
Gjykata e OKB-së në Hagë e gjeti liderin politik serb të Bosnjës të kohës së luftës Radovan Karaxhiç fajtor për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe e dënoi atë me burgim të përjetshëm.

Dhoma e apelit e Mekanizmit për Gjykatat Penale Ndërkombëtare të mërkurën dënoi ish-presidentin serb të Bosnjës Radovan Karaxhiç për përgjegjësi për disa nga krimet më të rënda në Europë që nga koha e Luftës së Dytë Botërore dhe e dënoi atë me burgim të përjetshëm.
Ai u dënua për gjenocidin e boshnjakëve nga Srebrenica në vitin 1995, terrorizim të popullsisë civile të Sarajevës me anë të një fushate të gjatë bombardimi dhe sulmi me snajpera, persekutimin dhe shfarosjen e boshnjakëve dhe kroatëve në 20 komuna në të gjithë vendin dhe marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së.
Megjithatë, ai u lirua nga akuzat për gjenocid në shtatë komuna të tjera boshnjake në vitin 1992.
Karaxhiç u dënua fillimisht nga Gjykata e Hagës në një vendim të shkallës së parë në mars të vitit 2016, por si mbrojtja ashtu edhe prokuroria e apeluan vendimin.
Por gjyqtarët e apelit e hodhën poshtë pretendimin e Karaxhiçit se gjyqi i tij ishte i padrejtë.
Vendimi i së mërkurës është përfundimtar dhe nuk mund të apelohet.