Kryeministri i Maqedonisë është optimist se do të sigurojë mjaftueshëm mbështetje për miratimin e marrëveshjes historike të emrit me Greqinë, por procedurat e gjata parlamentare nënkuptojnë se afati është shumë i ngushtë.
Kryeministri maqedonas Zoran Zaev të martën tha se është optimist se procedura ligjore për miratimin e marrëveshjes historike të emrit me Greqinë do të miratohet në parlament, duke fituar mbështetje nga shumica e kërkuar prej dy të tretave.
“Jam i bindur se nëpërmjet një procesi gjithëpërfshirës dhe në një atmosferë të këndshme në parlament, ne mund të dërgojmë një mesazh pozitiv për qytetarët tanë, por edhe për miqtë tanë, BE-në dhe NATO-n, se ne jemi një shoqëri e pjekur,” tha Zaev.
Ai konfirmoi se po vazhdojnë bisedimet me deputetët e opozitës të cilët nevojiten për të mbështetur ndryshimet, por tha se vetëm votimi do të tregojë nëse është arritur shumica e kërkuar prej 80 deputetëve në parlamentin me 120 vende.
“Biseduam me shumë deputetë. Unë personalisht bisedova me ta dhe deputetët gjithashtu biseduan mes tyre dhe vumë re se ka një grup të mirë dhe progresiv ligjvënësish, gjë që është një arsye e mirë dhe një motiv serioz për fillimin e procedurave,” tha Zaev.
Në një seancë parlamentare të jashtëzakonshme të hënën, qeveria miratoi një mocion për bërjen e ndryshimeve kushtetuese për të ndryshuar emrin e vendit në Republika e Maqedonisë së Veriut.
Por një vështrim i shpejtë në rregulloren e parlamentit zbulon se miratimi i këtyre ndryshimeve mund të zgjasë tre ose më shumë muaj.
Testi i parë nëse partitë në pushtet kanë siguruar një shumicë prej dy të tretash pritet të ndodhë brenda dhjetë deri në 20 ditët e ardhshme, që është koha e nevojshme që deputetët kanë për të diskutuar mocionin e qeverisë për ndryshimet kushtetuese, në fillim në komisionin kushtetues dhe më pas në një seancë plenare, pas së cilës ata do të duhet të votojnë.
Nëse dy të tretat e deputetëve e miratojnë atë, qeveria mund të fillojë përgatitjen e ndryshimeve kushtetuese aktuale dhe t’i kalojë ato përsëri për votim. Nëse jo, opsioni më i mundshëm është që shumica parlamentare që kërkon miratimin e marrëveshjes së emrit të vendosë për zgjedhje të parakohshme.
Në rast të një faze të parë të suksesshme, faza e dytë mund të zgjasë edhe më shumë, pasi rregullorja parlamentare parashikon se duhet të kalojnë të paktën 30 ditë nga momenti kur parlamenti pranon projekt-amendamentet deri në momentin që ato kalojnë përsëri për votim në një seanca plenare, e cila këtë herë do të kërkojë vetëm një shumicë të thjeshtë prej të paktën 61 deputetësh.
Gjatë seancës mund të humbasë kohë shtesë, pasi çdo amendament parashikohet të diskutohet për një maksimum prej tre ditësh. Qeveria nuk ka specifikuar se sa amendamente ka në plan të përgatisë, por tha se ata trajtojnë katër ndryshime kryesore në kushtetutë, një prej të cilëve është vënia në zbatim e emrit të ri.
Kur deputetët të miratojnë projekt-amendamentet, ata do të duhet të dërgohen për debat publik. Kohëzgjatja e këtij debati do të përcaktohet nga parlamenti.
Pas debatit, qeveria do të ngarkohet me përgatitjen e amendamenteve përfundimtare dhe dërgimin e tyre në parlament për një votim përfundimtar, i cili përsëri do të kërkojë një shumicë prej dy të tretash.
Përsëri do të duhet të kalojnë të paktën 30 ditë që nga momenti që parlamenti të marrë ndryshimet e propozuara deri në momentin e fillimit të seancës plenare. Para kësaj, komisioni kushtetues i parlamentit dhe komisioni për çështjet ligjore gjithashtu do të duhet të japin dritat e tyre jeshile.
Nëse gjithçka zhvillohet sipas procedurave të përshkruara, përfundimi i të gjithë procedurës mund të zgjasë deri në janar.
Kryetari i parlamentit Talat Xhaferi tha për Telma TV të hënën se disa nga këto faza mund të kalohen shpejt, nëse “me kërkesë të qeverisë, presidentit ose 20 ligjvënësve, seancat parlamentare planifikohen si të jashtëzakonshme”, gjë që ka gjasa të ndodhë.
Një afat informal për zbatimin e marrëveshjes së emrit është marsi i vitit të ardhshëm, në mënyrë që parlamenti grek të jetë gjithashtu në gjendje të ratifikojë marrëveshjen para se vendi të shkojë në zgjedhjet e përgjithshme në të cilat forcat politike që janë kundër marrëveshjes kanë një shans të vërtetë të fitojnë.
Ndërkohë, pasi qeveria maqedonase dërgoi propozimin për ndryshime kushtetuese në parlament të hënën, presioni ndërkombëtar ndaj partisë opozitare VMRO DPMNE për të mbështetur procesin ka qenë në rritje.
Në një intervistë me austriaken Der Standard, të botuar të martën, Komisioneri Johannes Hahn kritikoi drejtpërdrejt partinë opozitare për mungesë pjekurie demokratike, sjellje jodemokratike dhe për një qëndrim shkatërrues.
“Për një parti që dëshiron të jetë pro-europiane dhe demokratike, kjo është krejtësisht e papranueshme,” tha Hahn.