Dy persona u arrestuan ndërsa një i tretë u shpall në kërkim pasi policia dhe prokuroria njoftuan finalizimin e oeracionit ndërkombëtar anti drogë të koduar “KUITO”. 137 kg kokainë u kapën, ndërsa aksioni mes Shqipërisë dhe Greqisë koordinohej nga DEA Amerikane.
Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda njoftuan të premten finalizimin e operacionit “KUITO” me kapjen e 137 kilogramëve kokainë që vinin nga Ekuadori dhe arrestimin e dy personave dhe shpalljen në kërkim të një të treti.
Drejtori i Përgjithshëm i policisë Ardi Veliu tha gjatë një deklarata për shtyp se në bashkëpunim me Autoritetet Ligjzbatuese Greke në koordinim me Zyrën e DEA-s në Athinë, policia shqiptare kishte organizuar dorëzimin e kontrolluar të drogës.
Në komunikatë thuhet se operacioni kishte filluar në gusht 2019 dhe u përfundua të premten. “Gjatë kësaj periudhe u realizuan disa takime operacionale nga Policia e Shtetit me Autoritetet Policore Greke dhe Zyrën e DEA-s”, thuhet në komunikimin për shtyp.
“Në përfundim të këtij operacioni, në funksion të dorëzimit të kontrolluar u sekuestrua 137 kg lëndë narkotike, kokainë dhe u arrestuan shtetasit: A. B., 53 vjeç dhe A. M., 35 vjeç, të dy banues në Durrës, si dhe u shpall në kërkim shtetasi G. M.”, njoftoi policia.
Të arrestuarit njëri me detyrë ofiucer sigurie në Portin e Durrësit dhe tjetri me profesion peshkatarë, akuzohen se kishin për detyrë të nxirrnin sasinë narkotike nga kontenieri që kishte mbërritur nga Ekuadori në Pire të Greqisë e më pas në Durrës.
Policia thotë se deri tani “rezulton se këta shtetas ishin pritësit e kësaj lënde narkotike në Durrës” dhe se veprimet e kryera prej tyre ishin të mbikëqyrura nga strukturat e Policisë së Shteti. Policia pretendon ndërkohë se është ende duke hetuar për persona të tjerë të implikuar. Në komunikatë thuhet se “Ky operacion i dorëzimit të kontrolluar shënon një hap cilësor në luftën kundër Krimit të Organizuar”. Megjithatë një prej personave që priste narkotikun nuk është ndaluar edhe pse mbahej nën vëzhgim prej policisë.