
Numri i të infektuarve me COVID-19 pësoi një rritje të lehtë gjatë të Dielës por dy nga të infektuarit janë mjekë, të cilët u detyruan të vetëkarantinohen duke alarmuar autoritetet që i bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë nëse kanë ardhur nga vende të prekura, për të mbrojtur mjekët dhe familjarët e tyre nga infeksioni.
Numri i të infektuarve me COVID-19 u rrit me katër persona të dielën duke arritur në 42 në Shqipëri, por dy nga të prekurit e rinj janë mjekë, të cilët, ndonëse pa simptoma, u detyruan të vetëizolohen. Zëvendësministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli bëri thirrje për qytetarët që paraqiten për trajtim mjekësor në spital t’u komunikojnë menjëherë mjekëve nëse vijnë nga një udhëtim nga vendet e prekura nga virusi në mënyrë që të kryhet një identifikim i hershëm dhe për të shmangur infektime të tjera të panevojshme. Ky vetëdeklarim është veçanërisht i nevojshëm për të mbrojtur mjekët dhe stafet mjekësore, të cilët, edhe në rast se e kalojnë lehtë dhe pa pasoja infektimin me COVID-19, sërish detyrohen të ndërpresin punën për shumë ditë, duke hequr nga shërbimi staf mjekësor që është i domosdoshëm për këto kohë.
“Ju lutemi të gjithë qytetarëve që paraqiten në spitale dhe familjarëve të tyre:
Njoftoni personelin shëndetësor nëse keni udhëtuar jashtë vendit.
Njoftoni personelin shëndetësor nëse keni një familjar ose të afërt që ka udhëtuar jashtë vendit.
Njoftoni nëse keni patur kontakt me persona që kanë udhëtuar apo kanë shenja të sëmundjes.
MOS vizitoni të afërmit në spitale sepse shkaktoni rrezik edhe për personelin shëndetësor,” deklaroi Racakolli në konferencën e sotme për shtyp.
“SOT ËSHTË DETYRIM që ne të mbrojmë personelin shëndetësor duke treguar ndërgjegje të lartë në raport me të vërtetën,” shtoi Rakacolli.
Të dy mjekët e infektuar i përkasin spitalit “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, i cili është spitali i specializuar për sëmundjet e mushkërive.
Aktualisht është tre numri i mjekëve të infektuar me COVID-19, të cilët e morën virusin ndërsa i shërbenin pacientëve.
Një nga shqetësimet më të mëdha të sistemeve shëndetësore në të gjithë botën sa i përket COVID-19 është rreziku që stafet spitalore të sëmuren, duke zvogëluar në këtë mënyrë kapacitetet për kujdes shëndetësor, gjë që shkakton rritje të vdekshmërisë së sëmundjes.
Shqipëria ka aktualisht një numër të vogël mjekësh në raport me popullsinë ndërsa infektimet brenda spitaleve rrezikojnë ta pakësojnë më shumë këtë numër.
Nga 42 rastet e infektuar aktualisht në Shqipëri, 17 janë duke u trajtuar në regjim spitalor, nga të cilët, aktualisht 3 janë në kujdes intensiv. Njëri prej tyre është në gjendje të rëndë, sipas Rakacollit. Pjesa tjetër e të infektuarve po e kalojnë izolimin në shtëpi pa shqetësime të mëdha. Deri më sot numri i të vdekurve nga COVID-19 në Shqipëri mbetet 1.







