
Një grup bullgarësh donin të rikrijonin një koncert për mbledhje fondesh në Sofje, por bateristi amerikan që ata punësuan për të kontraktuar yje të mëdhenj të skenës së muzikës kishte ide të tjera. BIRN ju tregon për një përrallë premtimesh dhe mashtrimi.

Krasimir Dachev kujton ditën në vitin 2016 kur atij iu afruan me një kërkesë për të ndihmuar në financimin e një koncerti vamirësie në Bullgari për të mbledhur para për fëmijë viktima të luftës.
Dachev, një biznesmen i pasur me interes në industrinë e inxhinierisë dhe atë të drurit, dhuroi 1,5 milion euro, i joshur nga plani për të sjellë disa nga emrat më të mëdhenj të muzikës në Sofje, në një event të përmasave të cilat ky vend i vogël i Ballkanit nuk e kishte parë kurrë.
“Do ta vendosnim Bullgarinë në hartën botërore,” tha ai për BIRN. Mick Jagger dhe “Earth, Wind and Fire”, ndoshta edhe Sting priteshin të performonin më 1 tetor 2016, ose të paktën ashtu mendoi ai.
Koncerti, megjithatë, nuk u mbajt kurrë. Megjithatë paratë e Dachev ishin zhdukur.
Në një marrëveshje gushti të zbuluar javën e kaluar, bateristi i famshëm amerikan Robin DiMaggio nënshkroi një marrëveshje për pranimin e fajit në një gjykatë në Los Anxhelesit, në të cilën ai pranoi se i kishte shpenzuar paratë për të shlyer një borxh ndaj ish-gruas së tij, në makina për nënën dhe djalin e tij, veshje dhe udhëtime të largëta, pasi kishte premtuar se do të sillte Mick Jagger dhe të tjerë në Sofje.
Duke përdorur dokumente gjyqësore të një sërë çështjesh të lidhura, BIRN ka grumbulluar së bashku një sagë mashtrimi që, jo vetëm që nuk e vendosën Bullgarinë në hartën botërore, por thjesht la vetëm një sërë padish, parash të shpenzuara pa hesap dhe mundësinë që DiMaggio të kalojë deri në 20 vjet pas hekurave.
“Thjesht s’mund të thosha ‘jo’”
Gjithçka nisi në dhjetor 2015 me Jay Botteff, një regjisor teatri nga Britania shumë i njohur Bullgarinë e tij të lindjes si Zhivko Botev.
Me sa duket, i prekur nga fotografi fëmijësh të braktisur dhe jetimë në konfliktet në të gjithë botën dhe i frymëzuar nga “Live Aid” i Bob Geldof në vitin 1985, Botev vendosi të imitojë të njëjtin event në Bullgari dhe hapi një fondacion nën emrin “Paqe për ty, Paqe për mua”.
“Fondacioni filloi të shqyrtonte mundësinë e organizimit të një koncerti bamirësie për të siguruar ndihmë financiare dhe ndërgjegjësim për fëmijët e pastrehë dhe të zhvendosur në dhe nga zonat e konfliktit në të gjithë botën,” tha Botev në një deklaratë në gjykatë.
Ai filloi t’u qasej biznesmenëve bullgarë, duke ofruar paketë sponsorizimi të Argjendtë, të Artë dhe Diamandi, me vlerë përkatësisht 50,000, 125,000 dhe 250,000 euro. Kushdo që ishte i gatshëm të ofronte 1.5 milion euro do të merrte një marrëveshje të veçantë, të përshtatur sipas rastit.
Kjo ofertë e bëri për vete Dachevin 69 vjeçar.
“Ideja ishte aq e mirë, saqë s’mund të thosha jo,” tha ai për BIRN në një lidhje telefonike. “Jam tip emocional nga Ballkani.”
Duke pranuar se nuk mund të kishte “besim të plotë” te njerëz që nuk i njihte, Dachev tha se u krijua një “strukturë transparente” për të mbikëqyrur mënyrën e shpenzimit të parave. Ai nënshkroi, së bashku me disa të tjerë, duke përfshirë ish-kryetarin ekzekutiv të Shoqatës Industriale Bullgare, Bozhidar Danev.
“Më vjen keq që ideja nuk u realizua,” tha ai. “Do të ishte bërë histori.”
KB “Drejtori Muzikor”
Në materialin promovues për koncertin, Botev pretendoi se ishte partner me UNESCO dhe Kryqin e Kuq, të cilat të dy organizatat më vonë e mohuan.
Ai gjithashtu tha që Rihanna, Boy George dhe Jean-Michel Jarre ishin rezervuar tashmë për të performuar dhe se fondacioni i tij ishte në negociata me të ngjashmit e Sting, Robbie Williams dhe Massive Attack.
Botev punësoi një promovuese një grua të quajtur VV Saintclair, këngëtaren me qendër në Londër të një grupi të quajtur World Soul Fusion
“Drejtor muzikor” i Kombeve të Bashkuara

Në materialin promovues për koncertin, Botev pretendoi se ishte partner me UNESCO-n dhe Kryqin e Kuq, gjë të cilën të dy organizatat më vonë e mohuan.
Ai tha gjithashtu se Rihanna, Boy George dhe Jean-Michel Jarre ishin rezervuar tashmë për të performuar dhe se fondacioni i tij ishte në negociata me Sting, Robbie Williams dhe Massive Attack.
Botev punësoi si promovuese një grua të quajtur VV Saintclair, këngëtarja nga Londra e një grupo të quajtur World Soul Fusion.
As VV Saintclair dhe as grupi i saj nuk iu përgjigjën kërkesave për koment për këtë histori.
Në realitet, siç dëshmoi Botev, “asnjë në Fondacionin nuk e njihte mirë industrinë muzikore të Shteteve të Bashkuara apo Los Anxhelesit.”
Nga mesi i vitit 2016, përpjekjet e tyre dukej se nuk po korrnin asnjë frut, pasi asnjë yll muzikor nuk ishte rezervuar zyrtarisht dhe tashmë mbeteshin edhe pak muaj kohë para eventit të madh.
Koha po mbaronte; hyn në lojë DiMaggio.
Një baterist nga Los Anxhelesi, DiMaggio bëri emër si lideri i bandës në një risjellje jetëshkurtër të programit Arsenio Hall Show në vitet 2013-2014, një program i transmetuar natën vonë dhe i prezantuar nga komediani Arsenio Hall që fillimisht jepej në fillim të viteve 1990.
DiMaggio, 48 vjeç, kishte bashkëpunuar me Paul Simon, Steve Vai, Chris Isaak, Diana Ross dhe Don Felder, kitaristi i The Eagles i cili kompozoi këngën Hotel California.
Një person i paidentifikuar me të njëjtat iniciale si Felder më vonë do t’i tregonte FBI-së se DiMaggio ishte “një muzikant i shkëlqyer” dhe “njeri i sinqertë, i hapur dhe transparent”.
Është e paqartë nga dokumentet e gjykatës se si Botev ra fillimisht në kontakt me DiMaggio. Botev nuk iu përgjigj një kërkese për koment për këtë histori.
E vetmja gjë që Botev e dinte për DiMaggio-n, sipas deklaratës së tij në gjykatë, ishte ajo që gjeti në një “kërkim të shkurtër në internet”, duke përfshirë pretendimin e cituar gjerësisht që DiMaggio dikur kishte punuar si “drejtor muzikor i Kombeve të Bashkuara”. Kjo, me sa duket, ishte kualifikim i mjaftueshëm.
“Kemi një ‘po’ verbale”

DiMaggio përpiloi një listë me qindra interpretues, nga Mick Jagger dhe Paul Simon te Macy Grey, Pink dhe Shakira. Zgjidhni vetë, u tha ai bullgarëve.
Dy ditë pasi ata nënshkruan një kontratë në qershor 2016, DiMaggio i shkroi në një email Botevit: “Para rreth një ore morëm një po verbale nga Mick Jagger.”
Dy ditë më vonë erdhi një tjetër email: “Earth, Wind and Fire para 20 minutash na dhanë një po verbale.”
Botev u përgjigj: “EWF … Uau!”
Atë korrik në hotel Marinela në Sofje u thirr një konferencë për shtyp.
Botev dhe DiMaggio u ulën në qendër të një tavoline të gjatë. Në të majtë të tyre ishin Sasho Selkov dhe Marcello Djotolov, përfaqësues të “Paqe për ty, Paqe për mua”, dhe në të djathtë të tyre, VV Saintclair dhe Richy Love, kitaristi World Soul Fusion. Dachev ishte në publik.
Një ekran i madh shfaqte fotografi nga Lufta e Vietnamit, personazhe nga romani “Oliver Tuist” i Çarls Dikens dhe shfaqja “Të mjerët”.
Botev prezantoi DiMaggion, i cili u tha të mbledhurve aty: “Deri tani kemi konfirmime verbale nga Johnny Depp, Sër Mick Jagger, Bruno Mars, Justin Timberlake, Earth Wind and Fire, Rod Stewart dhe Slash. Ky është rezultati i vetëm dy javë punë.”
“Nuk dua të organizoj një koncert,” tha ai. “Unë dua të krijoj një event historik.”
Ambicia e organizatorëve, megjithatë, u prit me dyshime të menjëhershme në Bullgari.
“Shtypi lokal reagoi me skepticizëm se Koncerti i Bamirësisë mund të organizohej në kohë për datën që ishte caktuar për mbajtjen e tij, 1 tetor 2016,” tha Alexander Penev, përfaqësuesi i Dachev përgjegjës për këtë event, në deklaratën që dha në gjykatë.
Disa raportime në shtyp e shpallën fondacionin e Botev një “fantazmë” dhe theksuan se Mick Jagger ishte programuar të performonte bashkë me Rolling Stones në Desert Trip Festival në Kaliforni në kohën që do të mbahej eventi në Sofje.
DiMaggio u zemërua keq. Në një intervistë në televizionin bullgar BTV, duke pirë raki bullgare, ai u acarua kur u pyet nga prezantuesi për organizimin e një eventi të një shkalle të tillë brenda një periudhe kaq të shkurtër kohore.
“Nëse njerëzit duan të dyshojnë dhe të jenë negativë, nuk ka problem. Por nëse kjo përfaqëson popullin bullgar, atëherë është e turpshme,” tha ai.
Pas kthimit në SHBA, DiMaggio i faturoi fondacionit 53,300 dollarë shtesë për të luftuar “median e rreme”. I mori paratë.
Negociatat fantazmë
Muaj më vonë, Brett Steinberg nga Creative Artists Agency, CAA, e cila menaxhon Earth, Wind and Fire, do t’i thoshte gjykatës se grupi nuk kishte lidhur kurrë ndpnjë marrëveshje për të performuar na Sofje.
“As CAA, dhe në dijeninë time, asnjë përfaqësues i EW&F, nuk ka marrë ndonjë depozitë apo para në lidhje me ndonjë performancë apo pjesëmarrje të EW&F në Koncertin e Bamirësisë,” tha Steinberg, duke shtuar se ai nuk ishte në dijeni të ndonjë negociate me DiMaggio-n në vitin 2016-2017.
Menaxheri i Mick Jagger nga e njëjta agjenci, Chris Andrews, tha se ai ishte kontaktuar për një event bamirësie në Bullgari, por jo nga DiMaggio.
Sipas një shkëmbimi emailesh që Andrews dorëzoi në gjykatë, një person i quajtur Ian Martin nga një kompani e quajtur Industry Level Music and Film Group e pyeti Andrews për disponueshmërinë e Jagger për të performuar një këngë në koncert.
“Sa para po ofroni?”, u përgjigj Andrews.
“Cila është tarifa e tij për të performuar një këngë? A do të ishin mjaftueshëm 200 mijë dollarë?” shkroi Martin.
“Nuk është i disponueshëm,” u përgjigj Andrews disa ditë më vonë. Dhe me kaq u mbyll.
Ngjarjet e përshkruara ndodhën në fund të korrikut dhe në fillim të gushtit 2016, disa javë pasi DiMaggio pretendoi se kishte një “po verbale” nga lideri i Rolling Stones.
As Martin dhe asnjë tjetër nga Industry Level Music and Film nuk iu përgjigjën një email nga BIRN në lidhje me marrëdhëniet e tyre me DiMaggio-n apo eventin e Sofjes.
Shpenzime të mëdha
Megjithatë, paratë vërshonin.
DiMaggio kërkoi 50,000 dollarë si tarifë dhe 200,000 dollarë për kostot e produksionit.
Si një depozitë për Mick Jagger dhe Earth, Wind and Fire, ai faturoi 150,000 dollarë të tjerë.
DiMaggio do të merrte gjithsej afërsisht 1 milion dollarë.
Sipas dokumenteve gjyqësore, asnjë nga paratë nuk u shpenzua për organizimin e koncertit bamirës.
Në vend të kësaj, DiMaggio harxhoi 250,000 dollarë në një “shtëpi rimorkio” për ish-gruan e tij për të shlyer borxhin e alimentacionit që i kishte; 35,209 dollarë për të blerë një makinë për nënën e tij; 24,000 dollarë për një makinë për djalin e tij; dhe 10,000 dollarë për veshje dhe aksesorë nga dyqane të shtrenjta në Malibu, Las Vegas, Nju Jork dhe Australi.
Ai bleu mobilie dhe pajisje elektronike me një vlerë prej mijëra dollarësh dhe harxhoi 30,100 dollarë në një ankand bamirësie, sipas dokumenteve të gjykatës.
Në gusht të vitit 2016, jo shumë kohë pas konferencës për shtyp në Sofje, midis DiMaggio-s dhe një përfaqësuesi të Dachev u shkëmbyen një sërë emailesh, i cili dëshironte të dinte nëse bateristi kishte rezervuar ndonjë për eventin. Dachev kërkoi t’i ktheheshin paratë e tij.
Shpenzimet pa karar të DiMaggio-s përfunduan në qershor 2017, kur Dachev e paditi atë dhe DiMaggio deklaroi falimentim.
Një vit e gjysmë më vonë, në dhjetor 2018, Njësia e Krimit e FBI-së trokiti në derën e DiMaggio-s në Kaliforni dhe e arrestoi atë.
DiMaggio u akuzua për mashtrim, por arriti një marrëveshje për pranimin e fajësisë para se të fillonte gjyqi. Ai do të dënohet në mars të vitit të ardhshëm dhe rrezikon të përballet me një maksimum prej 20 vjet burg.
Koncerti, natyrisht, nuk u mbajt kurrë. Por kënga e të gjithë eventit – “Paqe për ty, Paqe për mua” – mund të gjendet në YouTube, teksti nga VV Saintclair dhe e ngarkuar më 28 qershor 2017 nga grupi i saj nën titullin “Të jetosh si refugjat”. Botev e prezantoi atë si “We are the world” e ditëve të sotme, kënga hit e koncertit të bamirësisë të vitit 1985.
Në kohën e publikimit të këtij artikulli, videoja ishte parë rreth 200 herë.
Ky artikull u realizua nga BIRN si pjesë e projektit A Paper Trail to Better Governance.