Anëtari i Gjykatës së Lartë, Artan Zeneli që kandidon për një post në Këshillin e Lartë Gjyqësor zotëron një pasuri familjare prej rreth 96.7 milionë lekësh. Si ka ndryshuar ajo për vitet e deklaruara 2007-2017.Artan Zeneli është anëtari i tretë i Gjykatës së Lartë që përballet me procesin e vetingut, pas Edmond Islamajt dhe Tom Ndrecës. Ai është gjithashtu pjesë e listës prioritare të vetingut, pasi kandidon për Këshillin e Lartë Gjyqësor.
Seanca dëgjimore me gjyqtarin Zeneli do të zhvillohet të hënën në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupi gjykues drejtohet nga Etleda Çiftja dhe ka si anëtare Xhensila Pinen dhe Valbona Sanxhaktarin.
Artan Zeneli e ka filluar karrierën në vitin 1991 si gjyqtar, është shkëputur për një dekadë për të ushtruar profesionin e avokatit dhe është rikthyer sërish në sistem në vitin 2009. Në vitet 1991-1999 ai ka punuar si gjyqtar në Krujë dhe në Tiranë. Në vitin 1999, Zeneli është larguar me dëshirën e tij për t’u bërë avokat, profesion të cilin e ka ushtruar deri në vitin 2009, duke qenë njëkohësisht edhe këshilltar ligjor për kompanitë AMC, Top Channel apo INSIG.
Në qershor të vitit 2009 rikthehet në detyrën e gjyqtarit dhe kryetarit të Gjykatës së Tiranës-zgjedhje e cila u kontestua asokohe nga ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Artan Zeneli u zgjodh anëtar i Gjykatës së Lartë në korrik 2012 nga Kuvendi i Shqipërisë.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit Artan Zeneli nga viti 2007 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]
Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.
Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se Artan Zeneli zotëronte një pasuri familjare me vlerë 49.7 milionë lekësh në vitin 2007-kur deklaroi pasurinë për herë të parë për shkak të funksionit si anëtar i Këshillit Kombëtar të Radio-Televizionit.
Pasuria e tij përbëhej asokohe nga dy shtëpi private në Tiranë dhe tre apartamente të blera respektivisht në vitet 1999, 2002 dhe 2006. Gjithashtu, Zeneli deklaronte një sipërfaqe toke në Velipojë, 4 automjete si dhe disa llogari familjare në emër të tij dhe bashkëshortes.
Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e anëtarit të Gjykatës së Lartë është thuajse dyfishuar, duke kapur vlerën e rreth 96.7 milionë lekëve.
Pasuritë e paluajtshme zënë pjesën kryesore të pasurisë së Zenelit dhe kapin së bashku një vlerë të deklaruar prej 61 milionë lekësh. Familja e tij zotëron gjithashtu rreth 32.6 milionë lekë likujditete në bankë, 1.4 milionë lekë kursime në cash dhe automjete në vlerën e 1.5 milionë lekëve.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese 2007-2017 dominohen nga paga e bashkëshortes në masën 66 për qind. Të ardhurat nga avokatia për vitet 2007-2009 zënë 9 për qind të të ardhurave, 16 për qind përbëhen nga paga e gjyqtarit Zeneli dhe 6.7 për qind nga të ardhurat e qerave. Në total, të ardhurat e 10 viteve kapin vlerën e 81.5 milionë lekëve.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 11 vite të deklarimit, nga të cilat njëra rezultoi me probleme dhe pasuri të pajustifikuar në vlerën e 3 milionë lekëve.
BIRN identifikoi gjithashtu si “flamur të kuq” paqartësitë që dalin nga deklaratat për vlerën e një shtëpie private në Selitë të Tiranës. Në deklaratën “Para Fillimit të Detyrës”, zoti Zeneli deklaronte se kishte paguar 195 mijë euro për shtëpinë. Ndërkohë në vitin 2008, bashkëshortja e subjektit deklaron se ka marrë kredi në vlerën e 150 mijë eurove për blerjen e kësaj shtëpie.
Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo mbulohet me burime të ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.
Deklarata e pasurisë Para Fillimit të Detyrës
Deklarata e pasurisë e vitit 2007
Deklarata e pasurisë e vitit 2008
Deklarata e pasurisë e vitit 2009
Deklarata e pasurisë e vitit 2010
Deklarata e pasurisë e vitit 2011
Deklarata e pasurisë e vitit 2012
Deklarata e pasurisë e vitit 2013
Deklarata e pasurisë e vitit 2014
Deklarata e pasurisë e vitit 2015
Deklarata e pasurisë e vitit 2016
Deklarata e pasurisë e vitit 2017
Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al