
Një vit pas fillimit të hetimeve ndaj grupit të strukturuar kriminal “Habilaj” në të cilat u përfshi edhe ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, katër prokurorë të Krimeve të Rënda që po hetojnë dosjen kërkuan shtyrje me 3 muaj të afateve të hetimit, në pritje të përgjigjeve për letërporosi nga Italia dhe Mali i Zi. Avokati i Tahirit tha se ende nuk kanë vendosur nëse do ta ankimojnë shtyrjen e afateve të hetimit.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda shtyu me tre muaj të tjerë afatet e hetimit të procedimit penal, si pjesë e të cilit hetohet edhe ish-Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “trafikimi i narkotikëve të kryer në bashkëpunim në formën e veçantë të grupit të strukturuar kriminal” dhe “korrupsionit pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.
“Meqënëse afati hetimor mbaron në datë 17.10.2018, është e nevojshme zgjatja e afatit hetimor për tre muaj, për të realizuar dhe disa veprime të tjera hetimore”, thuhet në vendimin e prokurorisë. Sipas këtij vendimi, një vit pasi kanë filluar hetimet ende pritet një përgjigje e një kërkese për ndihmë juridike nga Italia dhe po ashtu “kryerja e disa verifikimeve të tjera mbi një letër porosi të administruar nga republika e Malit të Zi dhe kryerja e verifikimeve pasurore”.
Avokati mbrojtës i Tahirit, Maksim Haxhia, i tha BIRN se ata ende nuk kanë vendosur nëse do ta ankimojnë ose jo në gjykatë këtë vendim të prokurorisë, firmosur nga prokurorët Gentjan Osmani, Dritan Prençi, Vladimir Mara dhe Arens Çela.
Vendimi kërkon shtyrjen e afatit të hetimeve deri më datë 17 janar 2019. Ndërkohë, që mundësia për kryerjen e ankimit ndaj këtij vendimi është 10 ditë. Në vendim shkruhet se hetimet që po zhvillohen në funksion të procedimit penal me numër 134 të vitit 2016 dhe që më 17 tetor 2017, përfshinë edhe ish-ministrin Saimir Tahiri, në atë moment deputet i Kuvendit të Shqipërisë, u mbaronte afati në 17 tetor 2018.
Sipas prokurorisë, nga hetimet ka rezultuar se shtetasi në hetim Moisi Habilaj dhe bashkëpunëtorët e tij, kanë bashkëpunuar me zyrtarë të lartë të policisë së shtetit për kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike jashtë shtetit, ku si person i dyshuar është edhe ish-Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, kushëri i vëllezërve Habilaj.
“Personi në hetim, Moisi Habilaj në bashkëpunim me persona të tjerë, duke përfituar nga lidhje fisnore me ish-ministrin e Brendshëm dhe kundrejt shpërblimeve të dhëna atij, kanë arritur të bëjnë të mundur kultivimin e sasive të konsiderueshme të lëndës narkotike dhe transportimin e tyre në mënyrë të organizuar me destinacion jashtë vendit”, thuhet në vendimin për shtyrje të afatit të hetimeve.
Sipas prokurorisë Tahiri ishte në “dijeni të këtyre detajeve” dhe ishte përfshirë “me veprime konkrete” duke u siguruar “paprekshmërinë e veprimtarisë kriminale të grupit të strukturuar kriminal”.
Sipas prokurorëve të çështjes, veprimtaria kriminale mbështetej në bashkëpunimin e grupit kriminal me strukturat e policisë së shtetit, ku dyshohet që një pjesë e përfitimeve monetare shkonin tek ish-Ministri i Brendshëm në atë kohë, Saimir Tahiri.
Lexo edhe:
- Brenda bandës së Moisi Habilajt: shkëlqimi dhe rënia e kushërinjve të Saimir Tahirit
- Apeli rrëzon masën e arrestit, Saimir Tahiri do të hetohet i lirë
- Provat e reja të Prokurorisë për lidhjet e ish-ministrit Tahiri me Habilajt
Çështja penale ndaj Tahirit filloi në Tetor 2017, pasi publikimit të disa përgjimeve të kryera nga policia italiane e cila arrestoi anëtarë të grupit Habilaj. Në përgjime përmendjen ndër të tjera edhe emri i ish-ministrit të Brendshëm dhe po ashtu aludohej se për të ishin blerë dhurata.
Tahiri ishte akuzuar edhe më herët për lidhje me vëllezërit Habilaj, me të cilët ka edhe një lidhje farefisnore dhe u kishte shitur një makinë të cilën më pas e kishte ripërdorur, por një hetim mbi këtë u mbyll pa rezultat. Në vitin 2015 Dritan Zagani, një ish-oficer policie, pretendoi se Tahiri kishte urdhëruar arrestimin e tij për shkak të hetimeve që ai kishte bërë mbi disa kushtërinj të largët dhe mbështetës të Tahirit të njohur si banda e Habilajve.
Tahiri u hoq si Ministër i Brendshëm më 2017 dhe u rizgjodh si deputet pak muaj më vonë. Gjithsesi pasi në tetor 2017, policia italiane arrestoi një nga vëllezërit Habilaj dhe u publikuan përgjimet e tyre, prokuroria kërkoi nga parlamenti leje për arrestimin e tij. Shumica Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë e hodhi poshtë kërkesën si të pabazë dhe të motivuar politikisht.
Në maj të këtij viti duke pretenduar se ishte viktimë e rrethanave, Tahiri hoqi dorë nga mandati i deputetit, duke mohuar akuzat dhe pretenduar se po luftohej në mënyrë agresive nga opozita për shkak të suksesit të tij në luftën kundër drogës dhe korrupsionit.
Lexo edhe:
- Ambasadori i SHBA: Raportime për presione serioze dhe rryshfet ndaj gjyqtarëve për çështjen Tahiri
- Nën rrethim nga të gjitha anët, Saimir Tahiri jep dorëheqjen
“Si qytetar i thjeshtë, vetëm me të drejtën time, familjen, miqtë dhe të gjithë ata që besojnë tek mua, do të përballem me prokurorinë, gjykatën, drejtësinë dhe ligjin. Siç do përballem me palaçot në politikë që kanë vjedhur këtë popull e sot shesin dëngla,” tha Tahiri.
Lënia e mandatit të deputetit i hapi rrugë prokurorisë për të kërkuar masë sigurie ndaj Tahirit. Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda miratoi masën arrest shtëpie, por Apeli e rrëzoi këtë vendim. Çështja ndodhet ende e pashqyrtuar në Gjykatën e Lartë.