Kreu i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori ka thirrur mbledhjen e përgjithshme të gjyqtarëve, të cilët do të zgjedhin 6 anëtarët gjyqtarë të Këshillit të Lartë të Gjyqësor.
Kreu i Gjykatës së Lartë thirri ditën e mërkurë me 12 dhjetor në Tiranë mbledhjen e përgjithshme të gjyqtarëve, të cilët pritet të votojnë për të zgjedhur 6 anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, që zgjidhen nga radhët e gjyqësorit.
Pjesëmarrja nga ana e gjyqtarëve në mbledhjen e përgjithshme për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor përbën detyrim ligjor.
Këshilli i Lartë Gjyqësor është një nga institucionet e reja që do të krijohen si pjesë e reformës në drejtësi. KLGJ është një organ kolegjial i përbërë nga 11 anëtarë, 6 nga të cilët përzgjidhen nga radhët e gjyqtarëve të të gjitha niveleve. Pesë anëtarët e tjerë të Këshillit janë juristë të përzgjedhur nga radhët e avokatëve, të pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë, të Shkollës së Magjistraturës dhe të përfaqësuesve të shoqërisë civile.
Anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor qëndrojnë në detyrë për një periudhë 5 vjeçare, pa të drejtë zgjedhjeje të njëpasnjëshme. Ata gëzojnë pagën dhe përftimet e anëtarit të Gjykatës së Lartë.
Më herët këtë javë Prokuroroja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku thirri mbledhjen e prokurorëve për përzgjedhjen e 6 anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë që përzgjidhen gjithashtu nga radhët e organit të akuzës.