Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi shkarkimin nga detyra të Çlirim Shahinit, pas problemeve të konstatuara me pasurinë dhe pastërtinë e figurës.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të martën shkarkimin e drejtuesit të Prokurorisë së Lushnjes, Çlirim Shahini. Vendimi u shpall nga trupa gjyqësore e kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relatore Xhensila Pine dhe anëtare Suela Zhegu.
Hetimi administrative për kreun e Prokurorisë së Lushnjes u krye mbi kriterin e pasurisë dhe atë të pastërtisë së figurës. Sipas KPK-së, prokurori Shahini kishte probleme me justifikimin e burimeve për ndërtimin e një shtëpie dy-katëshe në Sarandë si dhe mosdeklarimin e një huaje prej 2.7 milionë lekësh, që subjekti kishte marrë nga ndërtuesi i vilës.
Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar e konsideruar Shahinin të papërshtatshëm për vazhdimin e detyrës. Sipas të dhënave të bëra publike në seancën dëgjimore, kreu i Prokurorisë së Lushnjes kishte përdorur automjetin e një personi të dënuar për “dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit në Shqipëri dhe “trafik droge” në Greqi.
Gjatë seancës dëgjimore, Shahini pretendoi se të ardhurat e tij ishin të ligjshme dhe se huanë e marrë ndaj ndërtuesit e kishte shlyer deri në vitin 2016. Ai i kërkoi Komisionit një hetim më të thelluar për kriterin e pastërtisë së figurës, duke pretenduar se raporti i Shërbimit Informativ ishte keqdashës kundrejt tij.