I dyshuari për përplasjen e përgjakshme në lokalin “Monopol”, Ervis Martinaj u lirua të premten nga paraburgimi kundrejt një garancie pasurore prej 5 milionë lekë.
I proceduar për bashkëpunim në vrasje të mbetur në tentativë, falsifikim të dokumenteve si dhe i dyshuar për pastrim parash, evazion fiskal dhe organizim të lotarive të palejuara, Ervis Martinaj fitoi lirinë pasditen e të premtes rreth orës 17:00, kundrejt një garancie pasurore 5 milionë lekë.
Vendimi është marrë në orën 10 të së premtes nga gjyqtari në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, Artan Gjermeni pas kërkesës së depozituar nga avokati i Martinajt, Mirash Martinaj pak ditë më parë, i cili ka kërkuar ndryshimin e masës së sigurimit të klientit të tij nga “arrest në burg” në “detyrim paraqitje” ose “garanci pasurore”.
Kërkesa e avokatit Martinaj është kundërshtuar nga prokurorët Kreshnik Ajazi, Anisa Qilimi dhe Artan Lulaj, të cilët i kanë kërkuar gjykatës të vendosë vijueshmërinë e masës së sigurisë “arrest në burg” pa afat. Prokurorët i kanë shpjeguar gjykatës se për shkak të kompleksitetit të çështjes, prej tyre është treguar zelli dhe kujdesi i arsyeshëm për vijimin me dinamikë të veprimeve hetimore dhe administrimin e akteve në kuadër të këtij procedimi penal, duke e quajtur atë komplekse dhe që kërkon hetime me intensitet dhe gjerësi, pasi faktet objekt hetimi janë të shtrira në kohë.
Prokuroria e cilëson kërkesën e Ervis Martinajt për zëvendësimin e masës së sigurimit ndaj tij tërësisht të pabazuar në ligj dhe prova duke theksuar se nga hetimi nuk ekziston asnjë rrethanë e ndryshme që e lehtëson pozitën e tij proceduriale. Madje prokuroria e quan të rënduar pozitën e tij, duke shpjeguar se përveç pozicionit të tij të qartë për ngjarjen e datës 4 tetor 2018 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, nga hetimet janë administruar akte dhe prova që krijojnë dyshimin e arsyeshëm që i hetuari Martinaj të jetë i përfshirë në veprat penale “fshehja e të ardhurave”, “organizimi i lotarive të palejuara”, “vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, “pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Sipas prokurorëve të çështjes, ai dyshohet edhe për konsumim të veprës penale “falsifikimi i dokumenteve”. Në kundërshtimin e prokurorisë sqarohet se, autoritetet kosovare të drejtësisë me anë të letër-porosisë kanë dërguar prova se Martinaj është mbajtës i një dokumenti të llojit pasaportë të Republikës së Kosovës me gjeneralitete të një personi tjetër por me të dhënat biometrike të tij. Në fund prokuroria i ka kërkuar gjykatës rrëzimin e kërkesës së Ervis Martinajt dhe vijueshmërinë ndaj tij të masës së sigurimit “arrest në burg”.
Pasi gjyqtari Artan Gjermeni ka dëgjuar argumentet e të dyja palëve ka vendosur të pranojë kërkesën e Martinajt dhe ka vendosur lirimin e tij kundrejt garancisë pasurore në vlerën e 5 milionë lekëve. Ekzekutimi i vendimit mësohet se është kryer pasditen e të premtes, pas kryerjes së pagesës së garancisë monetare.
I kontaktuar nga BIRN nëpërmjet telefonit lidhur me argumentet ku bazoi kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë së Ervis Martinajt, avokati i tij mbrojtës, Mirash Martinaj shpjegoi se lidhur me pjesën e parë të hetimeve të prokurorisë që ka të bëjë me ngjarjen në ish-bllok, asnjë prej veprimeve të klientit të tij nuk e lidhin atë me vrasjen e mbetur në tentativë.
“Lidhur me mesazhin mund të dyshohet për përgatitje të një vepre penale, por edhe nëse do të vërtetohej një gjë e tillë, këto janë veprime që lidhen me përgatitjen dhe nuk janë të dënueshme”, u shpreh avokati Martinaj. Ai shtoi se për veprat penale të tjera për të cilat prokuroria e ka proceduar Martinajn, maksimumi që parashikon ligji është më pak se 10 vjet burgim. “Kodi i Procedurës Penale parashikon se koha e burgimit për hetimet paraprake me dënim maksimal deri në 10 vjet burg, është 6 muaj”, pohoi avokati Mirash Martinaj.
Ndërsa gjyqtari Gjermeni i pyetur nga BIRN lidhur me argumentet ku bazoi vendimmarrjen e tij për ndryshimin e masës së Martinajt nuk dha koment por u shpreh: “besoj të hënën do e gjesh në sekretari”.
Burime nga organi i akuzës u shprehën se do të apelojnë vendimin e dhënë nga gjyqtari Gjermeni.
Pas ndalimit të Martinajt, gjyqtari Artan Gjermeni caktoi masën e sigurisë “burg me afat 30 ditë”, por pas ankimit të prokurorisë, gjykata e Apelit vendosi të pranojë kërkesën e kësaj të fundit për të caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”.
I lindur në Burrel në vitin 1982, emri i Ervis Martinajt është lakuar për një sërë ngjarjesh të rënda kriminale në Tiranë. Megjithatë, para përplasjes së armatosur në ish-Bllok, ai është hetuar dhe dënuar tre herë vetëm për organizim lotarish të palejuara si dhe u procedua për vrasjen e Enton Nikës në vitin 2015 në Linzë – ngjarje për të cilën Gjykata e Apelit të Tiranës e çliroi nga akuzat.
Mbrëmjen e 4 tetorit të vitit të kaluar, Ervis Martinaj mbeti i plagosur në një lokal në qendër të ish-Bllokut, pas një përplasjeje të armatosur që i kushtoi jetën mikut të tij, Fabjan Gaxha dhe plagosjen e Eljon Hatos. Prokuroria procedoi Ervin Matën, Fabio Allushin, Meviol Bilon dhe Ajaks Boshnjakun për vrasjen e Gaxhës, ndërkohë që Ervis Martinaj akuzohet si organizator i konfliktit.
Për të ngritur akuzën e “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese, e mbetur në tentativë”, tre prokurorët e çështjes u bazuan tek të dhënat e siguruara nga një telefon i markës IPhone X, të dhënat e të cilit u ekstraktuan pas dërgimit me një letër-porosi në Izrael.
Sipas prokurorisë, mesazhet telefonike në “Whatsapp” dhe “Telegram” tregojnë se Martinaj u ka kërkuar shokëve të tij që të shkojnë të armatosur në lokalin “Monopol”, ku ndodhej më parë Ervin Mata.
Përveç të dhënave me rëndësi për hetimin e kësaj ngjarjeje, prokuroria pretendon se telefoni i Martinajt ishte një “minierë të dhënash”. Sipas Prokurorisë, autoritetet izraelite kanë sjellë 239 faqe me më shumë se 73 mijë të dhëna, të tilla si mesazhe telefonike, komunikime, foto dhe video.
Në gusht të vitit të kaluar, Departamenti i Policisë Kriminale në Tiranë referoi një kallëzim penal për një rrjet kompanish dhe transaksione multimilionëshe, që dyshohet se fshehin një skemë të pastrimit të parave me origjinë të dyshimtë-një pjesë me rrënjë në tregun ilegal të lojërave të fatit.
Kallëzimi u kthye në një procedim penal nga Prokuroria e Tiranës, por skemës së dyshuar iu vendos një emër vetëm pas atentatit të përgjakshëm në lokalin “Monopol” në zonën e ish-Bllokut, ku u vra Fabjan Gaxha dhe mbeti i plagosur vetë Martinaj.
Martinaj u arrestua mesnatën e 4 tetorit në Spitalin Ushtarak në Tiranë, i akuzuar si organizator i përplasjes së armatosur që shkaktoi një të vrarë, dy të plagosur dhe shumë panik në zonën e ish-Bllokut. Më 10 tetor, dosjes së tij penale iu shtuan një mori akuzash të reja për “pastrim parash”, “organizim të llotarive të palejuara”, “fshehje e të ardhurave” dhe “falsifikim dokumentesh”.
Dyshimet për përfshirjen e Martinajt në pastrim parash apo në tregun ilegal të lojërave të fatit në kryeqytet nuk janë një çështje e muajve të fundit. Të dhënat e siguruara më parë nga BIRN tregojnë se përgjatë një dekade, Martinaj themeloi një rrjet kompanish të lojërave të fatit, kreu transaksione pronash në cash prej mijëra eurosh dhe qarkulloi përmes sistemit bankar rreth 1.5 milionë euro, ndërkohë që një seri agjencish shtetërore bënë një sy qorr ndaj origjinës së panjohur të parave.