Kosta Beluri nga Prokuroria e Përgjithshme, Arben Dollapaj dhe Bujar Sheshi nga Apelet dhe Gentian Osmani, Antoneta Sevdari dhe Besnik Cani nga shkalla e parë votohen nga kolegët për institucionin që do të qeverisë organin e akuzës.
Në një mbledhje maratonë që zgjati më shumë se 10 orë, prokurorët e Shqipërisë votuan gjashtë anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke i hapur kështu rrugën ngritjes së Prokurorisë së Posaçme, SPAK dhe zgjedhjes së një Prokurori të Përgjithshëm me mandat të plotë.
Mbledhja filloi në 9.30 të mëngjesit me prezantimin e procedurës së votimit dhe u përshëndet nga kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku, që e cilësoi momentin si “hap i ri për drejtësinë”. Ndërsa shefi i delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca deklaroi se ky është një hap për integrimin e Shqipërisë.
“Veprimet tuaja në të ardhmen do të jenë të rëndësishme,” tha ai.
Rreth 295 prokurorë të të gjitha niveleve iu drejtuan më pas kutive të votimit për të zgjedhur anëtarët e KLP-së nga shkalla e parë, e Apelit dhe ajo e Përgjithshme. Kryeprokurorja Marku votoi e para.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë është njëri prej institucioneve më të rëndësishme të dizenjuara nga reforma në drejtësi, e cila ka për funksion drejtimin e organit të akuzës në Shqipëri. Ai përbëhet nga 11 anëtarë, gjashtë prej të cilëve u zgjodhën në Mbledhjen e Përgjithshme të Prokurorëve. Pesë anëtarët jo-prokurorë u zgjodhën në shkurt përmes shortit në Kuvend.
Për shkak të numrit të kandidatëve, gara për përfaqësuesit e shkallës së parë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë rezultoi më e ethshme. Gjashtë kandidatë konkuruan mes tyre për një post në KLP.
Në fund të votimit, numrin më të lartë të votave e mori zv.drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Gentian Osmani, i ndjekur nga Antoneta Sevdari e Prokurorisë së Tiranës dhe Besnik Cani. Ky i fundit ushtron aktualisht funksionin si shefi i kabinetit të kryeprokurores Arta Marku, por për shkak se emërimi i tij ka mbetur në Elbasan, do të përfaqësojë në KLP prokurorin e shkallës së parë jashtë Tiranës.
Në raundin e votimit për shkallën e parë, 104 vota rezultuan të pavleshme.
Përfaqësuesi i organit qendror të akuzës në Këshillin e Lartë të Prokurorisë do të jetë Kosta Beluri. Ai fitoi me një diferencë të madhe votash ndaj kandidates tjetër, Anila Leka, respektivisht 200 vota kundrejt 86. Shtatë vota ishin të pavlefshme.
Ndonëse votimi u krye, gara për përfaqësuesit e Prokurorisë së Apelit në KLP ishte që në fillim e mbyllur. Dy vendet e rezervuara në KLP për Prokuroritë e Apeleve do të zihen nga dy kandidatët Arben Dollapaj dhe Bujar Sheshi.
Konfigurimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë mund të mos jetë megjithatë përfundimtar, pasi dy prej gjashtë të zgjedhurve, Gentian Osmani dhe Arben Dollapi, janë apeluar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
Të zgjedhurve si përfaqësues të prokurorëve do t’u bashkohen edhe kandidatët jo-prokurorë, të cilët u zgjodhën në muajin shkurt në Kuvend përmes shortit. Ata janë avokatët Tartar Bazaj dhe Nurihan Seiti (Metaj), pedagogët Gent Ibrahimi dhe Sandër Beci si dhe Alfred Balla nga Shoqëria Civile.