Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Tiranë ka hedhur poshtë kërkesën e kompanisë ‘HP Bigas-Veleshnje Energy', e cila kontestonte vendimin e ministrisë së Energjisë për anulimin e lejes koncesionare për dy hidrocentrale që sipas aktivistëve mjedisorë kërcënonin kanionet e Osumit.
Gjykata Administrative e Shkalës së Parë vlerësoi si ligjor të gjitha hapat administrativ që çuan në prishjen në mënyrë të një anshme të marrëveshjes koncesionare me kompaninë “HP Bigas-Veleshnje Energy” e cila do të ndërtonte dy hidrocentrale mbi kanoninet e lumit Osum.
Në janar të këtij viti publikimi i vendimeve për ndërtimin e HEC-eve në një nga zonat më tërheqëse për turizmin e aventurës në vend, ngjalli reagimin e opinionit publik dhe të organizatave mjedisore, të cilat denoncuan se ka pasur ‘falsifikime' të dokumenteve shtetërore të projektit koncesionar .
Nën presionin e opinionit publik, kryeministri Edi Rama deklaroi se do të anulojë projektin e HEC-eve dhe la të kuptohej se manipulimi i dokumenteve ishte zbuluar pas miratimit të lejes së tyre, e zbardhur në mbledhjen e 12 dhjetorit 2017 të Këshillit Kombëtar të Territorit.
Menjëherë pas kësaj, Ministria e Energjetikës nisi procedurat për anulimin e kontratës koncesionare, e cila sipas aktivistëve mjedisorë përbënin rrezik për kanionet e lumit Osum.
Kompania “HP Bigas-Veleshnje Energy” i drejtua Gjykatës Administratave në Tiranë duke kërkuar shpalljen e pavlefshme të vendimit të Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës për prishjen në mënyrë të njëanshme të kontratës koncesionare.
Palë në këtë proces gjyqësor ishin edhe dy organizata jofitimprurëse, me fokus mjedisor përkatësisht Federata Shqiptare e Rafting dhe “Qendra për Ruajtjen e Ekosistemeve Natyrore në Shqipëri” (EcoAlbania), të cilat paraqitën gjatë gjykimit argumente shtesë lidhur me besueshmërinë e vendimeve administrative objekt gjykimi dhe i kërkuan gjykatës rrëzimin e padisë. Përfaqësimi në gjykatë i dy organizatave u realizua nga Klinika e Ligjit e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, OSFA, në qytetin e Durrësit.
Pas katër muajsh shqyrtimi gjyqësor në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, gjyqtarja Afërdita Maho vendosi të rrëzoj kërkesëpadinë e “HP Bigas dhe Veleshnje” shpk me argumentimin se është e pabazuar në prova dhe në ligj.
Gjytarja Maho vlerësoi si të drejtë dhe ligjërisht të bazuar, veprimtarinë e organeve publike, të cilët diktuan në nxjerrjen e vendimit për anulimin e marrëveshjes koncesionare të ndërtimit të HEC-eve mbi Osum.
Gjykata vlerësoi gjithashtu se nga ana e organeve të administratës publike të përfshira në këtë proces, ishin ndërmarrë të gjithë hapat e duhur ligjorë dhe ishin zbatuar me rigorozitet gjithë procedurat ligjore në fuqi, duke u finalizuar me pezullimin e aktivitetit të subjektit privat “HP Bigas dhe Veleshnje” për ndërtimin e tre HEC-eve.
“Veprimtaria e institucioneve publike ka qenë në përputhje të plotë me kuadrin e tyre legjislativ, organizativ dhe funksional në fuqi dhe në koherencë me njëra-tjetrën, duke pasur si të vetmin qëllim primar, mbrojtjen e interesit publik dhe interpretimin e duhur të dispozitave ligjore,” thuhet në vendimin e shpallur më datë 30.07.2018 të Gjykatës Administrative e Shkallës së Parë Tiranë.
“Ky qëllim ka qenë thelbësor për të përcaktuar natyrën e veprimeve të ndërmarra prej MTM, AKM dhe ISHMPU, veprimtari e cila në rastin konkret, jo vetëm nuk bie ndesh me Parimin e Sigurisë Juridike, ashtu sikurse ka pretenduar gjatë këtij gjykimi pala paditëse, por përkundrazi, veprimtaria e institucioneve publike, e ndërmarrë duke pasur interesin publik,” shton vendimit.
Projekti koncesionar për ndërtimin e dy hidrocentraleve Bigas 1, Bigas 2 dhe Veleshnje u miratua fillimisht në shtator 2013, kur qeveria e udhëhequr nga ish kryeministri Sali Berisha ndodhej në ditët e fundit në detyrë. Me të marrë timonin e qeverisë, Rama premtoi anulimin e të gjitha lejeve që Berisha firmosi në fund të mandatit duke i cilësuar ato si korruptive.
Megjithatë, të dhënat e siguruara nga BIRN, tregojnë se HEC-et mbi lumin Osum jo vetëm që nuk u anuluan, por morën miratimin e disa enteve në varësi të qeverisë “Rama”.
Ministria e Energjisë vijoi procedurat për ndryshimin e kontratës fillestare të kompanisë HP Bigas-Veleshnje Energy, duke e ndryshuar kapacitetin nga 0.5 në 1.2 mega. Kjo solli edhe bashkimin e dy HEC-eve Bigas 1 dhe Bigas 2, ndërsa kontrata e re u nënshkrua nga ministria e Energjisë më 16 maj 2016.
Projekti mbërriti më pas në Këshillin Kombëtar të Territorit, ku u miratua në 12 dhjetor 2017. Ai u mbajt i fshehtë dhe nuk u botua as nga qeveria dhe as nga KKT.