KPA vulosi shkarkimin e prokurorit Adriatik Cama për pasurinë edhe pse rrëzoi KPK-në në kriterin e vlerësimit të figurës duke konstatuar se ish-prokurori nuk mund të penalizohej për deklarim të pamjaftueshëm në këtë kriter, pasi personi me të cilin kishte pasur kontakt ishte proceduar penalisht për kontrabandë dhe jo krim të organizuar.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) e ka gjetur vetëm pjesërisht të drejtë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) për shkarkimin e prokurorit të Tiranës Adriatik Cama.
Në vendimi e zbardhur thuhet se Kolegji kishte rikonfirmuar gjetjet e Komisionit për mungesë të burimeve të ligjshme për krijimin e pasurive dhe për këtë konfirmoi shkarkimin e Camës “për pamjaftueshmëri në deklarimin e pasurisë”.
Por nga ana tjetër KPA gjeti se kontaktet e cilësuara të papërshtatshme të Camës nuk ishin me persona që kishin lidhje me krimin e organizuar dhe se përndryshe nga vendimi i Komisionit deklarimi i ish-prokurorit në këtë kriter ishte i mjaftueshëm. Kolegji në vendim vlerëson se Komisioni mund të ishte shprehur ndryshe në lidhje me shkeljet e vërejtuara në pushimin e një ccështje, por ato nuk kishin të bënin me “deklarim të pamjaftueshëm në kriterin e pastërtisë së figurës”.
Trupa gjykuese e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, e përbërë nga Ardian Hajdari Kryesues, Albana Shtylla relatore dhe Ina Rama, Luan Daci e Sokol Çomo anëtarë, vendosi në 18 Shkurt në dhomë këshillimi që të çmojë të drejtë vendimin e Komisionit ndaj Camës duke lënë në fuqi shkarkimin e tij.
Prokurori Adriatik Cama iu nënshtrua vetingut me përparësi, pasi ishte njëri prej 19 kandidatëve për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Para se të emërohej prokuror i Prokurorisë së Tiranës në vitin 2010, ai ka punuar në Tepelenë dhe në Lushnjë.
Ankimi për shkeljen e procedurës
Prokurori Adriatik Cama i është drejtuar KPA-së me ankim duke kërkuar prishjen e vendimit të KPK-së të datës 12 korrik 2018, për shkarkimin e tij nga detyra duke pretenduar se është marrë në “moszbatim të parimeve të përcaktuara në Kodin e Procedurës Civile, si gjatë procesit të hetimit administrativ, ashtu edhe gjatë zhvillimit të seancës dëgjimore”.
Cama ka pretenduar se KPK e ka marrë vendimin për shkarkimin e tij “në mungesë të thellë të analizës juridike, me trajtim të njëanshëm të provave, me shprehje kontradiktore dhe të paqarta në paragrafë të ndryshëm, me fakte të rreme e të pavërteta, si dhe në kundërshtim me parimin e arsyetimit të vendimeve gjyqësore”.
Ai e ka quajtur antikushtetuese dhe antiligjore që t’i caktohet përgjegjësi për deklarata të dhëna para 15 vjetësh në një kohë kur ato kanë qenë objekt kontrolli nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI.
Por KPA konstaton se pretendimi i prokurorit Cama në lidhje me moszbatimin e parimeve të Kodit të Procedurës Civile gjatë procesit të rivlerësimit në Komision, ishin në nivel deklarativ, pasi ai nuk ka shpjeguar cilat janë parimet dhe në cilat momente procedurale ka munguar zbatimi i tyre.
Në vendimin e KPA sqarohet se në vazhdim të seancës dëgjimore, subjekti ka deklaruar se ka marrë të gjitha dokumentet, pjesë përbërëse e dosjes së tij të rivlerësimit dhe nuk ka kontestuar elemente procedurale të procedurës së hetimit të zhvilluar ndaj tij, apo elementë proceduralë të lidhur me zhvillimin e seancës dëgjimore.
Trupi gjykues i Kolegjit vlerëson se në të gjithë procesin e rivlerësimit të realizuar nga Komisioni, subjektit i “janë garantuar të gjitha të drejtat procedurale të parashikuara në ligj, si edhe janë respektuar parimet e procesit të rregullt ligjor”.
KPA, identifikon disa gabime që referojnë hapat proceduralë të ndjekur nga trupi gjykues i KPK-së. “Është fakt që datat e cituara në vendim, nuk korrespondojnë me datat e sakta të akteve procedurale, por pavarësisht këtij gabimi material, trupi gjykues i Kolegjit vlerëson se Komisioni e ka kryer procesin e rivlerësimit në përputhje të plotë me përcaktimet e ligjit nr. 84/2016 dhe parimet e procesit të rregullt ligjor”, citohet në vendim.
Kolegji vlerëson se komisioni ka bërë një analizë të plotë të provave, të cilat janë përdorur për konstatimin e situatës faktike për kriterin e vlerësimit të pasurisë dhe për kriterin e kontrollit të figurës duke e hedhur poshtë pretendimin e prokurorit Cama.
KPA ka çmuar gjithashtu si të pabazuar pretendimin e paraqitur në ankim nga subjekti se “keq llogaritjet e Komisionit mbi pambulueshmërinë e pasurisë me të ardhurat e tij dhe të bashkëshortes nuk mund të përbëjnë në asnjë standard vlerësimi, dyfishin e të ardhurave të tyre familjare në 25 vite punë. Kolegji shprehet se “Komisioni nuk është shprehur në konkluzionet e tij se pasuria e deklaruar e subjektit tejkalon dyfishin e pasurisë së ligjshme”.
Vendimi mbi kriterin e pasurisë
KPA ashtu si KPK çmon se prokurori Adriatik Cama ka kryer deklarim të pamjaftueshëm në lidhje me vlerën e blerjes së apartamentit 76,73 m2 , në, Tiranë, të deklaruar në vitin 2003, të blerë në shumën e 2.4 milionë lekëve, ndërsa në deklaratën e rivlerësimit në vlerën 3.4 milionë lekë.
Bazuar në kontratën e shit-blerjes, trupi gjykues i Kolegjit konstaton se çmimi i paguar nga prokurori Cama në vitin 2003 është 34 dollarë USD dhe jo 3.4 milionë lekë sa e ka pasqyruar ai në “deklaratën vetting” dhe as 2.4 milionë lekë sa ka deklaruar në deklaratën periodike të vitit 2003. Kolegji vëren se ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për krijimin e kësaj pasurie.
Në vendim thuhet se se prokurori Adriatik Cama ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme edhe për një garazh të përshtatur dyqan, me sipërfaqe 45,56 m² me vlerë rreth 650 mijë lekë.
Konstatimet e komisionit për mungesë të burimeve financiare të ligjshme janë rikonfirmuar nga Kolegji edhe për blerjen e autoveturës tip “Volkswagen Passat” në qershor të vitit 2010, në shumën 260 mijë lekëve. Gjithashtu, edhe krijimi i depozitës 4 mijë euro, nga bashkëshortja e tij në bankën “Intesa San Paolo” në vitin 2008 nuk është gjetur me burime të ligjshme prej KPA.
Kolegji çmon se prokurori Cama ka kryer deklarim të pamjaftueshëm në deklaratat e pasurisë në vite, pasi nuk ka deklaruar gjendjet e llogarive bankare në fund të viteve përkatëse, s’ka deklaruar të ardhura të kredituara nga të tretë në llogaritë e tij dhe të bashkëshortes së tij ndër vite, si edhe burimin e krijimit të tyre. Gjithashtu, nuk ka deklaruar si shtesë pasurie gjendjen e likuiditeteve në bankën “Credins” në vlerën prej 1039 eurosh në deklaratën e pasurisë së vitit 2009.
“Për këto arsye, trupi gjykues e gjen të drejtë konkluzionin e Komisionit se subjekti i rivlerësimit ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e kontrollit të pasurisë, në kuptim të nenit 61, pika 3 e ligjit nr. 84/2016”, shprehet trupi gjykues i KPA.
KPA rrëzon gjetjet e KPK-së për figurën
Megjithatë ndryshe nga Komisioni, KPA ka vlerësuar se faktet e hetuara në KPK nuk “kualifikohen në kuptim të ligjit si kontakte të papërshtatshme të prokurorit Cama me persona të lidhur me krimin e organizuar”.
Kolegji hetoi këtë kriter nisur nga pretendimi i prokurorit të shkarkuar se vendimi i KPK në lidhje me figurën është i njëanshëm, pasi është refuzuar të pyetet si dëshmitar cilido subjekt i aluduar si dhënës i një mite ndaj tij dhe se kjo e kishte “zhveshur atë nga mbrojtja efektive, në kundërshtim të plotë me parimet e procesit të rregullt ligjor”.
Sipas vendimit rezulton se Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) e bazoi konstatimin për papërshtatshmërinë e prokurorit Cama në pushimin e një çështje në Prokurorinë e Lushnjës në vitin 2005, kur ai ishte drejtues i këtij institucioni.
Trupi gjykues i Kolegjit vëren në vendim se konstatimi përfundimtar për papërshtatshmërinë e subjektit të rivlerësimit për vazhdimin e detyrës, “nuk lidhet me saktësinë dhe vërtetësinë e plotësimit të deklaratës së figurës”.
Sipas KPA-së, në shqyrtim të pretendimit të prokurorit Cama, komisioni nuk i është referuar, në asnjë moment, nenit 38 të ligjit nr. 84/2016. “Referimin te ky nen e gjejmë vetëm te rezultatet e hetimit administrativ, në të cilin Komisioni është shprehur se ‘referuar informacionit të DSIK-së dhe Prokurorisë së Përgjithshme, rezulton se subjekti i rivlerësimit ka pasur kontakte të papërshtatshme, sipas nenit 38, pika 4, shkronjat “c” dhe “d”, duke shkëmbyer favore apo dhurata (pushimi i akuzave penale ndaj z. Sh. K.) me persona (familjarët e z. Sh. K.) të përfshirë në krimin e organizuar…, si dhe referuar nenit 319 ‘Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë’”, shkruhet në vendimin e KPA-së.
Trupi gjykues i Kolegjit konstaton se ndaj shtetasit Sh.K., të cilit grupi i punës së DSIK-së dhe komisioni i kanë dhënë cilësinë e personit të përfshirë në krimin e organizuar, është regjistruar më datë 15 mars 2005 procedimi penal nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor, Lushnjë, për veprën penale “tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”. Por, sipas KPA, kjo vepër penale nuk përfshihet në ato që hetohen nga Krimet e Rënda dhe trupi gjykues arrin në përfundimin se shtetasi Sh.K. nuk përmbush kushtet për t’u cilësuar si person i përfshirë në krimin e organizuar.
KPA vlerëson se vendimi i datës 2 qershor 2005 i pushimit të procedimit penal ndaj shtetasit Sh.K., i marrë nga prokurori i çështjes GJ.T. dhe i nënshkruar edhe nga drejtuesi i Prokurorisë së Lushnjës Adriatik Cama, ka qenë i pabazuar në ligj e prova dhe, me të drejtë, është shfuqizuar nga Prokuroria e Përgjithshme.
Por Kolegji ka arritur në përfundimin se nuk u provua që Cama të ketë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, por ato mund të vlerësoheshin nga Komisioni brenda përcaktimeve të tjera të nenit 61 të këtij ligji. KPA e ka gjetur të bazuar në ligj pretendimin e prokurorit Cama, i cili ka kërkuar ndryshimin e vendimit të KPK-së për figurën.