Reporter.al
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
  • Reportazhe
  • Opinion
  • Intervista
  • Rajoni
  • Blog
Ska rezultat
Shiko të gjitha
  • Tema kryesore
  • Gjyqtare
  • Kolegji i Posaçëm i Apelimit
  • Prokurore
  • KPK
  • Gjykata e Apelit Tiranë
  • Mjedisi
Reporter.al
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
  • Reportazhe
  • Opinion
  • Intervista
  • Rajoni
  • Blog
Ska rezultat
Shiko të gjitha
Reporter.al
Fillimi Rajoni

Gjendje mohimi: Librat që rishkruajnë luftën boshnjake

Mladen LakicAnja VladisavljevicFilip RudicNgaMladen Lakic,Anja Vladisavljevicdhe1 Të tjerë
17:05 | 19/10/2018
Në Rajoni
Kohe leximi: 7 minuta
A A
0
Gjendje mohimi: Librat që rishkruajnë luftën boshnjake

Foto ilustruese: Pixabay

Share on FacebookShare on Twitter

Lufta boshnjake e viteve 1992-1995 krijoi një zhanër të ri letrar – libra që kundërshtojnë fakte të përcaktuara, të shkruar nga ose për personat e dënuar për vrasjet.

Foto ilustruese: Pixabay

Fakti që krimineli i dënuar serb i luftës Vojisllav Shesheli nuk hoqi dorë kurrë nga ëndrra e tij për një Serbi të Madhe ndoshta është evidente në emrin që ai i vuri shtëpisë së tij botuese – “Serbia e Madhe”.

Kufijtë e Serbisë mund të mos jenë rritur ashtu siç dëshironte Shesheli, por shtëpia e tij botuese do të hapë krahët e saj në edicionin e këtij viti të Panairit prestigjioz të Librit në Beograd, ku organizatorët kanë zhvendosur dy botues të tjerë nga vendet e tyre të caktuara për të krijuar hapësirë ​​për “Serbinë e Madhe “.

Panairi i librit, i cili hapet të dielën, do të përfshijë librin e fundit të Sheshelit, duke u ofruar lexuesve një mohim tjetër se masakra e vitit 1995 e më shumë se 7,000 burrave dhe djemve myslimanë në enklavën boshnjake të Srebrenicës përbënte gjenocid, pasi një sërë gjyqesh penale ndërkombëtare përcaktuan se në fakt masakra përbënte një gjë të tillë.

“Kam vërtetuar se të gjitha këto vendime janë të paligjshme,” tha Shesheli, i cili u dënua në prill për nxitje të persekutimit dhe akteve çnjerëzore nga gjykatësit e apelit të Kombeve të Bashkuara në Hagë.

Por ultranacionalisti i zjarrtë, i cili u lirua në vitin 2014 pasi kaloi 12 vjet në burg, nuk është i vetmi kriminel lufte i dënuar me një libër të ri.

Në të vërtetë, lufta e viteve 1992-1995, ku mbetën të vrarë 100,000 njerëz, krijoi një zhanër të ri librash nga ose rreth kriminelëve të luftës dhe  që përbuz faktet e vërtetuara të konfliktit.

Ndërkohë që nuk janë bërë thirrje për ndalimin e librave, mbrojtësit e të drejtave të njeriut thonë se promovimi i tyre është për promovimi i kriminelëve të luftës si heronj, një fenomen i dëshmuar në të gjithë ish-Jugosllavinë.

Lloji i teorive të konspiracionit që ata promovojnë, tha Ivana Zaniç nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd, “shërbejnë vetëm për të bërë akoma më konfuz publikun, i cili nuk është i informuar në mënyrë të mjaftueshme rreth konflikteve të viteve 1990 dhe nuk e lejon atë të mësojë të vërtetën”.

I dënuar në gjykatë, “i shfajësuar” në libra

Ratko Mlladiç gjatë dhënies së vendimit. Foto: Beta/Peter Dejong.

Ish-lideri serb i Bosnjës i kohës së luftës Radovan Karaxhiç dhe ish-zyrtarja e lartë serbe e Bosnjës Biljana Plavsiç botuan libra rreth luftës, siç bëri udhëheqësi i njohur paraushtarak serb Milan Lukiç, kryetari i parlamentit serb të Bosnjës të kohës së luftës Momçilo Krajisnik dhe ish-oficeri serb i Bosnjës Vinko Pandureviç. Të gjithë janë dënuar për krime lufte. Karaxhiç po apelon ndaj dënimit të tij.

Pandureviç e titulloi librin e tij në vitin 2015 “Jeta Mund të Mbrohet me të Vërtetën”, ndërsa Fikret Abdiç, kreu i një rajoni boshnjak jetëshkurtër , i cili kaloi 10 vjet në një burg kroat për krime lufte, shkroi një kujtim të vitit 2016 të titulluar “Nga Idhull në Kriminel Lufte dhe anasjelltas”.

Masakra e Srebrenicës, vrasja më e keqe masive në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore, mbetet tema më e famshme e revizionistëve serbë.

Serbia, e cila sipas Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë shkeli detyrimin e saj për të parandaluar masakrën e Srebrenicës, nuk i ka pranuar kurrë vendimet e Gjykatës Penale Ndërkombëtare me bazë në Hagë për ish-Jugosllavinë ose GJND-së të cilat të dyja e konsideruan masakrën si një akt gjenocidi.

Megjithatë, arkitektët kryesorë – lideri serb i Bosnjës Radovan Karaxhiç dhe komandanti i tij ushtarak, Ratko Mlladiç – vazhdojnë të jenë të shfajësohen nëpër botime të ndryshme.

Në shkurt, historiani serb Bojan Dimitrijeviç botoi një biografi të Mlladiçit nën titullin “Komandanti”, në të cilën ai vinte në pikëpyetje ekzistencën e çfarëdo prove që Mlladiç – i dënuar vitin e kaluar me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit – në të vërtetë urdhëroi masakrën e Srebrenicës.

Dimitrijeviç u citua në mediat serbe të thoshte se Mlladiç i kishte thënë atij, në një letër, se historiani “e kishte lavdëruar shumë” në disa pjesë të librit.

Gazetarja nga Beogradi Ljiljana Bulatoviç, një përkrahëse e njohur e Mlladiçit, shkroi një libër për të në vitin 2009. “Mlladiç është vëllai im në frymë dhe  shoku im i luftës”, tha ajo në vitin 2013.

Pati fjalë të ngrohta për Mlladiçin edhe në një libër të Biljana Plavsiç, botuar në vitin 2005, ndërsa ish-zyrtarja e lartë serbe e Bosnjës po vuante një dënim me 11 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe për dëbime me forcë në baza fetare, politike dhe racore.

Libri e quajti Karaxhiçin një “frikacak”, por Mlladiçin një “njeri të madh”.

Lideri serb i Bosnjës Milorad Dodik, një ish-aleat i Plavsiçit, i cili u zgjodh muajin e kaluar si anëtari serb i presidencës trepalëshe të Bosnjës, mori pjesë në promovimin e librit në Banja Luka, duke u thënë për Deutsche Welle: “Është normale që pati viktima në të gjitha anët dhe në thelb ky nuk është justifikim për një krim. Ky është thjesht një këndvështrim i së vërtetës në mënyrën se sie shikon ajo atë.”

‘Tragjike, poshtëruese, ofenduese”

Radovan Karaxhiç në gjykatë në Hagë. Foto: Beta.

Libri i vitit 2016 i Karaxhiçit, “Mermerne istine o Bosni”, ose “Të vërteta për Bosnjën”, përkoi me dënimin e tij në vitin 2016 në lidhje me Srebrenicën, rrethimin e Sarajevës, përndjekjen e boshnjakëve dhe kroatëve dhe për marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së.

“Gjithçka është dokumentuar nga një këndvështrim ligjor, historik, disi filozofik,” tha për librin avokati i tij, Goran Petronijeviç.

Botuesi tha se ishte bazuar kryesisht në deklaratat e hapjes dhe mbylljes së Karaxhiçit në gjykatën e OKB-së, në të cilat ai fajësoi për luftën një “grup të palëkundur myslimanësh që vuanin nënshtrimin ndaj serbëve ose luftës”. Karaxhiçi u dënua me 40 vjet burg.

Murat Tahiroviç, i cili drejton një shoqatë të viktimave dhe dëshmitarëve të gjenocidit në Bosnje, tha se libra të tillë tregonin përbuzjen e autorëve të tyre për gjykatën e OKB-së dhe sa komod ndiheshin ata për ta shprehur këtë.

“Ata besojnë se mund të bëhen autorë në këtë vend,” tha ai për BIRN, “që është tragjike dhe poshtëruese dhe ofenduese për viktimat dhe ata që mbijetuan”.

Vitin e kaluar, pak para se ai të dënohej me 25 vjet nga Gjykata e OKB-së për krime lufte kundër boshnjakëve, ish-lideri i një rajoni kroat të shkëputur në Bosnje, Jadranko Prliç, botoi një libër të titulluar “Kontributet në historinë e Republikës Kroate të Herceg-Bosnjës”.

Libri me tre vëllime justifikonte veprimet e rajonit rebel të panjohur. Zeljko Raguz, një deputet nga partia qeverisëse e Bashkimit Demokratik Kroat, dhe Ante Nazor, kreu i Qendrës Përkujtimore për Dokumentim të Luftës për Atdhe në Kroaci – siç njihte zyrtarisht në Kroaci lufta kroate e viteve 1991-1995 – foli në promovimin e librit në Bosnje dhe Kroaci.

Nikola Puhariç i Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut tha se libri përpiqej të demonstronte ligjshmërinë e rajonit të shkëputur ndërsa zvogëlonte “ndikimin negativ të institucioneve të tij”.

Megjithatë, Gjykata e OKB-së vendosi se lidershipi kroat dhe boshnjak i Kroacisë kishte për qëllim unifikimin, “të vënë në zbatim nëpërmjet një sipërmarrjeje të përbashkët kriminale, duke kryer krime masive, përndjekje dhe spastrim etnik të popullsisë myslimane,” tha Puhariç për BIRN.

Puhariç vuri në dukje se libri i Prliç u prezantua në Arkivin Shtetëror Kroat, ku morën pjesë edhe ministrja e kulturës Nina Obuljen Korzinek.

Lavdërim nga presidentja

Slobodan Praljak në gjykatë në vitin 2013. Foto: Wikipedia.

Një nga pesë të bashkë-akuzuarit me Prliçin, ish-gjenerali Slobodan Praljak, vrau veten pasi piu helm gjatë dhënies së dënimit për të. Tashmë i dënuar, akti televiziv e bëri Praljakun një martir në sytë e shumë kroatëve, sidomos tek mbështetësit e partisë qeverisëse konservatore.

“Gjenerali Praljak”, i shkruar nga Miroslav Medjimoreç dhe Josip Pecariç dhe i botuar vitin e kaluar, përmban një listë të nënshkruesve që kërkojnë që atij t’i jepet çmimi Nobel për Paqen, “provë” se ai nuk bëri asgjë të gabuar, si edhe fotografi, poezi dhe ese që lavdërojnë luftën e tij. Një mesazh mbështetjeje për Praljakun nga presidentja kroate Kolinda Grabar Kitaroviç u lexua në prezantimin e librit në Zagreb.

Grabar Kitaroviç vlerësoi rolin e Praljakut në luftë dhe tha se shpresonte që ai dhe pesë ish-zyrtarët e tjerë kroatë të Bosnjës të liroheshin. Deklarata erdhi pas dy librave të mëvonshëm nga të njëjtët autorë, “Gjenerali Praljak II” dhe “Gjenerali Praljak III”.

Praljak kishte botuar veprën e vet prej 800 faqesh, “Si të Bëhesh një Kriminel i Përbashkët”, në fillim të vitit të kaluar kur ai apeloi dënimin e tij.

Botuesi i dërgoi një kopje BIRN-it. Në të, Praljak këmbëngul që Kroacia luajti një rol pozitiv në luftërat e kolapsit të Jugosllavisë dhe ofron një sërë grafikash dhe tabelash që tregojnë se sa ndihma humanitare Kroacia dërgoi në Bosnje dhe numrin e refugjatëve dhe të plagosurve që pranoi vendi.

Ai nuk përmend se si forcat kroate të Bosnjës, të njohura si HVO, bllokuan ndihmën për boshnjakët, sidomos në qytetin e ndarë të Mostarit. Sipas gjykatës së OKB-së, forcat kroate të Bosnjës e mbajtën Mostarin lindor nën rrethim midis korrikut 1993 dhe prillit 1994, duke i penguar banorët boshnjakë të largoheshin.

Puhariç tha se ishte “e turpshme” që politikanë të lartë kroatë dhe disa institucione shtetërore shfaqnin një simpati të tillë për kriminelët e dënuar të luftës.

“Zyrtarët e lartë të Kroacisë nuk e kanë distancuar kurrë veten nga politika kriminale e Herceg-Bosnjës dhe HVO-së nga viti 1993 dhe 1994, përfaqësues të të cilëve ishin Prliçi dhe Praljaku,” tha ai.

Tjetri
Pikëpyetjet e panumërta mbi pronat rrezikojnë pozitën e gjyqtarit Artur Malaj

Konfirmimi i gjyqtarit Artur Malaj konsiderohet “i pajustifikueshëm” nga ONM

Më të lexuarat

Gjendje mohimi: Librat që rishkruajnë luftën boshnjake

Gjendje mohimi: Librat që rishkruajnë luftën boshnjake

17:05 | 19/10/2018
Në rajonet e thella shqiptare, migrimi bëhet pothuajse i pashmangshëm

Në rajonet e thella shqiptare, migrimi bëhet pothuajse i pashmangshëm

14:05 | 27/03/2023
“Mbretërit e Parë të Europës”: Objektet prehistorike ekspozohen në SHBA

“Mbretërit e Parë të Europës”: Objektet prehistorike ekspozohen në SHBA

18:04 | 24/03/2023
Ujërat e ndotura pengojnë programin e “Flamurit Blu” në bregdetin shqiptar

Ujërat e ndotura pengojnë programin e “Flamurit Blu” në bregdetin shqiptar

19:29 | 27/03/2023
KQZ fal kryebashkiakun e Mallakastrës për dënimin në Greqi

Tre kryebashkiakë rrezikojnë gjoba për ‘keqpërdorim të fondeve publike’ në fushatë

19:19 | 24/03/2023
‘Tejkalim afatesh dhe zvarritje’: Prokurori Olger Eminaj jep shpjegime në KPK

‘Tejkalim afatesh dhe zvarritje’: Prokurori Olger Eminaj jep shpjegime në KPK

17:11 | 28/03/2023
  • Analiza
  • Blog
  • Intervista
  • Investigime
  • Lajme
  • Opinion
  • Rajoni
  • Reportazhe
  • Vendi
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Pyetje të shpeshta
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2021 Reporter.al - BIRN
Dev by Aplikacione.com

Ska rezultat
Shiko të gjitha
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
  • Reportazhe
  • Opinion
  • Intervista
  • Rajoni
  • Blog

© 2022 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.