Banorë të fshatit Mengël në Elbasan bllokuan rrugën nacionale Elbasan-Librazhd si përshkallëzim të një proteste disa ditore, ndërsa pati akuza ndaj policisë për dhunë. Ata kërkojnë rikonstruksion dhe hapje të shkollës të mbyllur si e rrezikshme prej dy vjetësh.
Policia e Elbasanit u përpoq të shpërndante me forcë një protestë nxënësish dhe prindërish të cilët kërkojnë hapjen e shkollës në fshatin Mengël, duke shkaktuar zemërim. Pamje të ndryshme filmike treguan fëmijë që qanin dhe akuzonin policinë për dhunë dhe po ashtu edhe përpjekjen e policisë për të shoqëruar disa persona dhe kundërshtimin e banorëve.
Deputeti i PD-së Luçiano Boçi që ishte i pranishëm në protestë akuzoi policinë se “kishte tërhequr zvarrë gra dhe fëmijë”. Ndërsa banorë të ndryshëm u ankuan për dhunë të policisë dhe thanë se ajo kishte shoqërur shtatë persona.
Në një njoftim për shtyp Drejtoria e Policisë Elbasan mohoi akuzat për dhunë. “(Fëmija) nuk është lënduar për asnjë moment nga Policia”, thuhet në komunikatë, ku bëhet me dije se ishte shoqëruar vetëm një person 25 vjeç, ndërsa thuhet se protestues të rritur “të përdorur nga politika” kishin sulmuar policinë.
Edhe kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla shkroi në faqen e tij në Facebook, se PD po rrezikonte fëmijët dhe se po i përdorte ata për politikë.
Protestuesit me të cilët ishte edhe deputeti i PD-së për Elbasanin Luçiano Boçi, bllokuan rrugën kombëtare që lidh Elbasanin me Kapshticën dhe Korçën, pasi kërkojnë hapje të shkollës e cila u shpall e rrezikshme në qershor 2017 dhe ku pavarësisht premtimeve ende nuk është ndërhyrë.
Në fillim të vitit shkollor banorëve iu është ofruar transporti që fëmijët të bëjnë mësim në një nga shkollat e qytetit, por ata kanë refuzuar. Protesta e fëmijëve dhe prindërve vijon prej fillimit të vitit të ri shkollorë. “Gjendja është shumë e rëndë. Nisi si një protestë shumë e thjeshtë dhe arriti deri këtu. Kërkojmë vetëm shkollimin e fëmijëve, nuk kërkojmë gjë tjetër”, tha Fatime Shabani.
Bashkia Elbasan thotë se nuk ka siguruar fonde nga Ministria e Arsimit për rikonstruksionin e shkollës, ndërsa pas protestave të banorëve Këshilli Bashkiak miratoi një fond emergjence i cili do të rikonstruktojë pjesë të godinës që janë cilësuar të rrezikshme.
Kryetari i bashkisë Elbasan Qazim Sejdini deklaroi se ekziston një korespondencë e drejtorisë së shkollës dhe komunës së dikurshme që thekson gjendjen e keqe të shkollës. “Jemi të vendosur për të mos rrezikuar fëmijët dhe i bëjmë thirrje edhe një herë që të mos politizohet çështja”, tha Sejdini. Bashkia pretendon se do të fillojë menjëherë punimet për rikonstruksionin.
Por ndërkohë deputeti i PD-së Boçi që mbështeti protestën tha se protesta do të vijonte ndërsa akuzoi qeverinë se nuk shqetësohej për fatin e fëmijëve pa shkollë. “Kohën e ndërprerjes së protestës e vendosin banorët, kur të marrin një përgjigje konkrete se kur do fillojë mësimi ose të fillojë rikonstruksioni i shkollës. Pra duan një datë konkrete që situata të kthehet në normalitet”, tha Boçi.
Në krahun tjetër deputeti i Partisë Socialiste për Elbasanin Taluant Balla tha në një deklaratë në rrjete sociale se rikonstruksioni do të fillonte këtë të mërkurrë (3 tetor). Balla akuzoi Partinë Demokratike në opozitë se po vinte në rrezik jetën e fëmijëve. “Unë nuk e kuptoj pse politika e zymtë e PD, një partie që ka humbur toruan, pa ekip, pa program, pa lidership, me ca militantë të papërgjegjshëm duan të luajnë me jetët e fëmijëve”, shkroi Balla. Ai tha se vonesat kishin ardhur për shkak të procedurave të tenderit, ndërsa bëri me dije se shkolla do të ishte gati në pak ditë.
Banorët vendosën këtë shtator të mos i dërgojnë më fëmijët në shkollën që ndodhet në qytet dhe ku ata duhet të bëjnë mësim pasdite. Ata thonë se për gati dy vjet nuk pati asnjë ndërhyrje në godinën e shkollës, ndërsa thonë se dyshojnë se godina mund t’i jetë dhënë një subjekti privat.