Filozofi Bertrand Russell besonte se Lufta e Ftohtë i ngjante një loje të rrezikshme të luajtur nga “të degjeneruarit e rinj”. Kryeministrja britanike Theresa May po luan një lojë të ngjashme dhe, nëse Brexit shkon keq, viktima do të ishte Britania.
“Loja e pulës” është e thjeshtë për t’u përshkruar, por e rrezikshme për ta luajtur. Bazuar në teorinë evolucionare të lojës, nganjëherë u përdor për të përshkruar politikën e lojës me zjarrin gjatë Luftës së Ftohtë.
Bertrand Russell, filozof i madh britanik dhe aktivist kundër armëve bërthamore, na kujtoi se loja zakonisht luhet mes asaj që ai e quajti “të degjeneruarit e rinj”. Lojtarët ngasim makinat drejt njëri-tjetrit me shpejtësi maksimale. Shoferi i parë që i shmanget një përballje kokë më kokë – ose, në disa raste, hidhet nga ndenjësja e tij në lëvizje e sipër para se të arrijë skajin e shkëmbit – është “pulë”. Russell besonte se ky ishte një përshkrim i aftësive politike të hamendësuara të fuqive bërthamore në Luftën e Ftohtë. Një përllogaritje e gabuar, një dështim në shmangie dhe rezultati mund të ishte Armageddoni: qindra miliona vdekje, qytete të rrafshuara, fund i civilizimit.
Një version më pak i rrezikshëm i “lojës së pulës” po luhet nga Theresa May, vajza e vikarit kokëfortë, që është kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar. Nëse diplomacia e saj nuk shmanget shpejt, viktima do të jetë ekonomia dhe mirëqenia e Britanisë.
Marrëveshja që May ka negociuar për tërheqjen e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Europian do ta linte vendin më të varfër (sipas disa prej ministrave të saj) dhe më pak ndikues, por të paktën nuk do të përballej me një përplasje vdekjeprurëse. Marrëveshja e daljes e Theresa May është e tillë: ajo nuk do të zgjidhte marrëdhëniet e ardhshme të Britanisë me Europën. Si do të jenë marrëdhëniet tregtare? Si do të mbrojë Mbretëria e Bashkuar bazën e kërkimit shkencor dhe universitetet e klasit botëror? Si do të menaxhohen marrëveshjet e saj ekonomike me vendet e tjera?
Të 27 shtetet anëtare të BE-së i presin vite të tëra diskutime në lidhje me këto çështje. Por të paktën mund të shmangim largimin nga BE-ja pa marrëveshje, duke kufizuar goditjen e menjëhershme të largimit me çmimin e një periudhe të gjatë dhe të trazuar tranzicioni.
Problemi, natyrisht, është se në janar Parlamenti i Britanisë kundërshtoi marrëveshjen e Theresa May me një diferencë prej më shumë se 200 votash – humbja më e madhe që mbahet mend nga ndonjë qeveri britanike. Për marrëveshjen pati tri kundërshtime kryesore.
Disa besonin se asnjë marrëveshje nuk mund të ishte aq e mirë sa anulimi i Brexit dhe qëndrimi në BE – një ide që shumë nga ky grup donin ta provonin në një referendum të dytë. Të tjerë mendonin se shumë pak ishte e qartë në lidhje me marrëdhënien e ardhshme me fqinjët më të afërt të Britanisë. Dhe ndërsa disa të tjerë – nacionalistët anglezë në krahun e djathtë të Partisë Konservatore – kundërshtuan masat e marra për të trajtuar çështjen e kufirit tokësor midis Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës.
Çështja e kufirit irlandez – një simbol praktik i destruktivitetit të mundshëm të dhunshëm të politikës së identitetit të Irlandës – ngre pyetje për sigurinë edhe tregtinë. Vetë May e konsideron këtë çështje si të lidhur ngushtë me integritetin dhe vitalitetin e vazhdueshëm të Marrëveshjes së të Premtes së Mirë e vitit 1998, e cila i dha fund dhunës komunale në Irlandën e Veriut. Askush nuk dëshiron të rrezikojë t’i rikthehet telasheve.
Çështja ekonomike dhe tregtare e ngritur nga kufiri irlandez është i thjeshtë. Një arsye e madhe pse Britania refuzoi t’i bashkohej Komunitetit Ekonomik Europian në vitet 1950 dhe 1960 ishte dëshira e saj për marrëveshje tregtie të lirë me vendet europiane. Ata donin një bashkim doganor, me një tarifë të jashtme për të mbrojtur vendet anëtare nga importet nga vendet e tjera. Pa këtë, si mundet një fermer në vendet e Beneluksit ose Franca të jetë i sigurt se qengji i importuar nga Britania kishte ardhur prej aty dhe jo, për shembull, nga Zelanda e Re?
Nuk ka asnjë vend në botë ku ekzistojnë dy shtete ose grupe vendesh me regjime të ndryshme tregtare dhe rregullatore pranë njëri-tjetrit, pa një kufi midis tyre. Për më tepër, nuk ka asnjë teknologji që lejon që një kufi të menaxhohet pa ndonjë mënyrë për të ndaluar dhe kontrolluar mallrat që e kalojnë atë. Kjo është një çështje themelore për BE-në, e cila duhet të ruajë koherencën dhe integritetin e tregut të vetëm.
Marrëveshja e Theresa May siguron një të ashtuquajtur pengesë për t’u marrë me çështjen e kufirit derisa Britania, deri në të ardhme, të përfundojë një marrëveshje gjithëpërfshirëse tregtare me Europën. Deri atëherë, Britania do të mbetej në bashkimin doganor të BE-së. Kjo nuk duhet të shkaktojë probleme, sepse ideja që ne mund të zhvillojmë një politikë tregtare të suksesshme në vetvete, është provuar të jetë – siç parashikohet – një iluzion.
Por kundërshtarët e krahut të djathtë të Theresa May argumentojnë se pengesa do ta mbante Mbretërinë e Bashkuar përgjithmonë në bashkimin doganor dhe ajo nuk pranon të përballet me ta. Kështu që May po përpiqet të negociojë një formë marrëveshje ligjore me BE-në për të garantuar një datë përfundimi për këtë pengesë. Por një barrierë pa mbështetje do të ishte si një policë sigurimi që paguan sa herë që Britania vendos të mos e paguajë çmimin.
Pra, çfarë është saktësisht “loja e pulës”? Së pari, May i ndjek nga afër kritikët e saj në Parlament dhe në fakt kërcënon ta zvarrisë çështjen deri më 29 mars, kur Britania e Madhe duhet të largohet nga BE-ja, me ose pa një marrëveshje. Asnjë shmangie këtu nuk do të çonte në një përplasje shkatërruese për Britaninë, të cilën asnjë kryeministër nuk duhet ta mendojë. Por May refuzon të lejojë një votim në Parlament për të përjashtuar mundësinë e një Brexit pa marrëveshje ose të shtyjë datën e daljes për t’i dhënë Britanisë së Madhe më shumë kohë për të negociuar.
Kundërshtarët e tjerë në “lojën e pulës” të Theresa May janë 27 vendet anëtare të BE-së. Ata nuk duan një përplasje, por nuk duan as të hedhin poshtë Republikën e Irlandës apo të sabotojnë tregun e tyre të vetëm.
Nëse kjo manovër shkon keq, viktima do të ishte Britania – ekonomia e saj, vendet e punës, tregtia dhe reputacioni ndërkombëtar. Mendoj se edhe BE-ja i druhet një përçarje masive, por mendon se May po bën blof. Si mundet një lider demokratik të jetë kaq i papërgjegjshëm saqë t’i bëjë qejfin një grupi nacionalistësh të krahut të djathtë, siguria dhe besueshmëria e të cilëve janë në çdo rast të dyshuara?
Nga ana tjetër, për të përshtatur një citat nga shkrimtari anglez Saki, ne e dimë se liderët tanë politikë janë të lidhur me arsyen dhe të vërtetën, por, si shumë çifte të tjera të martuara, ata shpesh jetojnë veç e veç. Ndërkohë, automjetet rrisin shpejtësinë, distanca midis tyre zvogëlohet dhe askush nuk ka devijuar ende drejtimin e tij.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Playing Chicken with Europe