Maqedonia duhet t’i lërë mënjanë “arritjet” dhe të fokusohet te debati, diskutimi dhe demokracia, që do t’i bashkojë njerëzit e nuk do t’i ndajë ata.
Është përsëri ajo kohë e vitit, kur të gjithë prezantojnë “rezultatet” e tyre. Gabim. Në epokën e mediave sociale të gjithë po prezantojnë “arritjet”.
Çdo projekt i vogël zhvillimi është një hap i madh novator, një pikë referimi evolucionare. Kur lexoj këto raporte, dëgjoj këto fjalim apo shoh postimet nëpër mediat sociale, më vijnë në mendje ngjarje të shkuara socialiste.
Në fillim të viteve ’70 të shekullit të kaluar, suksesi zyrat i përshkruar nga Partia në Rumani ishte përmbushja e planit pesëvjeçar në katër vjet e gjysmë. Nuk po bëj shaka. Mund ta dëgjoni këtu. Duke qenë se vitet e fëmijërisë time në Rumani karakterizoheshin nga “arritjet e përditshme të shoqërisë së zhvilluar shumëpalëshe socialiste”, kam një lloj neverie ndaj mburrjeve.
Tani që po shkruaj këtë artikull, jam ulur në shtëpi në një dhomë që ka nevojë për një filtër për ta bërë ajrin të padëmshëm. Teksti këshillues në aplikacionin tim për ndotjen e ajrit më këshillon të qëndroj në shtëpi, cilësia e ajrit jashtë është e rrezikshme. Pyes veten nëse punëtorët e ndërtimit përdorin të njëjtin aplikacion dhe çfarë mendojnë ata për arritjet në punën e zhvillimit kur përballen me këto kushte.
Në një koment të publikuar këtu javën e kaluar, Florian Bieber shkruan se ndryshimi në shoqëritë ballkanase do të duhet të vijë nga brenda, pasi presioni, sidomos nga BE-ja, nuk mund të pritet. Ndërkohë që jam dakord me të në lidhje me këtë analizë, mbetet pyetja: si do ta bëjnë këtë gjë këto shoqëri tepër të polarizuara?
Lini mënjanë politikat me rezultat final zero
Është dimër, ditët janë të shkurtra dhe optimizmi është një komoditet i rrallë. Një vit e gjysmë pas ndryshimit në qeveri, populli në Maqedoni është tepër i zhgënjyer.
Arsyeja e fundit është ligjit për amnistinë e autorëve të sulmit të përgjakshëm në parlament në prill të vitit 2017. Ligji kritikohet për cilësinë e tij dhe për qëllimin e tij si një mjet politik. Kryeministri Zoran Zaev duhet të sigurojë një shumicë prej dy të tretash për ndryshimet kushtetuese për Marrëveshjen e Prespës me Greqinë në lidhje me çështjen e emrit.
Por ligji për amnistinë duket të jetë e vetmja gjë që ka mbetur nga ofensiva e lajmëruar e pajtimit e Zaevit. Nëse ky është rasti, atëherë po humbet një mundësi e madhe.
Paralelisht me rregullimin e marrëdhënieve me vendet fqinje, Maqedonia ka nevojë për një proces të brendshëm pajtimi. Kjo do të ishte për të ndrequr dëmin e shkaktuar nga një çerek shekulli polarizim, si ndër ashtu edhe intra-etnik.
Ka ardhur koha të gjendet një narrativë tjetër, në të cilën tjetri nuk është armiku. Ka ardhur koha që programet politike të zëvendësojnë aspiratat fisnore dhe që përfshirja në politikë dhe politikëbërje të zëvendësojë përjashtimin nacionalist dhe ekskluzivizmin.
Por këro procese nuk ndodhin vetë. Ato duhet të drejtohen nga lartë poshtë, ndërkohë që inkurajohen dhe organizohen nga poshtë lartë. Ato duhet të nxiten nga institucionet, shoqëria civile dhe akademia. Proceset duhet të jenë transparente dhe përfshirëse; mbështetja duhet të jetë sistematike dhe mbi të gjitha – e besueshme. Mbështetja duhet të vijë nga komuniteti ndërkombëtar.
Të bësh për vete popullin
Maqedonia ka një histori pajtimi që ka shkuar keq: një amnisti e përgjithshme mbuloi pjesëmarrësit në konfliktin e vitit 2001. Pakënaqësia ishte e lartë dhe ligji, i domosdoshëm siç ishte, në të vërtetë kontribuoi në zgjerimin e hendekut etnik.
Por ajo që absolutisht vrau kredibilitetin e procesit ishte i ashtuquajturi “interpretim autentik” i ligjit. Në shpërfillje e hapur të së drejtës ndërkombëtare humanitare, amnistia u zbatua në katër raste krimesh të dyshuara lufte, të cilat ishin kthyer nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ICTY, për t’u gjykuar në nivel vendos. Autorët e akteve të papërshkrueshme u amnistuan, me qeverinë që bëri citoi probleme sigurie.
Rasti tjetër më i fundit që dëmtoi pajtimin ishte përpjekja e ngathtë e presidentit në fillim të vitit 2017 për të falur një grup të përzgjedhur njerëzish, që përfshinte ish-kryeministrin Nikola Gruevski. Presidenti Gjorge Ivanov u desh ta tërhiqte mbrapsht vendimin që shkaktoi zemërim brenda vendit dhe në nivel ndërkombëtar.
Por ka më shumë se kaq. Themelet e shtetit janë hedhur mbi një sërë narrativash kontradiktore, të gjitha fisnore, militante dhe që përjashtojnë njëra-tjetrën. Linjat e fajit nuk janë të reja – ato ekzistojnë prej aq shumë kohësh sa ekziston edhe “çështja maqedonase”. Kjo do të thotë se ajo që nevojitet nuk është pajtimi, por një themel i ri. Dhe kjo do të dojë shumë kohë.
Nuk mjafton të rishkruhen paragrafë nëpër libra historie. Është i gjithë kuptimi i plotë i historisë që duhet të ndryshojë. Nuk mund të ketë pronësi ekskluzive të historisë nga një narrativë, siç ishte rasti në kohën e Jugosllavisë dhe siç ishte rasti gjatë dekadës së fundit.
Kjo përpjekje për të kapërcyer një lexim të ngushtë të historisë është bërë në pjesë të mëdha të Europës dhe nuk kaloi pa kritika të konsiderueshme. Por gjithnjë e më shumë, ne synojmë të theksojmë përpjekjen e përbashkët në ndërtimin e projektit europian sesa në pikëpamjen nacionaliste të konfliktit të përhershëm mes armiqve të përjetshëm.
Në mënyrë që kjo të rezultojë e suksesshme, ju duhet të fitoni zemrat e njerëzve me një lidership të vërtetë. Hapat e para janë ndërmarrë, sidomos nga kryeministri Zoran Zaev dhe nga ministri i jashtëm Nikola Dimitrov, por një pjesë e madhe e qeveisë dhe sidomos makineria e administratës shtetërore tashmë i janë rikthyer modelit të zakonshëm të vetëshërbimit.
Do të theksoj vetëm një shembull të fundit. Thjesht nuk është e pranueshme që pas vitesh të tëra fondesh dhe masash për ndërtimin e kapacitetit në parlament, deputetët në të gjitha partitë të mos kenë asnjë ide më të mirë sesa të kërkojnë të punësohen në administratë pas përfundimit të mandateve të tyre. E them përsëri, kjo nuk është shaka. Këta janë të njëjtët deputetë që supozohet nxjerrin ligje qeverisëse, të vazhdojnë më tej luftën kundër ryshfetit dhe korrupsionit.
Më shumë demokraci, më pak arritje
Lista e gjërave të papranueshme mund të vazhdojë përgjithmonë dhe për çdo shembull mund të gjeni disa projekte që pretendojnë arritjet e tyre. Nuk po them se asistenca e huaj është e gabuar, përkundrazi. Por ajo duhet të jetë më e fokusuar, më e kujdesshme tek gjërat dhe njerëzit që ajo synon, duhet të jetë më afatgjatë dhe përfundimisht më fleksibël. Dhe ajo duhet të jetë në lidhje me njerëzit, jo vetëm verbalisht në më shumë apo më pak teori frymëzuese ndryshimi, por në fokusin e saj të vërtetë.
Ajo që i nevojitet Maqedonisë tani është të bindë qytetarët e saj se e vetmja e ardhme që ata kanë është së bashku. Dhe është më mirë të marrin pjesë në ndërtimin e kësaj të ardhmeje sesa ta lënë atë në dorë të atyre të cilëve s’u besojnë më gjithsesi dhe që bëjnë gjithçka për të fituar këtë mosbesim.
Ajo që i nevojitet tani Maqedonisë është më shumë demokraci dhe më pak arritje. Ajo ka nevojë për më shumë shqyrtim, më shumë debat, më shumë diskutim dhe më pak receta të paracaktuara. Por mes njerëzve ekziston një regjim pasiv-agresiv i përgjithshëm dhe çdo moment zhgënjimit thjest do ta intensifikojë atë. Ky është terreni pjellor për populizmin dhe konfliktin që duhet të kundërshtohet.
Në një intervistë të kohëve të fundit për Le Monde, Ministri i Jashtëm Dimitrov tha se qeveria e tij “do të tregojë se mrekullitë janë të mundshme në Ballkan”. Zgjidhja e çështjes së emrit, megjithatë, është vetëm fillimi i udhëtimit. Në atë shpirt krijues dhe të guximshëm për t’u shkëputur nga zakonet dhe perceptimet e vazhdueshme, puna duhet të fillojë dhe madje duhet të fillojë me njerëzit.
Po rritet një brez i ri, një brez që ndihet më komod duke qenë qytetarë të botës. Ata përfitojnë nga bursat ndërkombëtare, nga të gjitha llojet e shkëmbimeve, nga bashkëveprimi me shokët e tyre në të gjithë botën. Mjerisht, ata fitojnë shumë më pak nga sistemi arsimor në vend.
Ata marrin vesh nga teknologjia dhe janë fleksibël. Ata i refuzojnë gjithnjë e më shumë stereotipet. Neveria e tyre ndaj diskurseve aktuale politike është e fortë dhe shumë shpesh kjo manifestohet me largimin e tyre nga vendi.
Maqedonia duhet të marrë energjinë krijuese të këtyre të rinjve (dhe të gjithë vendet e tjera në rajon) për të mirën e saj dhe të mirën e tyre. Është ky brez që, me kusht që të bindet që të mos largohet tërësisht, ka potencialin për të shkruar një narrativë të re. Dhe kjo do t’i ndryshonte plotësisht gjërat.
Mendimet e shprehura në sektorin e Opinioneve janë vetëm ato të autorëve dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.