Sulmet ndaj organizatave të shoqërisë civile janë një sport i populistëve në Republikën Çeke dhe gjithkund tjetër në Europën Qendrore – por shoqëria civile është duke luftuar.
Organizatat jofitimprurëse janë bërë shënjestër e parapëlqyer e populistëve në Europën Qendrore. Por një organizatë çeke po lufton pas me çështje ligjore që po shikohen si test kyç për demokracinë dhe sundimin e ligjit.
Dega çeke e organizatës anti-korrupsion Transparency International (TI), ka hedhur kryeministrin Andrej Babis në gjyq për shpifje.
Sipas David Ondracka, drejtori i TI në Republikën Çeke, sharjet për të cilat akuzohet Babis janë pjesë e një përpjekjeje për të “deligjitimuar dhënësin e mesazhit” duke etiketuar organizatat si “të korruptuara”.
Auditet nga BE kanë zbuluar se kryeministri miliarder është në konflikt interesi sa i përket subvencionimeve. Këto telashe kërcënojnë t’i heqin miliona euro konglomeratit të kimikateve bujqësore Agfofert, të cilin ai e vendosi nën menaxhimin e një trusti në vitin 2017.
Hetimet u shkaktuan nga ankesat nga TI se në realitet Babis mbetet në kontroll të grupit të kompanive ndërkohë që drejton edhe shpërndarjen e fondeve që vijnë nga Brukseli.
TI është tashmë duke hedhur në gjyq kryeministrin për dëmtimin e padrejtë të reputacionit të saj. TI kërkon që kryeministri të tërheqë dhe kërkojë ndjesë për një seri komentesh që vinin në pikëpyetje financimet e organizatës dhe marrëdhëniet e saj me ministri të ndryshme, kompani nën pronësi shtetërore dhe sponsorë të tjerë.
Ndërsa procesi gjyqësor u hap më 13 janar, gjyqtari pranoi 14 kërkesa dhe vendosi që gjyqi të vijojë në shkurt.
TI këmbëngul se financimet dhe llogaritë e saj janë tërësisht transparente dhe mund të shikohen publikisht.
“Gjëja më e keqe në botë për një organizatë anti-korrupsion është që t’i vihet në pikëpyetje integriteti,” i tha Ondracka BIRN. “Nëse deklarata të tilla të rreme bëhen normë atëherë çdokush bëhet shënjestër dhe e gjithë shoqëria civile delegjitimohet.”
Avokatët e Babis pretendojnë se kryeministri nuk po shprehte një fakt kur tha se TI është e angazhuar në aktivitet kriminal, por më së shumti shprehu opinionin e tij personal që OJF-të pranojnë fonde në shkëmbim të promovimit të interesave të huaja armiqësore.
Këshilltarët e kryeministrit thonë gjithashtu se TI ka përdorur retorikë të ngjashme të ashpër kundër Babis. Ai thotë se Babis është etiketuar si oligark dhe mashtrues dhe predator dhe se është akuzuar se vjedh nga shteti dhe kryen korrupsion politik.
“Aplikanti sakaq ka kapërcyer një limit të caktuar dhe është drejtpërsëdrejti i angazhuar në luftë politike,” argumentoi avokati në gjyq.
“Absolutisht kyçe”
Në nivel personal dukshëm ka shumë pak dashuri mes Babis dhe Ondrackës, i cili më 2013 diskutoi t’i bashkohej partisë ANO të miliarderit, joshur nga sugjerimi që mund të bëhej ministër i brendshëm.
Gjithsesi, avokati i Babis pa dashje vuri në dukje, duke përmendur rolin e TI si aktor politik, se kjo çështje është pjesë e një historie shumë më të madhe. Është një test për aftësinë e institucioneve dhe shoqërisë civile të rezistojnë përballë një përzjerjeje të presionit ekonomik dhe politik që vjen nga kryeministri.
Ndërsa çështja gjyqësore u hap më 7 janar, Petr Honzejk, një opinionist i gazetës së përditshme Hospodarske noviny, e cilësoi atë një proces “absolutisht kyç”.
“Nuk ka të bëjë vetëm me çështjen se deri në çfarë mase deklaratat false janë të pranueshme në një debat publik, por nëse arroganca e pushtetit në Republikën Çeke mund të lejohet të vijojë të rritet me pandëshkueshmëri,” shkroi ai.
Më shumë se sa kaq, kjo është pjesë e një reagimi të të gjithë sektorit të organizatave kundër presionit në rritje nga populistët.
Organizatat janë vëzhguese të padëshirueshme të qeverive të akuzuara për abuzime të të drejtave të njeriut, autoritarizëm dhe korrupsion.
Duke theksuar një “mungesë të fortë të integritetit politik”, TI thotë se konflikti i interesit të Babis, si dhe hetimi i vjetër për mashtrim kundër miliarderit, ndihmoi për ta ulur Republikën Çeke gjashtë vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2019, për të ndarë vendin e 44 me Gjeorgjinë dhe Kosta Rikën.
Forcat politike populiste dhe autoritariste kanë zbuluar gjithashtu se organizatat mund të jenë një shënjestër e vlefshme. Sulmet kundër organizatave jofitimprurëse ndihmojnë për të ushqyer frikën nga teoritë e komplotit globalizues, të cilat ata i krijojnë dhe ushqejnë për popullatat vendëse.
“Ky rast është pjesë e një debati më të gjerë në të gjithë rajonin në lidhje me marrëdhënien mes shtetit dhe shoqërisë civile,” tha Pavel Havlicek, një analist në Shoqatën për Çështje Ndërkombëtare me bazë në Pragë.
Brenda BE-së, Hungaria përfaqëson një version ekstrem të këtij debati. Duke marrë një faqe nga libri i udhëzimeve të Moskës, regjimi i kryeministrit Viktor Orban miratoi një ligj më 2017 që i kërkon organizatave që marrin fonde jashtë vendit t’i deklarojnë ato publikisht dhe të dorëzojnë raportime financiare shtesë.
Kjo masë është konceptuar për të diskretituar dhe shtyrë drejt heshtjes organizatat që përpiqen të mbajnë qeverinë llogaridhënëse në lidhje me detyrimet e saj për korrupsioni, mbrojtjen mjedisore, të drejta të njeriut, demokraci dhe sundim ligji, paralajmëron Komiteti i Helsinkit për Hungarinë.
Organizatat nuk përballen me të njëjtin nivel presioni në Pragë. Për më tepër, ministria e punëve të jashtme të vendit ofroi mbështetje të fortë oër organizatën Njerëz në Nevojë, kur Rusia ndaloi këtë grup jofitimprurës.
Gjithsesi, shoqëria civile ka qenë duke luftuar me këto sulme prej vitesh nga aktorë politikë që, përveç kryeministrit, përfshin presidentin me seli në Kështjellën e Pragës dhe partitë politike të ekstremit.
Kreu kontrovers i shtetit Molos Zeman rregullisht sulmon organizatat. Kjo duket se fuqizon mbështetjen që ai gëzon nga elektorati i vet, më së shumti të moshuar dhe provincialë, të cilët kënaqen nga retorika e tij sulmuese ndaj refugjatëve dhe islamit.
Presidenti i tha parlamentit në një fjalim më 2018 se organizatat janë parazitë të buxhetit publik. “Ato duhet të përdorin paratë e veta dhe jo të vegjetojnë në kurriz të shtetit,” kërkoi ai.
“I mirë dhe i keq”
Një retorikë e tillë dukshëm ndihmon për ta kthyer shoqërinë e gjerë kundër organizatave. Besimi publik i çekëve te “organizatat jofitimprurëse” ka rënë që nga kriza e BE-së me migrimin më 2015 dhe vijon të bjerë, tregojnë anketat.
Kapërcimi i kësaj armiqësie është një sfidë e madhe për shoqërinë civile çeke, thotë Havlicek.
Ondracka është dakord. TI ka një përgjegjësi për të reaguar përballë sulmit, tha ai.
“Në disa mënyra çështja kundër Babis është si të thuash mjaft. Ne jemi burime më të mëdha se shumica e organizatave të tjera kështu që nëse ne nuk përgjigjemi, kush do të përgjigjet?”
Një nga taktikat më të përdorura dhe më efikase me të cilat përballen organizatat në çeki është taktika përça dhe sundo. Populistët kërkojnë që organizatat “politike” të tilla si ato që luftojnë korrupsionin dhe për mbrojtjen e mjedisit, të mund të ndahen nga ato që punojnë drejtpërsëdrejti me publikun.
“Ne bëjmë dallim mes organizatave në të mirë të publikut, që janë angazhuar në mbështetjen e aktiviteteve sportive, kulturës apo ndihmë për të moshuarit dhe organizatave që kanë një axhendë politike,” thotë Lubomir Volny nga Partia Liri dhe Demokraci Direkte, (SPD) e ekstremit të djathtë.
“Gjithnjë e më shumë njerëz besojnë se ka një dikotomi të organizatave “të mira” dhe “të këqija”, tha Ondracka. “Ne qartazi jemi aktor politikë, por ne qëndrojmë neutralë. Në këtë rajon, ka një besim se ti nuk ke të drejtë të përfshihesh në procesin politik nëse nuk zgjidhesh me vota.”
Dhe nuk ka as mungesa të politikanëve që bëjnë thirrje që edhe Republika Çeke të kopjojë ligjet ruse dhe hungareze.
Njëri është politikani Vaclav Klaus Jr, i ati i të cilit shpesh shihet si armiku më i hershëm i shoqërisë civile në Europë. Klaus i vjetri rregullisht sulmonte mjedisorët, “pro-europianët”, “OJQ-istët” dhe “homoseksualët” gjatë viteve të tij si kryeministër dhe më pas si president në vitet 1990 dhe 2000.
Pasi u përzu nga Partia Demokratike Civile e qendrës së djathtë vitin e kaluar, Klausi i Ri krijoi partinë Trikolor, një parti nacionaliste dhe populiste. Ai filloi menjëherë duke kërkuar ndërprerjen e financimeve shtetërore për të gjitha organizatat “politike” dhe ka kërkuar që të publikohen emrat e të gjithë sponsorëve që japin financime nga jashtë vendit.
Përballë këtyre sulmeve, gjithsesi, organizatat çeke po e rrisin stekën. Ndryshe nga kolegët e tyre në Rusi dhe Hungari ata janë të bindur se në Republikën Çeke angazhimi civil dhe sundimi i ligjit është mjaftueshëm i fortë për t’i mbështetur ata.
“Ne nuk jemi në të njëjtën situatë me Hungarinë, por nuk jemi as si Europa Perëndimore,” thotë analisti Havlicek. “Ne do të shohim se në çfarë drejtimi do të shkojmë në vitet e ardshme, por jam goxha optimist. Shoqëria civile çeke po shtyn pas fort”.
Ai shtoi se sfida e ardshme në BE ndaj ligjit hungarez për agjentë të huaj mund të ndihmojë për të tërhequr vëmendjen ndaj çdo gjëje të ngjashme që mund të ndërmerret si iniciativë në Republikën Çeke.
Ondracka gjithashtu ka shpresë.
“Rreziku i rënies drejt skenarit hungarez është i qartë, por shoqëria civile çeke është më e fortë dhe po bëhet akoma më e fortë,” tha drejtuesi i TI, duke përmendur protestat masive të kohëve të fundit kundër Babis dhe Zeman.
Institucionet çeke janë gjithashtu të forta dhe rasti gjyqësor i TI mund të marrë një gjykim të ndershëm, thonë shumica e komentatorëve.
“Gjithsesi, kërcënimi do të vijojë për shkak se përfitimet potenciale janë të qarta për aktorë të caktuar,” tha Ondracka. “Organizatat politike si ne janë aktualisht në axhendë. Të tjerët mund të jenë në axhendë në të ardhmen. Nëse ne humbasim këtë çështje, dyert do të jenë të shpërthyera për të deligjitimuar të gjitha organizatat.”