Me rritjen e përfshirjes së Shteteve të Bashkuara në Ballkan, Beogradi dhe Prishtina duhet të sqarojnë pozicionet e tyre negociuese për një zgjidhje kompromisi për të normalizuar marrëdhëniet e tyre, thotë për BIRN analistja Johanna Deimel.
Pas emërimit të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit të një të dërguari të ri për Ballkanin Perëndimor, Serbia dhe Kosova duhet të sqarojnë pozicionet e tyre në negociatat e ndërmjetësuara nga BE-ja në Bruksel, në mënyrë që të çojnë para procesin drejt një zgjidhjeje, argumenton Johanna Deimel, një analiste e pavarur për Evropën Juglindore dhe Ballkanin Perëndimor.
“I dërguari special i SHBA-së Matthew Palmer do të jetë shumë i angazhuar për të gjetur një zgjidhje, prandaj Beogradi dhe Prishtina duhet të pozicionohen mirë dhe të mos presin vetëm Berlinin, Uashingtonin ose Brukselin, por të hartojnë ofertat dhe bazat e tyre për negociata për një zgjidhje kompromisi,” tha Deimel në një intervistë për BIRN.
“Ajo që dua të them është se Uashingtoni dhe Berlini po presin iniciativa të mira – sidomos nga Prishtina, për një ekip ekspertësh që mund të vazhdojnë dinamikën, që gjen dhe ofron përgjigje konkrete. Dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës duhet të ripërcaktohet me qëndrime të qarta dhe me qëllimin e arritjes së një zgjidhjeje,” shtoi ajo.
Departamenti i Shtetit njoftoi emërimin e Palmer si Përfaqësues Special në Ballkanin Perëndimor më 30 gusht.
“Palmer do të udhëheqë përpjekjet tona për të forcuar angazhimin diplomatik të SHBA-së në mbështetje të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon dhe do të përqendrohet në integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në institucionet perëndimore,” tha ajo në një deklaratë.
“SHBA-të janë të nevojshme”
Shumë kanë shprehur shpresë të madhe për emërimin e Palmerit, duke besuar se ky diplomat me përvojë në karrierë mund të bëjë presion si në Serbi ashtu edhe në Kosovë për të sjellë ndryshime të shumëpritura në marrëdhëniet Beograd-Prishtinë.
Deimel tha se emërimi tregon se Ballkani është përsëri në axhendën në Uashingtonit.
“Kjo është një shenjë shumë e mirë dhe SHBA-ja nevojitet. Edhe pse John Bolton, i cili ka folur në favor të një shkëmbimi territorial midis Serbisë dhe Kosovës, ka disa ditë që nuk është më në detyrë si këshilltar i sigurisë kombëtare për presidentin amerikan, situata nuk është aspak më e lehtë si rezultat i kësaj,” vuri në dukje ajo.
Të tjerë kanë ngritur pikëpyetje nëse qëndrimet e ndryshme të Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë në lidhje me idenë shumë të diskutueshme të një shkëmbimi territorial, si pjesë e një marrëveshje përfundimtare midis Serbisë dhe Kosovës, mund të krijojnë komplikime në procesin e bisedimeve.
Bolton, këshilltari i shkarkuar së fundmi i presidentit Donald Trump për sigurinë kombëtare, tha në gusht 2018 se Uashingtoni nuk e përjashtonte apo kundërshtonte idenë e shkëmbimeve territoriale midis Serbisë dhe Kosovës, nëse të dy palët mund të bien dakord për këtë.
Por kancelarja gjermane Angela Merkel tha në gusht se kufijtë në Ballkanin Perëndimor ishin “të paprekshëm” dhe më 3 shtator, një anëtar i Bundestagut gjerman, Peter Bayer, nënvizoi se Kosova duhet të mbetet ashtu siç është “pa ndryshime territoriale dhe pa ndryshime të kufijve “.
Si për Berlin ashtu edhe për Uashingtonin, fokusi është në një zgjidhje gjithëpërfshirëse kompromisi të negociuar midis Beogradit dhe Prishtinës, në të cilën BE-ja duhet të luajë një rol udhëheqës, sipas Deimel.
Ajo gjithashtu vuri në dukje se presidenti serb Aleksandër Vuçiç duket se i është larguar refuzimit të tij kategorik për të njohur pavarësinë e Kosovës.
Më 6 shtator, Vuçiç tha pas një takimi me senatorët amerikanë Chris Murphy dhe Ron Johnson se situata nuk mund të zgjidhet pa një “zgjidhje kompromisi”.
Deimel më tej vuri në dukje se ideja e shkëmbimit territorial, e cila u kundërshtua si në Serbi ashtu edhe në Kosovë, tani po minimizohej.
“Ideja e një shkëmbimi territoresh midis Serbisë dhe Kosovës ende po qarkullon, edhe pse unë mendoj se ajo e ka humbur vrullin e fillimit,” tha ajo.
“Është interesante se vetëm kohët e fundit një nga lojtarët kryesorë ndërkombëtarë që promovoi këtë ide, ish-Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, Wolfgang Petritsch, deklaroi se një shkëmbim territori nuk mund të jetë një zgjidhje dhe se ai u distancua nga ajo që për mendimin tim ishte një ide absolutisht fatale,” shtoi ajo.
Prishtina përballet me sfida të reja në Bruksel
Deimel tha se pasardhësi i emëruar i Shefes së Politikës së Jashtme të BE-së, Frederica Mogherini, Ministri i Jashtëm Spanjoll Josep Borrell, nuk është partner i lehtë për Prishtinën.
“Si ministër i jashtëm i një prej atyre vendeve anëtare të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, Borrell gjithashtu ka folur personalisht kundër shtetësisë së Kosovës. Prandaj, Prishtina duhet të marrë masat dhe të bëhet më aktive,” nxiti ajo.
Ajo sugjeroi se presioni mbi Prishtinën do të shtohet dhe se njohja e Kosovës nga ana e Beogradit mund të tërhiqet si kusht për një marrëveshje përfundimtare.
“Kemi dëgjuar se edhe presidenti Çek Milos Zeman po mendon gjithashtu të tërheqë njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kjo do ta vinte një tjetër shtet anëtar të BE-së kundër Prishtinës. Dhe nëse hungarezi Laszlo Troscanyi arrin të emërohet si Komisioneri i ri për Zgjerimin e BE-së, në detyrë do të ketë një Komisioner (Josep Borrell) i cili tashmë ka treguar se është shumë miqësor me Serbinë,” paralajmëroi ajo.
Megjithatë, shtoi ajo, nuk është e qartë se sa do të zgjasë koalicioni qeverisës në Berlin dhe se nëse në Gjermani do të mbahen zgjedhje të reja, qeveria e saj e re në Berlin do të ngjajë ndryshe, ndoshta me të Gjelbrit që i bashkohen administratës.
Të Gjelbërit janë qartazi kundër një shkëmbimi territori, tha ajo.
Pavarësisht të gjithë kësaj, nuk ka asnjë dyshim se si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Gjermania janë të përkushtuara ta ndihmojnë Beogradin dhe Prishtinën të arrijnë një marrëveshje.
“Berlini dhe Uashingtoni, së bashku me Brukselin, do ta ndihmojnë Beogradin dhe Prishtinën të gjejnë një zgjidhje të zbatueshme,” përfundoi ajo.