
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut konstatoi përmes një vendimi të martën se shkarkimi nga detyra i ish-drejtuesit të Prokurorisë së Apelit Durrësit, Ferdinand Elezi ishte joproporcional me qëllimet legjitime të procesit të vetingut, si dhe se ka qenë në shkelje të artikullit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut që sanksionon të drejtën për jetë private dhe familjare.
Gjykata e Strasburgut sugjeron rihapjen e procesit dhe rishqyrtimin e çështjes së Elezit në përputhje me kërkesat e nenit 8 të Konventës për të Drejtat e Njeriut.
Prokurori Erald Elezi u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK më 9 prill të vitit 2019 me argumentin se nuk justifikoi shpenzime në vlerën tre milionë lekë, si dhe nuk kishte deklaruar pjesën takuese të bashkëshortes nga shitja e apartamentit të prindërvve të saj.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA renditi një sërë kritikash për hetimin e kryer nga KPK dhe nga analiza financiari bilanci negativ u reduktua duke mbetur rreth 1 milionë lekë, i shpërndarë në katër vite. Megjithatë, shumica e trupit gjykues të KPA i gjeti shkarkuese pamundësitë financiare të mbetura nga rikryerja e analizës financiare dhe e la në fuqi vendimarrjen e KPK, ndërsa pakica arsyetoi se masa nuk ishte proporcionale.
Gjykata e Strasburgut vëren se shkarkimi i Elezit u bazua vetëm në vlerësimin e pasurive të tij, ndërkohë që për figurën dhe profesionalizmin mori vlerësim pozitiv. Po ashtu, konstatohet se nuk u gjetën probleme me origjinën ligjore ose deklarimin e pasurive të mëdha të paluajtshme që i përkisnin familjes së subjektit.
Çështja e vetme për të gjithë periudhën e vlerësimit kishte të bënte një pamundësi financiare prej 1 milion lekësh në katër vjet, ku vetëm në një vit ka qenë rreth 700 mijë lekë, kurse për tre vitet e tjerë pamundësia ka qenë e parëndësishme.
Në vendimin e Gjykatës së Strasburgut konstatohet se në analizën financiare të vitit 2007, ka pasur një rritje prej 1335 të kostove të jetesës së familjes së Elezit, krahasuar kjo me kostot e përllogaritura për vitin 2006. Po ashtu, kostot e jetesës së 2007-ës, janë konsideruar më të larta edhe në krahasim me ato të viteve 2008, 2010 e 2013.
Sipas Strasburgut, nisur dhe nga fakti se KPA nuk ka paraqitur ndonjë shpjegim për rritjen e kostove të vitit 2007, një rritje kaq e konsiderueshme nuk mund të konsiderohet bindëse. Po ashtu, ka rezultuar se llogaritja e kostove të udhëtimit të vlerësuara për vitin 2007, është bërë në mungesë të të dhënave të verifikueshme në lidhje me udhëtimet.
“Gjykata vëren gjithashtu se analiza financiare e organeve të verifikimit, e marrë në mënyrë kumulative, tregoi një tepricë të konsiderueshme, veçanërisht 1,894,529 lekë për periudhën nga viti 2004 deri në vitin 2009, domethënë, duke përfshirë vitet që i paraprijnë atyre me deficit dhe që tejkalojnë deficitin e përgjithshëm të gjetur, dhe më shumë se 4 milionë lekë për të gjithë periudhën e vlerësimit”, vlerëson Gjykata e Strasburgut.
Për rrjedhojë, shkarkimi i prokurorit Ferdinand Elezi, i justifikuar kryesisht nga llogaritjet në lidhje me vitin 2007, çmohet joproporcional me qëllimet legjitime të procesit të vetingut.
“Aplikanti u shkarkua nga pozicioni i tij si prokuror karriere, duke humbur kështu funksionin e tij brenda sistemit të drejtësisë dhe shpërblimin e tij me efekt të menjëhershëm. Kjo padyshim pati pasoja të rënda për ‘rrethin e tij të ngushtë’, domethënë mirëqenien e tij dhe atë të anëtarëve të familjes së tij, si dhe ndikoi në jetën e tij private në një shkallë të konsiderueshme”, konstaton GJEDNJ.
Gjykata e Strasburgut gjen shkelje të Nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në shkarkimin e Elezit, duke e vlerësuar joproporcoinal. Po ashtu, duke ju referuar vendimarrjes për prokuroren Antoneta Sevdari, vlerësohet se rihapja e procedurave të verifikimit do të ishte e përshtatshme.
“Nëse aplikanti e kërkon këtë, do të ishte e përshtatshme të rihapen procedurat dhe të rishqyrtohet çështja në përputhje me kërkesat e Nenit 8, siç përcaktohet në këtë vendim”, përmbyll arsyetimin Gjykta e Strasburgut.
Në përfundim, konstatohet shkelja e nenit 8 të konfentës për të drejtën për jetë private dhe familjare. Po ashtu, është vendosur që shteti shqiptar t’i paguajë Elezit shpërblim në masën 6000 Euro dhe 5000 Euro të tjera për kostot dhe shepnzimet e procesit. Ndërkohë, është hedhur poshtë kërkesa për shpërblim të drejtë.






