BIRN ka mësuar se qeveria e Shkupit shpenzoi pak më pak se një milionë euro për fushata mediatike që synonin të inkurajonin njerëzit të merrnin pjesë në referendumin e dështuar të vitit të kaluar për marrëveshjen e emrit me Greqinë.
Parlamenti maqedonas i ka ndarë 900,000 euro një totali prej 66 mediash për të propaganduar referendumin e mbajtur më 30 shtator të vitit të kaluar në lidhje me marrëveshjen e ashtuquajtur të Prespës me Greqinë, mundi të zbulonte BIRN duke përdorur të dhënat e marra në bazë të ligjeve për qasjen e publikut në informacione.
Referendumi megjithatë dështoi pasi vetëm një e treta e elektoratit mori pjesë në të, shumë pak larg pragut të nevojshëm.
Parlamenti nuk pagoi për prodhimin e materialeve propagandistike të përdorura, siç janë videot, por i mori ato “të gatshme për transmetim” nga deputetët, konfirmoi ai.
Para referendumit, qeveria i caktoi parlamentit një total prej 1.3 milion eurosh për të organizuar propagandë publike përpara referendumit.
Rreth 400,000 euro mbetën të papërdorura, pasi grupi parlamentar i ish-partisë qeverisëse dhe tani opozitare VMRO DPMNE vendosi të mos i përdorte paratë – duke treguar kështu kundërshtimin e saj total ndaj marrëveshjes me Greqinë, e cila është projektuar për të zgjidhur mosmarrëveshjen e emrit.
Vetëm një grup prej 71 nga 120 deputetë i përdorën paratë, duke deklaruar se do t’i përdornin ato për të bërë fushatë “pro” Marrëveshjes së Prespës.
Nuk pati para për deputetë individualë që donin të merrnin pjesë në fushatë, as partitë politike që nuk kanë vende në parlament.
Paratë e referendumit u shpërndanë nga parlamenti, si institucioni i vetëm i autorizuar për të kryer një fushatë të tillë.
Ai i caktoi 82 për qind të fondeve për stacionet televizive kombëtare, 6 për qind për stacionet televizive lokale dhe 10 për qind për radiot.
Vetëm 2 për qind e fondeve shkuan për gazetat e përditshme.
Revistat, gazetat e përjavshme dhe faqet e internetit të lajmeve nuk morën para nga buxheti i referendumit.
Nga stacionet televizive kombëtare, parlamenti i dha më shumë para Sitelit, rreth 140,000 euro.
Telma TV mori 107,000 euro ndërsa Alsat dhe Kanal 5 morën rreth 105,000 euro.
TV21 mori 81,000 euro, 1TV dhe 24 Vesti rreth 64,000 euro dhe Alfa TV mori thjesht nën 30,000 euro.
Një total prej 738,000 euro u është paguar të gjitha stacioneve televizive për të transmetuar programe përpara votimit.
Ndër stacionet televizive lokale, Studio Tera mori më shumë para, rreth 5,600 euro, ndërsa Kanal 77 ishte në vendin e parë mes stacioneve radiofonike duke marrë pak më shumë se 13,000 euro.
Ndërkohë, gazeta Koha mori shumicën e parave përsa i përket medias së shkruar, duke u paguar me rreth 6,500 euro.
Pasi Ligji për Referendume nuk parashtron rregulla për propagandën publike, u zbatuan rregullat e Ligjit Zgjedhor.
Ai thotë se çmimi i paguar për sekondë i reklamave politike nuk duhet të tejkalojë çmimin mesatar të reklamave siç është llogaritur në tre muajt e fundit.
BIRN i kërkoi parlamentit të zbulojë kontratat e hartuara me kompaninë ose kompanitë për realizimin e videove televizive dhe në radio dhe mesazhet dhe reklamat e mëdha për referendumin.
Megjithatë, përgjigja ishte se parlamenti organizoi vetëm transmetimin e propagandës, ndërsa deputetët siguruan materiale propaganduese “të gatshme për publikim”.
Mbetet e paqartë se kush i bëri videot e radiotelevizionit që deputetët i dhanë parlamentit, që ende mund të shihen në llogarinë e YouTube të koalicionit jo-qeveritar pro-marrëveshjes, “Voto për Maqedoninë Europiane”.
Sekretariati i Përgjithshëm i qeverisë e regjistroi faqen e internetit të këtij koalicioni, izlezi.mk, në shtator, përpara referendumit.
Sipas asaj që u njoftua para referendumit, përveç 1.3 milionë eurove të shpërndara për propagandë, nga të cilat 900,000 u përdorën, qeveria ndau edhe 6,500 euro për një fushatë të drejtuar nëpërmjet rrjeteve sociale Facebook, Twitter, Instagram dhe YouTube.
Pas referendumit, partia opozitare VMRO DPMNE pretendoi se qeveria dhe social demokratët SDSM kishin shpenzuar shumë më tepër para për referendumin sesa ishte deklaruar.
Partia sugjeroi se autoritetet e udhëhequra nga SDSM shpenzuan mbi 3 milion euro për referendumin, duke përfshirë mediat zyrtare dhe jozyrtare dhe një fushatë informuese.
Fushata mediatike ishte qartazi më pak efikase pasi vetëm një e treta e votuesve morën pjesë në votim – shumë më pak se 50 për qind që nevojitej që rezultati të të konsiderohej i vlefshëm.
Nga kjo shifër, rreth 90 për qind mbështeti marrëveshjen, e cila përfshinte ndryshimin e emrit të Maqedonisë për të kënaqur Greqinë, dhe kështu të ringjalleshin shpresat e anëtarësimit të saj në BE dhe NATO.
Rezultatet treguan se thirrjet e VMRO DPMNE që votuesit ta bojkotonin referendumin kishin qenë efektiv në një masë të madhe. Pjesëmarrja e ulët konfirmoi shqetësimet se lista elektorale e 1,8 milionë votuesve është e vjetëruar. Censusi i fundit i popullsisë u mbajt në vitin 2002 dhe sipas vlerësimeve të ndryshme, popullsia aktuale në vend është më pak se 2.1 milionë banorë.
Pavarësisht kësaj pengese, qeveria e Zoran Zaev e çoi marrëveshjen për miratim në parlament.