Mbledhjet e para të G20, në kulmin e krizës financiare globale, dhanë rezultate konkrete dhe duket se premtuan një të ardhme të mbarë për qeverisjen globale. Por gjatë viteve të fundit, grupi i ka zëvendësuar veprimet me fjalë boshe, duke e shtuar gjithnjë e më shumë listën e objektivave të paplotësuara nga samitet e kaluara.
Kur liderët e G20 mbajtën samitin e tyre të parë në fund të vitit 2008, shumë e mirëpritën atë që dukej si një forum i larmishëm dhe tepër përfaqësues për hartimin e zgjidhjeve të përbashkëta për problemet globale. Grupi e shfajësoi veten për t’iu përgjigjur krizës financiare globale dhe, për njëfarë kohe, shfaqja e tij si një forum për koordinimin e politikave ndërkombëtare dukej si nga avantazhet e vetme të asaj rrëmuje.
Unë sigurisht isha midis atyre që i duartrokitën arritjet fillestare të G20. Që nga viti 2001, kur identifikova ngritjen e vendeve të BRIC (Brazil, Rusi, Indi dhe Kinë) si një tipar kyç i ekonomisë botërore të shekullit të njëzetë, kisha bërë thirrje për një rishikim të madh të strukturave të qeverisjes globale. Siç argumentoja në atë kohë, dominimi i vazhdueshëm i G7 (Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara) ishte gjithnjë e më shumë në hap me botën komplekse të fillimit të viteve 2000. Deri më sot, përjashtimi i Kinës nga G7 është një lëshim i madh, i përkeqësuar nga prania e shumë vendeve europiane, shumica e të cilave kanë një monedhë të përbashkët dhe respektojnë të njëjtat rregulla fiskale dhe monetare.
Për fat të keq, pas takimit të G20 në Osaka, Japoni, muajin e kaluar, nuk mund të mos mendoj nëse edhe ai takim e ka humbur gjithashtu qëllimin e tij. Në të vërtetë, i vetmi zhvillim që erdhi nga samiti ishte një marrëveshje mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit kinez Xi Jinping, që ndërmjetësoi një tjetër “armëpushim” në luftën tregtare mes vendeve të tyre.
Një pjesë e problemit, sigurisht, është se qeverisja globale në përgjithësi ka qenë e margjinalizuar, tani që SHBA-ja ka hequr dorë nga roli i saj si kujdestar i rendit ndërkombëtar. Por ka edhe probleme me vet G20. Nga njëra anë, grupi ngjan si një mjet i përshtatshëm për lehtësimin e dialogut global. Anëtarësia e saj përfaqëson rreth 85% të GDP-së globale dhe përfshin shumicën e ekonomive kryesore në zhvillim, përfshirë ato që nuk kanë miratuar demokracinë liberale të stilit perëndimor. Me përjashtim të Nigerisë, ekonomisë më të madhe të Afrikës dhe vendit më të populluar, vendet që mund të priten të kenë një vend në tryezë e kanë bërë këtë. Dhe në të ardhme, mund të imagjinohet edhe Vietnami edhe disa vende të tjera t’u bashkohen këtyre të fundit.
Nga ana tjetër, ndërkohë që G20 ka qenë shumë i mirë në komunikatat për të pranuar ekzistencën e sfidave globale, ai ka rezultuar totalisht i paaftë për të avancuar ndonjë zgjidhje për këto sfida. Në fakt, mund të thuhet se nuk është aspak realiste të presësh që një grup burokratësh të ndreqin çdo gjë që nuk shkon mirë në botë. Është detyrë e aktivistëve, sipërmarrësve dhe mendimtarëve të tjerë kreativë t’u bëjnë presion dhe të bindin liderët politikë për nevojën për ndryshim. E megjithatë, kur bëhet fjalë për probleme që mund të trajtohen vetëm në mënyrë bashkëpunuese në nivel global, nuk ka alternativë tjetër përveç organeve si G20. Edhe nëse liderët politikë i kanë miratuar të gjitha idetë e duhura, ata përsëri kanë nevojë për një forum për t’i kthyer ato ide në politika të koordinuara.
Për mendimin tim, ka dy barriera që e pengojnë G20. Fillimisht, edhe pse është përfaqësues, është shumë i madh. Siç kam argumentuar që nga viti 2001, ajo që bota ka me të vërtetë nevojë është një G7 më përfaqësuese, që përfshin Shtetet e Bashkuara, Japoninë, Bashkimin Europian dhe vendet e BRIC. Ky grupim i ri do të ishte brenda G20 dhe do të përfaqësonte tre të katërtat e GDP-së globale. Ndërkohë që Kanadaja dhe Britania e Madhe pas Brexit do të humbnin një pjesë të ndikimit të tyre aktual, ato nuk do të kishin më pak sesa vende të ngjashme si Australia. Sidoqoftë, ato nuk duhet të shqetësohen. Nuk ka arsye për të pritur një rishikim diplomatik të kësaj shkalle tani afër.
Problemi i dytë i G20 është se njësoj si G7, i mungon një strukturë objektive nëpërmjet së cilës të përcaktojë qëllime dhe të masë progresin drejt këtyre qëllimeve. Që nga suksesi fillestar i grupit një dekadë më parë, axhenda e tij ka qenë e paqëndrueshme, me çdo vend pritës që shton diçka të re në çdo samit të përvitshëm. Në rastin e Samitit të Osakës, qeveria japoneze prezantoi qëllimin e kujdesit shëndetësor universal.
Askush nuk e vë në dyshim se kujdesi shëndetësor universal është një kauzë që vlen të diskutohet. Por G20 nuk ka bërë asgjë as për të ndihmuar shtetet anëtare individuale të zgjerojnë ofrimin e kujdesit shëndetësor. Më keq akoma, koha e kaluar për të diskutuar këtë objektivë të re mund të ishte shfrytëzuar për të diskutuar çështje të pazgjidhura siç është rezistenca antimikrobiale, e cila u shtua në axhendën e G20 në vitin 2016. Gjuha në lidhje me AMR-në në komunikatën e fundit ishte dukshëm e ngjashme me atë të samiteve të mëparshme, që sugjeron se është bërë shumë pak progres.
Ndërkohë, tregu për antibiotikë të rinj po përkeqësohet me shpejtësi. Pa një përgjigje të bashkërenduar ndërkombëtare, mirkobet rezistente ndaj ilaçeve mund të marrin dhjetë milionë jetë në vit deri në vitin 2050, duke shkaktuar një humbje kumulative prej rreth 100 trilionë dollarë në prodhimin botëror. Bota tani ka nevojë për veprim, jo për fjalë boshe.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Does G20 Still Matter?