
Sfidat me të cilat përballen demokracitë liberale të Perëndimit sot janë mjaftueshëm serioze sa për të rikujtuar rrëzimin e Europës në tirani në vitet 1930 dhe duhet të frymëzojnë amerikanët dhe europianët me bonsens që të përgatiten për të luftuar ripërsëritjen e historisë. Ndërsa të ulërasësh “ujku-ujku” nuk është diçka që rekomandohet, në disa raste me të vërtetë një ujk është duke gjuajtur në pyll.
Kur dramaturgu gjerman Bertolt Brecht shkroi, “I gjithë pushteti vjen nga populli,” ai vijoi këtë duke shtruar një pyetje të rëndësishme: “Por nëse vjen nga populli, ku shkon ky pushtet?”
Arritja kryesore e demokracisë liberale gjatë një gjysmë shekulli pas Luftës së Dytë Botërore ishte që t’i përgjigjej kësaj pyetje me një mënyrë të tillë që ajo të promovonte konsensusin dhe solidaritetin shoqëror. Megjithëse qeveritë u zgjodhën nga shumicat e shtetasve të barabartë, ato punuan brenda një rendi kushtetues të mbështetur te shteti i së drejtës, (sundimi i ligjit), institucionet demokratike dhe vlerat e të drejtat e pranuara. Dhe ata u qeverisën me konsensusin e minorancave që ata respektuan.
Nga fundi i viteve 1980, disa besonin se ky sistem i qeverisjes, i cili solli sukses ekonomik dhe stabilitet politik, fitoi luftën kundër alternativave. Autoritarizmi komunist dhe fashist u diskretitua. Një ndjenjë triumfalizmi u vu në lëvizje, që ushqeu një shkallë jo të vogël vetëkënaqësie. Por gjërat duken më pak të mira për liberal demokratët në ditët tona.
Sa për fillim, bumi dhe kriza e dekadës së parë të këtij shekulli shkaktoi pasoja. Dhe po kështu ndodhi edhe me nxitjen e një forme të pakufijshme të globalizimit, një e tillë që nuk mori shumë parasysh pasojat shoqërore që shkaktoi kostoja krahasimisht më e ulët e punës në vendet në zhvillim te punëtorët e vendeve të zhvilluara. Një tregti më e lirë dhe shkëmbim valutor më i lirë nuk u shoqëruan me politika mbi tregun e punës dhe sigurinë shoqërore që nevojiteshin për të kufizuar pasojat negative. Për më tepër, Kina, tashmë ekonomia më e madhe e botës në terma të Fuqisë Blerëse, shkaktoi çrregullime në tregun ndërkombëtar për të përfituar vetë.
Dy probleme të tjera diskretituan më tutje qeveritë demokratike. E para, pabarazia shoqërore u rrit në mënyrë alarmante në shumë vende, më së shumti në Shtetet e Bashkuara, duke shtyrë qytetarët të pyesin nëse ata po jetojnë me të vërtetë në shoqëri të drejta. E dyta, migrimi nga vendet më të varfra te ato më të pasura, i ushqyer nga varfëria dhe faktorë demografikë, krijoi tension në ekonomitë e zhvilluara. Standardet e jetesës u bllokuan, njerëzit shtynë për më vonë shpresat për një jetë më cilësore.
Tani disa shohin një përplasje mes demokracisë joliberale dhe liberalizmit jodemokratik. Elitat mendohet se dëshirojnë të kufizojnë atë që e shohin si shpresa irracionale dhe të kota të shumicës, ndërsa shumica lufton për të përmbysur kufizimet dhe balancat kushtetuese që moderojnë vullnetin popullor.
Zhgënjimi në rritje me qeverisjen demokratike dallohet lehtë te ngritja e udhëheqësve të tillë si presidenti i Brazilit Jair Bolsonaro, kryeministri i Hungarisë Viktor Orbán, presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan, dhe, natyrisht, Donald Trump. Presidenti i SHBA-së duket i papërmbajtshëm në sjelljen e tij kundër Kushtetutës, Shtetit të së Drejtës, Lirisë së Shtypit dhe debatit politik civil. Amerika ishte dikur standardi krahasimor për demokracinë liberale dhe të drejtat e njeriut. Por administrata e Trump pëlqen autoritarizmin e çunave t fortë e madje edhe sulmon aleatët demokratë të SHBA-së.
Të tjerë zhyten në forma të tjera populizmi. Në Britani, refuzimi i partisë Konservatore ndaj idesë së lidhjeve të ngushta me Europën shoqërohet me kërcënime për sulme ndaj institucioneve të cilat deri më sot kanë kufizuar pushtetin e ekzekutivit. Këto institucione përfshijnë gjyqtarët dhe gjykatat e pavarura të Britanisë, transmetuesin publik të klasit botëror, BBC, dhe organizatat e shoqërisë civile që nuk bien dakord me ekzekutivin.
Nuk ka nevojë ta ekzagjerojmë; ne nuk kemi nisur ende të shkruajmë aktin e fundit të historisë së demokracinë liberale. Por ka mjaftueshëm shenja për telashe dhe amerikanët dhe europianët e arsyeshëm bëjnë mirë të rikujtojnë mënyrën se si Europa rrëshqiti në tirani në vitet 1930 si dhe të zgjedhin të reagojnë tani për të parandaluar përsëritjen e diçkaje të ngjashme.
Ndërsa të ulërasësh “ujku-ujku” nuk është diçka që rekomandohet, në disa raste me të vërtetë një ujk është duke gjuajtur në pyll.
Dhe sikur të mos mjaftonte fakti që Perëndimi po mban sytë e mbyllur përballë kërcënimeve ndaj sistemit të vet qeverisës, demokracitë liberale duhet të përballen gjithashtu me kërcënime nga jashtë.
Për shembull, presidenti i Rusisë Vladimir Putin e gjen të vështirë t’i rezistojë tundimit për të shkaktuar ngatërresa në demokracitë Europiane dhe – pavarësisht mohimit të Trump përballë të gjitha provave – edhe në Amerikë. Duke financuar parti nacionaliste dhe populiste dhe duke u përpjekur të sulmojë vlerat që e mbajnë BE-në bashkë dhe duke përdorur banditizëm teknologjik, Putini në mënyrë të pandërprerë synon të ndryshojë hartën politike të Europës.
Putini dëshiron ta kthejë Europën në një kontinent të dominuar nga sferat e influencës më shumë se sa nga vetëvendosja. Por Rusia, një shtet shkatarraq me burime natyrore dhe raketa, nuk ka ndikim të mjaftueshëm ekonomik për të kryer një sulm nga themelet ndaj vlerave të demokracisë liberale. Po kështu, megjithëse sjellja kërcënuese e Kremlinit duhet të shikohet dhe të luftohet me vendosmëri, kërcënimi nga Ruria ka pak gjasa që do të bëhet një kërcënim ekzistencial.
Kina është një çështje t jetër. Ringritja mbresëlënëse dhe shumë e mikrpritur e vendit si një fuqi e madhe ekonomike i ka dhënë Pekinit ndikim botëror dhe rajonal të konsiderueshëm. Por dobësia e brendshme e Kinës e shkaktuar nga qeverisja autoritariste në thelb defektoze do të thotë se udhëheqësit e saj komunistë shqetësohen mbi atë se si duhet të mbajnë kontroll absolut përballë sfidave teknologjike, demografike dhe ekonomike.
Partia Komuniste në pushtet, qeveria dhe forcat e armatosura të saj për rrjedhojë janë instruktuar (për shembull, te “Komunikata mbi Gjendjen Aktuale të Sferës Ideologjike” një dokument që rrodhi në media) të sulmojnë promovimin e demokracisë kushtetuese Perëndimore, të vlerave universale, të shoqërisë civile dhe të gazetarisë së pavarur. Kjo ofensivë shënjestron gjithashtue dhe të gjithë studimet historike që përpiqen të zbulojnë se çfarë ndodhi në të shkuarën, ndërsa promovon pranimin si tërësisht të vërtetë të versionit të historisë së shkruar nga partia. Sipas saj, duhet të përdoret çdo mjet për të shkatërruar këto tendenca të rrezikshme, qoftë përmes mobilizimit të diasporës kineze në një Front të Bashkuar, ashtu edhe përmes influencimit të universiteteve jashtë vendit apo përdorimit të presionit ekonomik në mënyrë që të krijohet “varësi dhe vetëcensurë.”
Variantet më të ashpra të kësaj përqasjeje njihen si “diplomacia ujk,” e cila përdor shpesh premtime false për marrëveshje tregtare apo investime për vende që i binden kërkesave. Me të vërtetë, përpjekjet e Kinës kanë prodhuar një lloj përkuljeje parandaluese në Perëndim që në vetvete gërruen vlerat demokratike.
Disa nga ata që justifikojnë sjelljen e Kinës këshillojnë të vepruar me kujdes, duke argumentuar se defektet e Perëndimit nuk janë shumë të ndryshme nga ato të regjimit komunist ne Pekin. Dhe këshilla e tyre është që ne duhet të ndërveprojmë me Kinën në mënyrë që të shmangim sjelljen e saj më të keqe. Kjo mund të tingëllojë si një sjellje e balancuar dhe e mençur.
Por ndërveprimi duhet të jetë në kushte të ndershme për të dyja palët. Dhe parandalimi ka nevojë të jetë real kur është i nevojshëm – pikë në të cilën, apostujt e mençurisë së ndërveprimit kanë tendencën të gjejnë justifikime për t’u tërhequr nga debati. Nëse liberalët vijojnë të jenë kaq të dobët mendërisht, ne do ta paguajmë këtë shtrenjtë.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Liberal Democracy and Its Enemies