Kryeministri Edi Rama shpalli fitoren për partinë e tij dhe deklaroi se do të nisë një “proces reflektimi” për pjesën e mbetur të mandatit aktual qeverisës si dhe për “mandatin e tretë”, ndërkohë që Basha deklaroi nga ana e tij fitoren në formën e “pjesëmarrjes së ulët”.
Rezultatet e votimit të së dielës nuk dihen ende, por kryeministri Edi Rama dhe kreu i opozitës Lulzim Basha shpallën secili një fitore morale pas zgjedhjeve më të debatueshme në Shqipëri.
Duke folur para mbështetësve të vet në selinë e Partisë Socialiste, Rama e shpalli fitoren si “moment historik” ndërsa
“Sot ishte 30 qershori i një shqipërie që për shumë muaj përjetoi dramën e një përçarjeje të rëndë politike, të frymëzuar, nxitur dhe organizuar për të ndaluar ecjen tonë përpara në rrugën e normalitetit shoqëror, bashkëjetesës demokratike dhe integrimit të popullit shqiptar në familjen e popujve të Europës,” deklaroi Rama përmes brohoritjeve të mbështetësve të vet.
Rama e përshkroi më tutje ditën e sotme si një “fundi i një përplasjeje historike” ndërsa e cilësoi partinë e tij si e tillë që është gjendur “gjithmonë në anën e drejtë të historisë”.
Kreu i opozitës Lulzim Basha nga ana e tij e përshkroi rezultatin e zgjedhjeve si një fitore të madhe për shqiptarët duke argumentuar se mbi 85% e shqiptarëve nuk morën pjesë në ato që ai i cilësoi si “zgjedhje false”.
“Rezultati i sotëm provon çdo akuzë që ne kemi bër kundër Edi Ramës dhe regjimit të tij,” deklaroi Basha. “Sot u provua se me Edi Ramën në krye nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme,” shtoi ai.
Beteja për narrativën e 30 qershorit filloi ndërkohë që asnjë shifër zyrtare mbi pjesëmarrjen dhe rezultatin e votimit nuk është e sigurt për shkak se e gjithë infrastruktura e administrimit të zgjedhjeve kësaj here ishte tërësisht nën kontrollin e Partisë Socialiste. Por pavarësisht kësaj, Rama duket se shpalli fitore për shkak se këmbëngulja e tij për të zhvilluar zgjedhje pavarësisht bojkotit të opozitës, u bë një fitore morale për të kundër asaj që ai e cilëson si opozitë e dhunshme dhe pa alternativë.
Debati kryesor lidhet me pjesëmarrjen në votime, ku duket se socialistët shpresojnë se një shifër pjesëmarrjeje e përafërt me votat që ata kanë marrë në vitin 2017 përbën një konfirmim popullor për ta ndërsa opozita mendon se pjesëmarrja është e ulët dhe se shifrat po manipulohen.
Të dhënat e fundit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe flasin për pjesëmarrje në masën 21.6% ose një numër votuesish prej 772 mijë vetësh. Kjo është një shifër pak më e lartë se sa numri i votave të fituara nga Partia Socialiste më vete në vitin 2017, 765 mijë, si dhe më e lartë se sa rezultati zgjedhor i PD dhe LSI të marrë sëbashku në ato zgjedhje parlamentare. Problemi është se shifra e pjesëmarrjes është dhënë nga komisionet e njëanshme zgjedhore.
Ciladoqoftë pjesëmarrja, socialistët pritet të marrin drejtimin e të gjitha bashkive në vend, krahas kontrollit të qeverisë qendrore dhe një numri institucionesh nominalisht të pavarura që kontrollohen nga të zgjedhur socialistë.
Dy partitë kryesore të opozitës, PD dhe LSI, të cilat deri më sot kishin rreth gjysmën e bashkive për nga numri, por jo për nga rëndësia, i kanë humbur edhe këto bashki ndërsa kanë hequr dorë nga përfaqësimi parlamentar.
Ndërsa Rama shpalli fitoren, ai gjithashtu ofroi edhe mundësinë për kompromis me opozitën.