Ish-vendet komuniste në Europën Juglindore përballen me një shpopullim katastrofik, me pasoja shumë të mëdha sociale dhe politike.
Të rinjtë po largohen. Shifrat e lindjeve kanë rënë. Shoqëritë po plaken. Dhe edhe pse qindra mijëra refugjatë dhe emigrantë kanë shkelur në pjesën më të madhe të rajonit, shumë pak duan të qëndrojnë.
Kufijtë, zënkat etnike, anëtarësimi në BE, anëtarësimi në NATO dhe çështjet e papërfunduara nga luftërat e viteve 1990 – këto janë historitë që mbushin lajmet nga Ballkani.
Por analizat serioze për rënien demografike të rajonit, shpopullimin dhe uljen e fuqisë punëtore zor se i gjen. Ndoshta kjo ndodh sepse qeveritë nuk kanë as përgjigje të besueshme dhe as burime të disponueshme për të ndryshuar gjërat.
Nëse demografia është fat, e ardhmja e Ballkanit është e zymtë, por nuk është unike. Nga Greqia në Poloni, pothuajse të gjitha vendet e Europës Lindore, Qendrore dhe Juglindore janë duke luftuar me të njëjtat probleme.
Në parashikimet aktuale, deri në vitin 2050, Bullgaria do të ketë 38.6 për qind më pak banorë sesa kishte në 1990. Serbia do të ketë 23.8 për qind më pak, Kroacia 22.4 për qind dhe Rumania 30.1 për qind.
Moldavia tashmë ka humbur 33.9 për qind të popullsisë së saj. Bosnja dhe Hercegovina ka një normë pjellorie prej 1,26, një nga më të ulëtat në botë. Kosova, me një moshë mesatare 29 vjeçare është vendi më i ri në rajon, por nuk i shpëton as rënies demografike.
Shifrat dhe përqindjet mund të ndryshojnë, por tendencat janë të njëjta pothuajse kudo, megjithëse me disa vende më të avancuara sesa në disa të tjerë. Mosha mesatare e Serbisë është 43 vjeç, më e vjetër se mesatarja e BE-së prej 42.6.
Sido që ta shihni, e ardhmja demografike e Ballkanit dhe kjo gjysmë e Europës, e prekur nga emigracioni dhe shkalla e ulët e lindjeve, është dramatike.
Ndryshe nga e kaluara
Historikisht, të gjitha vendet e rajonit, dhe në fakt shumica e Europës, kanë pasur periudha emigracioni të madh.
Në rastin e ish-Jugosllavisë, qindra mijëra shkuan jashtë vendit nga vitet 1960 si gastarbeiters, jo domosdoshmërish për të qëndruar, por shumica e tyre e bënë këtë, ndoshta sepse patën fëmijë jashtë, ndoshta prej luftërave, ose edhe për të dyja këto arsye.
Para kësaj, hebrenjtë u larguan – ose u vranë në Holokaust – dhe gjermanët etnikë u dëbuan ose u vranë. Në BREZIN para kësaj, myslimanët, shqiptarët dhe turqit nga Bosnja dhe pjesët e tjera të ish-Jugosllavisë dhe Ballkanit më të gjerë u larguan në valë të ndryshme gjatë shekullit XIX dhe XX.
Njerëzit nga ishujt Dalmat dhe pjesë të Malit të Zi shkuan në Shtetet e Bashkuara. Greqia, Turqia dhe Bullgaria shkëmbyen popullsi.
Por përsa i përket shifrave, kjo nuk kishte shumë rëndësi kur gratë sillnin në jetë nga pesë ose shtatë fëmijë. Emigrimi, të paktën në kohë paqeje, lehtësonte si presionin mbi tokën ashtu edhe burimet dhe popullsitë vazhduan të rriten.
Kjo është një nga arsyet pse ajo që po ndodh sot është kaq ndryshe nga e kaluara.
Pastaj, vendet e Ballkanit shfaqën karakteristikat klasike demografike dhe karakteristikat e emigracionit të vendeve të varfra. Sot ato shfaqin njëkohësisht simptomat e vendeve të pasura dhe të varfra. Kjo është e paprecedent.
Njerëzit në Ballkan jetojnë gjatë – jo aq kohë sa në vendet më të pasura të Europës, por shumë më gjatë sesa në vende më të varfra.
Në të njëjtën kohë, ashtu si në vendet më të pasura, normat e pjellorisë janë ulur ndjeshëm.
Por ndërsa vendet perëndimore e kompensojnë rënien numit të lindjeve dhe emigracionin me imigracion, relativisht pak njerëz imigrojnë në vendet e Ballkanit.
Në Europën Qendrore dhe Lindore, vetëm Polonia ka arritur të kompensojë në mënyrë të konsiderueshme emigracionin në shkallë të gjerë dhe normat e ulëta të lindjeve me imigrimin e më shumë se një milion ukrainasve që, në të njëjtën kohë, kanë zbehur edhe atë që do të ishte një mungesë kritike pune.
Qeveritë të pafuqishme
Të gjitha qeveritë janë të vetëdijshme për situatën, por përpiqen të zbulojnë se çfarë të bëjnë në lidhje me këtë, ose nuk kanë mjete për të bërë shumë.
Në Kroaci, çiftet e reja mund të marrin hipoteka të subvencionuara nga qeveria, por duhet të keni para të mjaftueshme dhe numri i hipotekave në dispozicion dhe çifteve të përzgjedhshëm janë të vogla në krahasim me shkallën e problemit.
Aty ku munden, vendet u japin ndihmë grave dhe familjeve me më shumë fëmijë, por nuk ka ende prova se ndonjë gjë e tillë mund t’i bindë ata të kenë më shumë fëmijë.
Në Poloninë shumë më të pasur, e cila ka dhënë përparësi të konsiderueshme fiskale për familjet me të ardhura më të ulëta, paratë i kanë ndihmuar ata dhe i ka bërë mbështetës të mëdhenj të partisë qeverisëse Ligj dhe Drejtësi, por ata nuk duket se po sjellin në jetë më shumë fëmijë.
Kur bëhet fjalë për emigracionin, pa iu rikthyer kufizimeve të vjetra të stilit të komunizmit, duket gjithashtu se mund të bëhet shumë pak, përveç se në fusha të synuara siç është pagesa shumë më tepër e punonjësve të kujdesit shëndetësor.
Paratë, megjithatë, nuk janë arsyeja e vetme që njerëzit largohen.
Në të kaluarën, ata që nuk i kishin sytë nga lëvizja jashtë vendit migronin nga fshati në qytet dhe nga qyteti në kryeqytet. Dallimi midis Europës të së kaluarës dhe asaj të ditëve të sotme është se tani është më e lehtë ta kalosh atë fazë sesa në çdo periudhë tjetër të historisë.
Në fakt, Ballkani dhe vende të tjera ish-komuniste janë shndërruar vetë në fshatra. Nëse vini nga Bullgaria rurale ose nga një qytet i vogël në Poloni, pse do të shkonit në Sofjen e vogël ose në Uorklau, kur mund të shkoni direkt në Londër ose Berlin?
Atje jashtë është një botë shumë e madhe. Shumica e europianëve s’kanë nevojë as për biza për të shkuar në shumicën e vendeve perëndimore dhe linjat ajrore të lira nënkuptojnë se mund të shkosh vajtje-ardhje nga Austria apo Italia në një mënyrë që një brez i mëparshëm do të ishte dashur ta bënte me autobus.
Aeroportet dytësore si Stansted ose Beauvais tani luajnë të njëjtin rol që dikur kishin stacionet e autobusëve në provincat e largëta.
Kriza e punës
[fact title=” Makth statistikor”] Që të fillojmë të kuptojmë ndikimin e rënies demografike, duhet të dimë se çfarë pyetjesh të bëjmë dhe si të interpretojmë çfarë të dhënash janë në dispozicion.
Kur bëhet fjalë për emigracionin nuk ka shifra të sakta.
Ne dimë për lindjet dhe vdekjet sepse ato janë regjistruar. Këto dy gjëra s’kanë vend për paqartësi. Por ku jetoni është një pyetje tërësisht ndryshe.
Nëse po shkoni jashtë vendit për të punuar, nuk keni pse t’ia raportoni këtë askujt në vendin tuaj. Pastaj, ndërkohë që mund të ketë shifra për personat që regjistrohen në vendet e destinacionit, ka pak analiza se çfarë nënkuptojnë ato.
Banka Kombëtare Kroate është një nga institucionet e pakta që ka ekzaminuar shifrat dhe puna e tyre zbuloi se sa e vështirë është t’i përcaktosh këto shifra.
Për shembull, i njëjti person mund të jetë një votues i regjistruar dhe tatimpagues në vendin e tij, ndërkohë që shfaqet në disa vende të njëjtën kohë.
Imagjinoni një grua nga Kroacia lindore, ku nuk ka shumë punë, ose të paktën ka punë të paguara jo mirë. Ajo jeton në shtëpi gjysmën e vitit, por pjesën tjetër të vitit kujdeset për të moshuar jashtë vendit. Ajo mund të ketë sigurime shoqërore irlandeze dhe britanike dhe, në të kaluarën e afërt, të ketë punuar edhe në Gjermani.
Ajo gjithashtu mund të ndodhë të jetë serbe dhe të ketë pasaportë serbe ose boshnjake. Nëse ajo ka pronë në ndonjë prej këtyre vendeve, ajo mund të paraqitet si rezidente edhe në statistikat e tyre.
Për t’i komplikuar akoma më shumë gjërat, shumë nga ata të regjistruar si shtetas kroatë jashtë vendit janë në të vërtetë nga Bosnja. Ne mund të supozojmë se 20 për qind e tyre janë boshnjakë, por nuk mund të jemi të sigurt për këtë.
Kroatët e Bosnjës dhe kushdo tjetër që mund të bëjë një pretendim bindës se është një i tillë, kanë të drejtë të marrin pasaportat kroate. Për shkak se Bosnja, ndryshe nga Kroacia, nuk është në BE, të kesh nënshtetësi kroate e bën shumë më të lehtë punën atje.
Hungaria u jep pasaporta hungarezëve në Rumani, Serbi dhe gjetkë dhe Rumania ua jep shtetësinë e saj një pjese të madhe të moldavëve. Bullgaria u jep pasaporta maqedonasve.
Për këto dhe arsye të tjera, shifrat në lidhje me popullsinë dhe demografinë e cituar edhe në disa pjesë të shtypit janë plotësisht të gabuara.
Disa shembuj të fundit:
Sipas The Financial Times, në Moldavi ka 3,5 milionë banorë. Në vitin 2018, gazeta raportoi se 3,6 milion – ose 16 për qind – e popullsisë së Rumanisë, kishin emigruar që nga viti 2007.
The Guardian pati një grafik së fundmi që nxirrte në pah faktin se Kosova kishte humbur 15.4 për qind të popullsisë së saj midis vitit 2007 dhe 2018 dhe tha se kjo ishte rënia më e shpejtë në të gjithë Europën.
Të gjitha këto shifra janë të gabuara.
Sot në Moldavi nuk ka më shumë se tre milionë banorë dhe ndoshta shumë më pak se aq. Shifra rumune i referohet rënies së popullsisë midis viteve 1990 (jo 2007) dhe 2017 dhe përfshin faktorë të ndryshëm nga emigracioni.
Dhe shifra e vërtetë për rënien e popullsisë së Kosovës nga viti 1991, e jo që nga viti 2007, është diku te 4.3 për qind.
Në rastin e Kosovës, arsyeja e gabimit gjigand është se vendi nuk kishte shifra të besueshme para regjistrimit të popullsisë së saj në vitin 2011, gjë që tregoi se popullsia e saj ishte shumë më e vogël nga sa besohej më parë. Kështu që krahasimet janë bërë midis shifrës së përditësuar dhe një shifre të lartë, por plotësisht të pasaktë.
Gazetarët dhe akademikët mund të besojnë se për shkak se agjencitë kombëtare të statistikave janë agjenci qeveritare, shifrat në faqet e tyre në internet duhet të jenë të sakta. Në këtë rajon, të paktën, nuk është domosdoshmërish kështu ose shifrat nuk shpjegohen si duhet.
Në 1991, censusi i fundit jugosllav përfshiu rreth një milion qytetarë që jetonin jashtë vendit. Është jashtëzakonisht e rrallë për këdo që analizon shifrat e popullatës para dhe pas lufte ta faktojë këtë, kështu që ata zakonisht i krahasojnë mollët me portokallet, që do të thotë, një shifër të përgjithshme që përfshin njerëz jo në vend në vitin 1991 me vetëm ata njerëz që jetojnë vërtet në shtetet pasardhëse pas luftërave.
[/fact]
Ndërkohë, demografia dhe emigracioni po çojnë në mungesë të punës ngado.
Qeveritë kanë një problem të vërtetë. Emigracioni zbut jashtëzakonisht shumë problemet dhe kostot e papunësisë dhe sjell remitanca. Por gjithashtu po dobëson fuqinë punëtore, që do të thotë se investimet e huaja dekurajohen ose, në disa raste, madje edhe largohen.
Logjikisht, përgjigjja ndaj mungesës së punës është rritja e pagave, por kjo nuk po ndodh, ose të paktën jo ngado.
Në ish-Jugosllavi, kompanitë e autobusëve nuk kanë para për të konkurruar me pagat e firmave gjermane që kanë nevojë për shofer. Kjo është e njëjta gjë si në Beograd, ashtu edhe në Rijeka në Kroaci.
Kur puna është relativisht e pa komplikuar dhe parashikohet me paga të ulëta, siç është rasti në industrinë e pjesëve të automobilave në Moldavi, kompanive u kushton më pak të shpërngulen diku tjetër sesa të paguajnë më shumë.
Kjo nuk po ndodh kudo, natyrisht, dhe disa kompani po rritin pagat dhe po i mbajnë punëtorët, sidomos në sektorët më të aftë si teknologjia e informacionit.
Pagat e tyre më të larta tani mund të konkurrojnë me Londrën ose Kaliforninë, por kostoja e jetës është aq e ulët, saqë e bën të vlefshme të qëndrosh.
Megjithatë, diku tjetër kjo gjë nuk po ndodh ose strukturat ekonomike e bëjnë të vështirë.
Në Kroaci, mbizotërimi i turizmit sezonal është jashtëzakonisht shtrembërues.
Në të kaluarën, mund të gjeje gjithmonë mjaftueshëm njerëz nga zona më të varfra të Kroacisë ose rajonit më të gjerë që të punonin për tre muaj në bregdet, por tani ata ngurrojnë gjithnjë e më shumë ta bëjnë këtë, nëse mund të punojnë për të gjithë vitin ose edhe gjysmën e tij për shumë më shumë para dhe me kushte shumë më të mira në Gjermani.
Në korrik, qeveria kroate u detyrua nga presioni i punëdhënësve të dëshpëruar që të jepte më shumë leje pune për të huajt. Rumania po bën të njëjtën gjë.
Një mënyrë për të zgjidhur problemin e një fuqie punëtore në rënie është nëpërmjet emigracionit. Këtë ka bërë Polonia duke i hapur dyert ukrainasve dhe gjithnjë e më shumë për njerëz të tjerë nga gjetkë.
Të tjerët do të duhet të ndjekin këtë shembull, nëse duan që ekonomitë e tyre të vazhdojnë të rriten, por në vendet pa traditë imigracioni, kjo do të jetë e vështirë.
Një plus i vogël, i cili është vërejtur së paku në Rumani, është se romët që më parë margjinalizoheshin, tani po zënë vende pune nga të cilat më parë do të ishin përjashtuar. Paratë nga ata jashtë vendit po ndihmojnë gjithashtu për herë të parë në krijimin e një klase të mesme rome.
Qeveria e Polonisë pretendon se është kundër emigracionit dhe refuzoi të pranonte disa mijëra refugjatë kur iu kërkua nga BE-ja në vazhdën e krizës së emigrantëve dhe refugjatëve të vitit 2015.
Në të njëjtën kohë, pa shumë zhurmë ka lejuar të hyjnë në vend një numër i madh ukrainasish (megjithëse të bardhë dhe të krishterë).
Kjo lloj politike mund të jetë një prototip që ta ndjekin edhe të tjerë, por mund të jetë gjithashtu, të paktën për Ballkanin, i vështirë për t’u kopjuar. Ku është Ukraina e Ballkanit?
Zonat rurale mund të zbrazen kudo, por në disa vende popullsia po rritet.
Tirana, pretendon Erion Veliaj, kryebashkiaku i saj, po rritet me 25,000 banorë në vit ndërsa vendi në tërësi po humbet njerëz.
Kluzhi në Transilvani është një qytet në lulëzim, në të cilin shkojnë njerëz nga pjesë të tjera të Rumanisë dhe jashtë vendit. Suksesi i tij bazohet në njohurinë nga ekonomia dhe inxhinieria informatike.
Ka shembuj në Rumani ku investimet e huaja, duke rezultuar në ndërtimin e fabrikave moderne, kanë ndalur shpopullimin dhe madje kanë sjellë një rikthim të kufizuar të njerëzve.
Nëse qytete si Kluzhi mund të kopjoheshin një mijë herë dhe të punohej ngado për të përmirësuar standardet e jetesës, si në Tiranë, situata do të ishte shumë e ndryshme.
Përkeqësuar nga BE-ja
Sado e pakëndshme për ta pranuar, anëtarësimi në BE i përkeqëson akoma më shumë gjërat, të paktën si fillim. Por tani dallimi në Europë midis vendeve anëtare dhe jo-anëtare ende shumë më i dukshëm.
Për Poloninë, Rumaninë, Kroacinë dhe të tjerët, hapja e tregut të punës çoi në largimin e miliona njerëzve. Tani Gjermania dhe të tjerët e kanë hapur tregun e punës edhe për njerëz nga vendet jo anëtare të BE-së.
Disa vjet më parë, problemi ishte emigracioni i paligjshëm dhe njerëzit që provonin fatin e tyre si azilkërkues të rremë. Kjo histori tashmë i përket të kaluarës.
Tani ka turma të mëdha njerëzish para konsullatave nga Beogradi deri në Banja Luka dhe Prishtinë pasi njerëzit kërkojnë leje pune, shpesh të ofruara nga kompani në Kroaci dhe Slloveni, pjesë të BE-së.
Emigrimi çon në pasoja politike. Në të gjithë rajonin, çështja demografike po bëhet një çështje politike dhe jo vetëm në aspektin e qeverive që premtojnë të bëjnë diçka.
Në Serbi, presidenti ka qenë në kontrast me numrin aktual të serbëve dhe shqiptarëve, me shifrat e ardhshme që tregojnë se serbët po zvogëlohen në mënyrë dramatike në proporcion me shqiptarët. Ai po e bën këtë sepse kërkon të ndërtojë një konsensus përpara çdo marrëveshje jo të mirë që mund të bëjë me Kosovën.
Listat zgjedhore gjithandej mbeten të mbushura me emra personash që kanë emigruar. Politikanët kanë një interes ta bëjnë këtë dhe është më lehtë të vjedhësh zgjedhjet, nëse i ke listat e mbushura.
Por referendumi i vitit 2018 në Maqedoninë e Veriut për ndryshimin e emrit dështoi, jo vetëm për shkak të një bojkoti të opozitës, por edhe sepse pragu i nevojshëm nuk mund të arrihej lehtë, sepse shumë njerëz në listat zgjedhore ishin jashtë vendit.
Në qershor të vitit 2019, pasi një qeveri u rrëzua dhe një tjetër mori pushtetin në Moldavi, një nga aktet e saj të para ishte të rrëzonte një rregull të miratuar për zgjedhjet e fundit që ata në diasporë nuk mund të votonin me pasaportat ose kartat identiteti moldave të skaduara.
Pse ishte e rëndësishme kjo? Sepse një numër i madh përkrahësish të Maia Sandu, kryeministrja e ardhshme, janë në diasporë në Perëndim dhe udhëtojnë dhe punojnë atje me pasaportat rumune dhe kështu paguhen më shumë sesa do të paguheshin me dokumente të skaduara moldave.
Në Shqipëri, opozita sulmon qeverinë, duke pretenduar se deri në gjysmë milioni njerëz janë larguar nga vendi në vitet e fundit. Megjithatë kjo është një fantazi politike sepse qindra mijëra janë kthyer gjithashtu ose janë emigrantë që ikin e vijnë vazhdimisht.
Migracioni gjithashtu ka efekte në vendet e destinacionit dhe ka ndihmuar në ngritjen e partive nacional-populiste.
Nuk ka asnjë mënyrë për të përcaktuar se në çfarë mase ardhja e një numri të madh polakësh, rumunësh, bullgarë etj ishte faktori përcaktues në referendumin që u mbajt në vitin 2016 në Britani në lidhje me Brexit, por nuk mund të ketë asnjë dyshim se ata e patën një rol.
Kauzë e humbur?
Si mund t’i zgjidhin vendet këto probleme? Apo kjo është një kauzë e humbur? Këto janë pyetjet e mëdha të kohës sonë dhe nganjëherë qeveritë mund të ndiejnë se janë si njerëz që përpiqen të ngjisin një palë shkallë lëvizëse zbritëse.
Pse emigrojnë njerëzit? Nuk e bëjnë vetëm për para. Arsyeja është edhe arsimi, kujdesi shëndetësor dhe shërbimet dhe kjo ndodh gjithnjë e më shumë sepse njerëzit kanë humbur shpresën se ata do të jetojnë ndonjëherë në shoqëri normale, demokratike dhe sa më pak të korruptuara.
Kur vendet bëhen më të pasura, segmente të mëdha të popullsisë kanë jetuar tashmë jashtë vendit dhe dëshirojnë të njëjtat standarde jetese, përfshirë shërbime sociale, siç kanë pasur në ato vende perëndimore.
“Për brezin e babait tim”, thotë Majlinda, një studente 25-vjeçar shqiptare që ka studiuar në Holandë, “gjërat kanë ndryshuar shumë shpejt, por për mua kjo nuk është aq shpejt sa duhet!”
Pra, hendeku i pritshmërive është rritur si me asnjë zbres tjetër në të kaluarën.
Logjikisht, mund të mendoni se nëse këto vende janë fshatrat e ditëve të sotme, atëherë transferimi fiskal në një Europë më federale mund të jetë përgjigjja e duhur, por ne e dimë se në klimën aktuale kjo nuk do të ndodhë.
Në fakt, vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Moldavisë, nuk janë as në BE dhe madje disa kanë filluar të dyshojnë se do të jenë ndonjëherë pjesë e saj.
Por cilat janë provat nga një pjesë e botës së mëparshme komuniste që zgjidhën problemin e transferimeve fiskale? Nuk është inkurajuese. Gjermania Lindore vazhdon të shpopullohet edhe pothuajse tre dekada pas ribashkimit.
Për të ngadalësuar dhe, me shpresë, për të ndryshuar rënien e numrit të popullsive, qeveritë duhet të bëjnë vendet ato në të cilat njerëzit duan të jetojnë. Kjo nuk është diçka shumë e vështirë për ta kuptuar, por ndoshta është tepër vonë.
Vendet nuk mund të zvogëlohen gjithnjë e më shumë, por ata mund të bëhen thjesht të vjetër dhe kjo do të thotë të mbeten më të varfër sesa vendet perëndimore dhe kjo do të thotë më shumë emigrim.
Nëse ata do të kishin qenë shumë të pasur, si Japonia, do të kishte më shumë mundësi për të bërë diçka, por meqenëse nuk janë ashtu, dhe meqenëse tendencat janë pa dyshim të zymta, kjo është një temë që kërkon vëmendje urgjente.
Kjo ka nevojë për masa dhe ide, jo vetëm nga qeveritë dhe mendimtarët në vendet popullsia e të cilëve po zvogëlohet, por në të gjithë Europën, përpara se mosbalancimi i asaj që po ndodh të shndërrohet në një tjetër çështje që kërcënon themelet tona liberale demokratike.