kompanitë private “House of Arts” dhe “DigitalNetëorks”.
“House of Arts” është një kompani organizimi eventesh e deputetit socialist Fidel Ylli, por që administrohet nga personi i besuar, Elida Heba. Ndërsa “Digitalnetëorks” zotërohet nga biznesmeni Gerian Kuka, njëherazi konsull nderi i El Salvadorit në Shqipëri.
Më 16 nëntor 2017, Gjykata e Apelit me relatore Brikena Ukperaj dhe anëtarë Skënder Damini dhe Gjinovefa Gaba rrëzuan vendimin e shkallës së parë si të marrë “në shkelje të rënda proceduriale” dhe vendosën rikthimin e çështjes në shkallë të parë.
Sipas vendimit të Apelit që BIRN e disponon, shkelja e parë e konstatuar lidhet me mungesën e vlerës së padisë, ç’ka ka sjellë edhe gjykimin e çështjes nga një gjyqtar i vetëm.
Duke iu referuar nenin 35 të Kodit të Procedurës Civile, Gjykata e Apelit argumenton se vlera e padisë në këtë proces ka qenë lehtësisht e përcaktueshme dhe referuar kontratës së shitjes së 90 hektarëve për 180 mijë euro, ka qenë më e madhe se 20 milionë lekë.
“Gjykata e rrethit gjyqësor Vlorë duhej ta fillonte shqyrtimin e çështjes me trup gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë,” argumenton Gjykata e Apelit.
Apeli konstaton gjithashtu se në seancën e fundit gjyqësore në shkallë të parë, avokati i kompanive “House of Arts” dhe “DigitalNetëorks” ka hequr dorë nga përfaqësimi dhe është larguar. Në këto kushte, gjykata ka vazhduar çështjen në mungesë dhe e ka kaluar çështjen në fazën e konkluzioneve përfundimtare në të njëjtën seancë, duke dëgjuar vetëm konkluzionet e palës paditëse.
“…House of Arts dhe DigitalNetëorks u është mohuar e drejta për t’u dëgjuar dhe për t’u mbrojtur në fazën e konkluzioneve përfundimtare. Për sjelljen e avokatit, ka dispozita të tjera ligjore që e ngarkojnë atë me përgjegjësi,” argumenton Apeli.
“Gjykata në vendim nuk ka arsyetuar asnjë vendim të palës së paditur, pasi asnjë prej të paditurve nuk ka dhënë konkluzionet përfundimtare,” shtohet më tej.
Apeli argumenton gjithashtu se ndërgjyqësia nuk është formuar drejt, duke iu referuar mosthirrjes në cilësinë e personit të tretë të Artur Shehut, që sipas vendimit i është mohuar gjithashtu e drejta për t’u dëgjuar.
Artur Shehu, një biznesmen kontrovers që jeton prej vitesh jashtë Shqipërisë, sipas prokurorisë së Vlorës, përfitoi 130 hektarë nga 220 të tjetërsuara gjithsej në Karaburun përmes një kontrate shkëmbimi me Raimond Mëzin.
Gjykata e Apelit të Vlorës vlerëson gjithashtu se pasuria prej 404 hektarësh për kthim fizik dhe 188 hektarë për fondin e kompensimit që gjykata e Shkallës së Parë ka disponuar t’i kthehet familjes Bodo janë pjesë e fondit pyjor dhe kullosor shtetëror, në pronësi dhe administrim të Drejtorisë së Shërbimit Pyjor Vlorë.
“Qënia e kësaj pasurie në pronësi të kësaj të fundit detyronte gjykatën ta thërriste DSHP/Vlorë si palë ndërgjyqësuese në gjykim,” shton më tej vendimi.
Për konstatimet e mësipërme si “shkelje të rënda proceduriale”, Gjykata e Apelit të Vlorës kërkoi rikthimin e çështjes për rigjykim në shkallë të parë, por me një trupë tjetër gjykuese.
Vendimi i mësipërm, por edhe pretendimi për moszbatim të afateve gjyqësore e kanë shtyrë familjen Bodo t’i drejtohet me denoncim për gjyqtaren Brikena Ukperaj (Lubonja) në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.
“Zonja Ukperaj nuk ka analizuar provat dhe nuk ka shpallur vendimin e arsyetuar brenda 20 ditëve,” tha të premten pas përfundimit të seancës dëgjimore në KPK Vjosa Bodo.
Duke iu referuar denoncimeve nga publiku për Ukperajn, relatorja e çështjes në KPK, Etleda Çiftja tha se “ato ishin verifikuar me kujdes nga komisioni”.
Megjithatë, ajo konstatoi se denoncimet ishin të tilla që “mund të zgjidhen në rrugë gjyqësore”.