Mali i Zi po shkon drejt të njëjtit drejtim demografik si fqinjët e tij dhe kjo parashikon lajme të këqija.
Malazezët prej kohësh janë magjepsur pas demografisë.
Për dekada të tëra, ata janë fiksuar pas përqindjeve të atyre që e konsiderojnë veten malazez në krahasim me serbët, sa shqiptarë jetojnë në vend dhe nëse myslimanët janë një kategori e veçantë nga boshnjakët.
Ndërkohë, ata po plaken, kanë gjithnjë e më pak fëmijë dhe emigrojnë. Pavarësisht nëse ata e kuptojnë apo jo këtë, mënyra sesi malazezët i trajtojnë këto probleme do të përcaktojë të ardhmen e tyre, ashtu siç kanë bërë çështjet etnike në të kaluarën.
Në pamje të parë, shifrat kryesore për Malin e Zi japin përshtypjen se, në një rajon me demografi të rëndë, ai i ka shpëtuar më të keqes. Ndërsa numri i popullsisë në të gjithë vendet e tij fqinje ka rënë për vite me radhë, Mali i Zi i ka shpëtuar këtij trendi.
Në fillim të vitit 2019, popullsia e tij u vlerësua pak më shumë se 622,000 dhe kjo shifër është praktikisht e pandryshuar që nga viti 2004.
Në vitin 2018, gratë malazeze gjithashtu kishin një mesatare prej 1.8 fëmijësh, e cila, megjithëse nën të ashtuquajturin nivelin e zëvendësimit prej 2.1 në të cilën një popullatë rinovon veten, është shumë më mirë se kudo tjetër në rajon.
Sidoqoftë, vetëm kur shikoni trendet, mund të vini re se Mali i Zi po shkon në mënyrë të pashpjegueshme në të njëjtin drejtim demografik si fqinjët e tij.
Në vitet 1950, gratë kishin më shumë se katër fëmijë, një numër që u zvogëlua ndjeshëm deri në fund të viteve 1980 kur filloi të binte nën 2.1, megjithëse jo çdo vit. Në Serbi kjo pikë u arrit në vitin 1956.
Në vitin 1958, lindjet në Mal të Zi tejkaluan vdekjet me 10.147, një shifër që gjithashtu ka rënë që atëherë. Në vitin 2018, kjo shifër ra në 760.
Miroslav Doderoviç, një profesor në Universitetin e Niksiçit dhe i vetmi demograf akademik i vendit, tha se ai priste që vendi të arrinte në pikën e “rritjes negative” brenda pesë viteve.
Rritja e popullsisë së Malit të Zi nga 372,000 në vitin 1947 në shifrën aktuale maskon sasinë e madhe të lëvizjes dhe ndryshimeve që kanë prekur vendin në periudha të ndryshme.
Midis vitit 1945 dhe 1947, për shembull, 31,000 malazezë u vendosën larg nga republika e tyre e vështirë, në tokën e pasur bujqësore të Vojvodinës në veri të Serbisë, nga e cila gjermanët etnikë sapo ishin dëbuar. Ky numër duket i vogël, por ishte 8.5 për qind e popullsisë së Malit të Zi.
Pjesa më e madhe e periudhës Jugosllave ishte një periudhë emigrimi, por lindjet e tejkalonin numrin e largimeve.
Në vitin 1981, rreth 105,000 malazezë jetonin në pjesë të tjera të Jugosllavisë, 70 për qind e tyre në Serbi.
Censusi i fundit jugosllav i vitit 1991 e regjistroi popullsinë e republikës në afro 615,000 banorë, por në fakt, me 23,000 që punonin jashtë Jugosllavisë si gastarbeiters dhe familjet e tyre që u përfshinë në totalin e regjistrimit, numri aktual i banorëve ishte rreth 592,000 banorë.
Trazirat e shpërbërjes së Jugosllavisë panë lëvizje të mëdha të popullsisë në të gjithë vendin.
Tani ai ishte një vend në të cilin më shumë njerëz shkonin sesa largoheshin që aty. Në periudhën 1990-2011, rreth 75,600 janë regjistruar se erdhën në Mal të Zi dhe, megjithëse mund të mos kenë qëndruar të gjithë, censusi i vitit 2011 zbuloi se 20 për qind e njerëzve në Mal të Zi nuk kishin lindur atje.
Në të njëjtën kohë, njerëzit largoheshin nga vendi, por me një rritje pozitive natyrore të popullsisë, numri i përgjithshëm i banorëve ende u rrit para ndaljes dhe qëndrimit në një nivel të vazhdueshëm që nga viti 2004.
Numri i përgjithshëm i popullsisë së sotme gjithashtu nuk përfshin diku te 50,000 të huaj që nuk janë rezidentë të përhershëm, por që jetojnë dhe punojnë në vend në varësi të sezonit dhe mund ose nuk janë të regjistruar.
Megjithatë, banorët e përhershëm janë përfshirë në census dhe në vitin 2011 ata përbënin pesë për qind të popullsisë, nga të cilët katër në pesë vinin nga Serbia, Bosnja ose Kroacia. Në tetor 2019, në vend ishin të regjistruar rreth 32.300 banorë të përhershëm.
Problemi që has tani Mali i Zi është se ndarja e banorëve të tij tregon se jo vetëm që bie niveli i lindjeve, por njerëzit gjithashtu po plaken.
Në vitin 2000, përqindja e malazezëve të moshës 60 vjeç e lart ishte 17.04 për qind, por tani është 21.69 për qind dhe kjo prirje do të përshpejtohet pasi po lindin gjithnjë e më pak fëmijë dhe rritja natyrale e popullatës po bie.
Në vitin 2008, ishin 121.916 fëmijë të regjistruar në shkollë, por një dekadë më vonë ky numër ishte 98.238, ose 19.4 për qind më pak.
Sot sistemi i pensioneve i Malit të Zi tashmë është nën presion dhe kjo thjesht do të përkeqësohet.
Për vite me radhë ka pasur debate për moshën e daljes në pension dhe një politikë që i dha grave të drejtën për të dalë në pension nëse ato kishin tre fëmijë, pavarësisht se sa kohë kishin punuar, u shfuqizua me shpejtësi, sepse rezultoi shumë e kushtueshme.
Në Serbi, do të ketë më shumë pensionistë sesa njerëz në moshë pune në vitin 2021 dhe Doderoviç tha se Mali i Zi së shpejti do të jetë njësoj.
Megjithatë, kjo nuk do të jetë sepse nuk ka mjaftueshëm njerëz në moshë pune, por, të paktën pjesërisht, sepse qeveritë mendojnë se kushton më pak të nxjerrësh në pension më herët punonjësit civilë sesa të vazhdosh t’u paguash atyre paga të plota.
Në Serbi dhe Kroaci, mijëra ish-gastarbeiter kthehen çdo vit sepse pensionet e tyre të huaja janë shumë më të larta në shtëpi sesa në Gjermani ose gjetkë, por numrat që kthehen në Mal të Zi janë të papërfillshme, tha Doderoviç.
Ndryshe nga kjo, pjesa më e madhe e malazezëve që shkuan për të jetuar dhe punuar në Serbi priren të mos kthehen të jetojnë në Mal të Zi, në vend që të vijnë vetëm për pushime, sepse vendet e tyre janë shumë të ndërthurur gjithsesi dhe kostoja e jetesës është më e shtrenjtë sesa në Serbi.
Zhvillimet demografike po lëvizin me shpejtësi të ndryshme në pjesë të ndryshme të vendit.
Për vite me radhë, veriu i varfër ka parë shkallë më të lartë emigrimi, si jashtë, ashtu edhe brenda vendit drejt Podgoricës dhe bregdetin më të begatë, dhe kjo po çon në rritjen e shpopullimit të veriut.
Rozaje, për shembull, e cila ka shumicë boshnjake, ka një shkallë relativisht të lartë lindjesh, por edhe një shkallë të lartë emigrimi.
Për disa vite, një numër i madh, sidomos nga vendet si Rozaje, u përpoqën të merrnin azil në vendet e BE-së, edhe pse ata nuk kishin pothuajse asnjë shans për këtë.
Në vitin 2015, rreth 4,000 malazezë aplikuan për azil në BE, nga të cilët 3,635 aplikuan në Gjermani.
Vitin e kaluar, vetëm 377 aplikuan në Gjermani. Sidoqoftë, tani që Gjermania po ofron leje pune për qytetarët jo të BE-së, emigracioni ligjor për punë është bërë një rrugë shumë më e vlefshme.
Në fillim të vitit 2019, 22, 280 malazezë ishin të regjistruar që jetonin në Gjermani, nga 6,380 që ishte në fillim të vitit 2009.
Çështja e emigracionit, sidomos e të rinjve dhe njerëzve të aftë për punë, mund të jetë një çështje e ndjeshme.
“Politikisht kjo nuk është një temë për të cilën dikush dëshiron të flasë”, tha një zyrtar.
Milo Djukanoviç, presidenti i Malit të Zi, thotë se përgjigjja qëndron në zhvillimin e përshpejtuar ekonomik, duke u dhënë njerëzve një standard jetese perëndimore.
Gjatë kohës së Jugosllavisë, thuhej se sido që të ishte moti në veri, ai do të mbulonte së shpejti edhe pjesën tjetër të vendit. E njëjta gjë është e vërtetë për sa i përket demografisë.
Dhe pse Mali i Zi duket se i ka shpëtuar më të keqes përsa i përket plakjes dhe rënies demografike, nuk është kështu. Aty ku Serbia dhe Kroacia kanë marrë kryesimin, Mali i Zi po u shkon nga pas, edhe pse me disa dekada vonesë.